Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha ka reaguar në rrjetet sociale pas arrestimit të të shumëkërkuarit Marklen Haka.

Disa minuta pasi Haka u vu në pranga, Hoxha shkroi në rrjetet sociale se operacioni për kapjen e tij u organizua nga forcat speciale RENEA mbi bazën e informacioneve të siguruara nga Policia e Tiranës.

 Hoxha sqaron se Haka u kap në Nikël i armatosur. Bashkë me të në polici po shoqërohen edhe disa persona të tjerë.

“Në prangat e Policisë së Shtetit ka rënë pak minuta më parë i shumëkërkuari Marklen Haka alias Aliu, i dyshuar për pjesëmarrje në organizatë kriminale dhe i përfshirë në disa ngjarje të rënda, pas një operacioni profesional të Forcave Speciale RENEA, mbi bazën e informacioneve të siguruara nga Policia e Tiranës. Një ndër personazhet më kryesore të botës së krimit u kap në Nikël të Krujës, me armë zjarri, e bashkë me të po shoqërohen edhe disa persona të tjerë”, njoftoi Hoxha.

Më tej, ministri thekson se çdo përpjekje për të shmangur përballjen me drejtësinë do të dështojë, ndërsa përgëzon forcat e angazhuara në këtë operacion.

“Përpjekja për t’ju shmangur përballjes me drejtësinë po merr e do të marrë çdo ditë e më shumë përgjigjen e duhur nga uniformat blu dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese. Ky është momenti për të përgëzuar dhe shprehur respekt, për forcat e angazhuara në operacionin me shkallë të lartë rrezikshmërie”, tha Hoxha.

Marklen Haka ishte shpallur në kërkim nga SPAK në kuadër të operacionit “Revanshi”. Ai akuzohet për vrasje të mbetur në tentativë ndaj Durim Bamit, pjesëmarrës në grup kriminal dhe armëmbajtje pa leje./tvklan.al