Kupola drejtuese e policisë së shtetit i nënshtrohet ristrukturimit. Ndryshimet e reja që imponohen nga ligji i ri i Policisë së Shtetit nisin me drejtorin e përgjithshëm, drejtuesit e departamenteve, drejtorët e drejtorive vendore dhe shefat e komisariateve.

Të premten ministri i Brendshëm Ervin Hoxha, njoftoi hapjen e garës për pasuesin e Muhamet Rrumnbullakut, i cili dha dorëheqjen nga detyra e drejtorit të përgjithshëm para nisjes së këtij procesi. Deri në zgjedhjen e kreut të ri të policisë, kompetencat i merr zv/drejtori, Sokol Bizhga.

“I ftoj të gjithë drejtuesit të Policisë, të cilët janë sipas rangjeve të parashikuara nga ligji të kandidojnë për Drejtor të Përgjithshëm. Nëse e kanë këtë ambicie të mos ngurrojnë. Procesi është i hapur dhe zgjedhja do të jetë e pandikuar nga asgjë tjetër, përveç vlerave individuale të çdo kandidature,” tha ministri Hoxha.

Thirrja për Drejtor të Përgjithshëm do të qëndrojë e hapur për 7 ditë. 10 ditë ardhshme kryhet procesi i vlerësimit të kandidatëve, kualifikimi dhe s’kualifikimi i tyre. Më pas një komision prej 3 personash, organizon seancë dëgjimore me të përzgjedhurit. Pas marrjes në pyetje të kandidatëve, komisioni bën pikëzimin e dhe listimin e emrave. Pas mbylljet së procesit ministri i propozon kryeministrit kandidatin me vlerësimin më të lartë.

Nëpërmjet procesit të konkurrimit sipas ligjit të ri do të bëhet dhe emërimi i drejtorëve të departamenteve dhe drejtuesve të policive të qarqeve.

Sipas ministrit të brendshëm Ervin Hoxha, drejtorët e departamenteve dhe të drejtorive vendore do ti kalojnë gradualisht stafetën drejtuesve të rinj. Procesi për zgjidhjen e tyre do të nisë pas emërimit të kreut të ri të kupolës së policisë.

Klan News