Komandant Suprem i Forcave Aleate të NATO-s në Europë, Christopher Cavoli ka thënë ditën e sotme se ushtria ruse nuk ka trupat e mjaftueshëm për të arritur përparim strategjik në rajonin rreth Kharkiv në Ukrainën lindore.

Teksa po fliste pas një takimi në Bruksel, Cavoli tha se kishte besim se forcat ukrainase do të mbanin linjat e tyre në rajon. Ndërkohë më herët të enjten, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky njoftoi se këshilli i tij i luftës ishte mbledhur në Kharkiv. Ai deklaroi se situata është “jashtëzakonisht e vështirë”, por “nën kontroll” .

“Deri më tani, situata në rajonin e Kharkiv është plotësisht nën kontroll”, tha Zelensky në Telegram, duke sqaruar se ndodhet në qytet me komandantët ushtarakë. “Por zona mbetet në një situatë jashtëzakonisht të vështirë, për këtë arsye ne po përforcojmë njësitë tona”, shtoi ai.

Ndër të tjera Kievi njoftoi se avancimi ushtarak rus është ndalur në zona të caktuara të rajonit ku Moska me një sulm të befasishëm arriti të sigurojë brenda pak ditësh fitimet më të mëdha territoriale në 1.5 vitet e fundit./tvklan.al