Duke folur për vështirësitë e të shkuarës dhe arritjet e strukturës policore në 10 vitet e fundit, ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, njoftoi nisjen e procesit që do të përzgjedhë për herë të parë me garë të gjithë drejtuesit e Policisë së Shtetit.

Zbatimi i ligjit të ri do të nisë me drejtuesin e Përgjithshëm, post i lënë bosh nga dorëheqja e Muhamet Rrumbullakut. Gara për zgjedhjen e zëvendësuesit është hapur dhe brenda 7 ditësh të gjithë të interesuarit duhet të kandidojnë.

Ervin Hoxha, ministër i Brendshëm: Kam nxjerrë Udhëzimin për fillimin e procedurave të përzgjedhjes së Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe në zbatim të tij, në detyrën e përkohshme të drejtuesit të lartë të Policisë, do të komandohet Zv.drejtori i Përgjithshëm, Sokol Bizhga. I ftoj të gjithë drejtuesit të Policisë, të cilët janë sipas rangjeve të parashikuara nga ligji të kandidojnë për Drejtor të Përgjithshëm. Nëse e kanë këtë ambicie të mos ngurrojnë. Procesi është i hapur dhe zgjedhja do të jetë e pandikuar nga asgjë tjetër, përveç vlerave individuale të çdo kandidature.

Hoxha la të kuptohet se fundi i këtij procesi do të sjellë figura të reja në drejtimin e strukturës policore.

Ervin Hoxha, Ministër i Brendshëm: Sot, është dita për ta kaluar stafetën tek një tjetër gjeneratë drejtuesish, të cilët falë punës kolosale të bërë deri këtu, nuk do ta fillojnë rrugën e tyre nga gremina e vitit 2013, por nga një lartësi e arritur me mundin e me kohën e një dekade dhe nuk do të kenë asnjë justifikim për të mos e ngjitur Policinë e Shtetit në rangun e trupave më të mira të Bashkimit Europian.

Kandidatët që do të shprehin interesin për drejtimin e Policisë së Shtetit do të vlerësohen nga një komision i përkohshëm i përbërë nga një prej zëvendësministrave të Brendshëm, në cilësinë e kryetarit, sekretarja e përgjithshme e Ministrisë së Brendshme, Suzana Hoxha dhe kreu i AMP, Florian Sulejmani.

Në javët në vijim do të hapet gara për përzgjedhjen e drejtuesve vendor dhe të departamenteve që do të ndjekin të njëjtën procedurë.

Tv Klan