Kushi: Do ketë provim të automatizuar për kandidatët që do konkurrojnë në Mjekësi

Procesi i provimeve kombëtare të maturës shtetërore për vitin shkollor 2022-2023 do të ndryshojë. Ministrja e Arsimit Evis Kushi në një takim me maturantët ka folur për ndryshimet që do të pësojë matura. Kushi tha se fillimisht do të pilotohet vetëm me maturantët që do të garojnë për mjekësi të përgjithshme.

Evis Kushi: Kanë detyrim të japin edhe një provim tjetër, i cili është një provim që zhvillohet në mjediset e Qendrës së Shërbimeve Arsimore, është provim i automatizuar, siç bëhet provimi i portalit, siç bëhen provimet e licencave, në mënyrë që të shmanget edhe gabimi edhe fiktiviteti.

Drejtuesja e Qendrës së Shërbimeve Arsimore, Aurora Balliu foli për pjesën teknike të këtij testi, i cili do të do të mbulojë lëndët Biologji, Kimi dhe Fizikë.

Aurora Balliu:  Testohen  në të njëjtën kohë 100 aplikantë të cilët kanë të njëjtin test, sepse testin e gjeneron në mënyrë  automatike sistemi. Do të jetë një test i ndarë në tre nivele ashtu sikurse edhe testi i maturës, ashtu sikurse edhe testet që ju bëni në  shkollë janë të ndarë në tre nivele. Mendoj se do të kemi 50 pyetje 100 pikë  njësoj si provimi i licencave.

Gjatë takimit me maturantët Ministrja Kushi tha se do t’u jepet mundësia e rikorrigjimit të testit, gjë që nuk lejohej më parë. Si dhe po bëhet vlerësimi i gjimnazeve sipas një formule specifike që të bëhet një renditje e tyre në mbarë vendin.

Klan News