Nga selia e NATO-s në Bruksel shefi në largim i Aleancës Jens Stoltenberg në një intervistë për agjencinë e lajmeve “Reuters” ka folur për kërcënimet me armë bërthamore të presidentit rus Vladimir Putin.

Shefi i NATO-s Jens Stoltenberg dhe ish-presidenti amerikan Donald Trump

Stoltenberg u shpreh se këto deklarata nuk duhet ta ndalojnë mbështetjen ushtarake për Kievin.

“Unë besoj se rreziku më i madh do të jetë nëse presidenti Putin fiton. Mesazhi do të jetë se kur ai përdor forcën ushtarake, por edhe kur kërcënon aleatët e NATO-s, atëherë ai merr atë që dëshiron dhe kjo do të na bëjë të gjithëve më vulnerabël. Sigurisht që ne monitorojmë nga afër atë që bën Rusia dhe i kemi përcjellë shumë qartë Moskës se një luftë bërthamore nuk mund të fitohet dhe nuk duhet të realizohet. Ne do të ndërmarrim hapat e nevojshëm për të siguruar që të gjithë aleatët ta mbështesin Kievin.”

Kërcënimet e Putinit vijnë teksa Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët e saj po diskutojnë nëse do ta lejojnë Ukrainën të lëshojë raketa me rreze të gjatë veprimi në Rusi. Administrata amerikane deri më tani ka hezituar t’i japë Ukrainës lejen për të goditur me armë të tilla për shkak të frikës së rritjes se tensioneve me Moskën dhe një hakmarrjeje të mundshme.

Klan News