Ndërron jetë në spital Andi Maloku, shoferi i prokurorit Ndoja

Posta

Ndërron jetë në spital Andi Maloku, shoferi i prokurorit Ndoja

18:58 07/11/2019

Andi Maloku, shoferi i prokurorit Arjan Ndoja, ka ndërruar jetë në Spitalin e Traumës. Burime nga bluzat e bardha kanë konfirmuar lajmin për tvklan.al.

Gjashtë ditë pas atentatit që ndodhi më 1 Nëntor në autostradën Tiranë-Durrës, Andi Maloku nuk mundi t’u mbijetonte plagëve të rënda.

Plumbat i kishin prekur mushkërinë dhe shtyllën kurrizore shoferit të prokurorit Ndoja.

Mjekët kishin mundur të stabilizonin gjendjen e tij shëndetësore, por e mbanin në kujdes intensiv për shkak të situatës kritike. Bluzat e bardha dyshonin se 24-vjeçari mund të mbetej i paralizuar për shkak të plumbit që e kishte prekur në shtyllën kurrizore, por mesa duket gjendja e tij u përkeqësua gjatë ditëve të fundit. Andi Maloku ndërroi jetë pak çaste më parë në Spitalin e Traumës në kryeqytet.

Ditën e atentatit, Andi Maloku ishte në drejtimin e automjetit Mercedes-Benz, së bashku me prokurorin e Durrësit Arjan Ndoja dhe Pëllumbi Muharremin, ky i fundit i njohur me pseudonimin “Rumi” dhe që ka në përdorim 4 identitete.

Pasi atentatorët hapën zjarr në drejtim të makinës së tyre, Andi Maloku nxorri nga rruga automjetin tek mbikalimi i Shkozetit. Prokurori Arjan Ndoja dhe Pëllumb Muharremi u transportuan në Spitalin e Durrësit, pasi gjendja e tyre nuk ishte e rëndë. Ndërsa shoferi Andi Maloku u dërgua menjëherë drejt kryeqytetit. Gjashtë ditë pas atentatit, 24-vjeçari ka ndërruar jetë.

I arrestuari i vetëm për këtë ngjarje është Redjan Rraja 34 vjeç. Me vdekjen e Andi Malokut, shtohet edhe një tjetër akuzë, ajo e vrasjes në rrethana cilësuese e kryer në bashkëpunim. Akuzat e tjera të regjistruara për hetimin e atentatit janë vrasja e funksionarëve publikë, vrasja  kundër dy ose më shumë personave e kryer në bashkëpunim e mbetur në tentativë  dhe armëmbajtja pa leje. /tvklan.al


Reklama
LAJMET

Të ngjashme

Reklama
UKT
UKT

Grupi