Ka nisur samiti dy ditor i NATO-s në Washington. Pas pritjes së veçantë që presidenti Biden dha për krerët e shteteve të aleancës veri-atlanitike, Rama dhe liderët e shteteve anëtare po diskutojnë për dërgimin e avionëve F16 drejt Ukrainës.

Kryeministri Rama u pa krah liderëve të tjerë në këtë samit që shënon edhe 75-vjetorin e organizatës.

NATO në samitin e saj në Washington ka vendosur më në fund që avionët luftarakë F-16 të dërgohen këtë verë në Ukrainë.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka falënderuar në mënyrë të veçantë SHBA-në, Danimarkën dhe Holandën për dërgimin e avionëve në forcat ajrore të vendit të tij.

Zelensky falënderoi Belgjikën dhe Norvegjinë për angazhimin e tyre për transferimin e avionëve.

Sekretari Amerikan i Shtetit Antony Blinken tha se transferimi i F-16 nga SHBA, Danimarka dhe Holanda ishte në proces.

“Këta avionë do të fluturojnë në qiellin e Ukrainës këtë verë për t’u siguruar që Ukraina mund të vazhdojë të mbrohet në mënyrë efektive kundër agresionit rus,” tha Blinken

Ndërkohë, kryeministri norvegjez Jonas Gahr Store njoftoi se vendi i tij tashmë ka vendosur të dhurojë gjashtë avionë luftarakë F-16 për Ukrainën.

“Ne planifikojmë të fillojmë dërgimin e avionëve gjatë vitit 2024”, shtoi ai.

Në Maj, Belgjika u zotua të dërgojë 30 F-16 në Ukrainë deri në vitin 2028, me grupin e parë të avionëve që mbërrinte këtë vit.

Zelensky prej kohësh po bën presion për dërgesat e F-16 të prodhuar nga SHBA për të ndihmuar Ukrainën të mbrojë qiellin e saj kundër sulmeve vdekjeprurëse me raketa ruse dhe dron.

Gushtin e kaluar, presidenti i SHBA-ve, Joe Biden dha dritën jeshile për transferimin e F-16 – pavarësisht shqetësimeve se masa do të çonte në një përshkallëzim me një Rusi të armatosur bërthamore.

Klan News