Partia e ekstremit të djathtë, Partia e Lirisë (FPO), e udhëhequr nga Herbert Kickl, korri një fitore historike në zgjedhjet parlamentare të mbajtura në Austri.

Triumfi i FPO-së euroskeptike dhe miqësore me Rusinë ishte një tjetër moment historik në ngritjen e fundit të së djathtës ekstreme në Evropë. Duke folur me mbështetësit e tij në Vjenë, kreu i Partisë së Lirisë (FPO) Herbert Kickl tha se kishin shënuar historinë  në Austri.

“Ne kemi hapur derën për një epokë të re. Tani me të vërtetë do të shkruajmë së bashku këtë kapitull të ri në historinë austriake. Nuk mund t’ju them se sa i lumtur jam për këtë rezultat. Ajo që kemi arritur është përtej ëndrrave të mia.”

Bazuar në numërimin e mbi 90% të votave, tregoi se Partia e Lirisë u rendit e para me 29.2%, por nuk ka fituar shumicën absolute. Kjo nënkupton se partisë i duhet të gjejë një partner koalicioni në Parlament për të formuar një qeveri nëse presidenti Alexander Van der Bellen e fton për të formuar ekzekutivin e ri.

Ndërkaq Kancelari i Austrisë Karl Nehammer përsëriti se partia e tij konservatore OVP nuk do t’i bashkohej një qeverie me kreun e FPO-së Herbert Kickl. Fitorja e Partisë së Lirisë shkaktoi edhe protesta.

Protestuesit u mblodhën jashtë ndërtesës së parlamentit të Austrisë në Vjenë pas zgjedhjeve të përgjithshme të së dielës. Për shumë prej tyre një fitore e tillë nënkupton paga më të ulëta dhe një përkeqësim të të drejtave të emigrantëve dhe grave. Partia e Lirisë prej kohësh ka bërë thirrje për t’i dhënë fund sanksioneve kundër Rusisë si dhe ka kërkuar që të ndalen ndihmat ushtarake për Ukrainën.

Klan News