Katër grabitjet e ndodhura në tre javet  e fundit në zonën Tiranë – Lushnje dyshohet se janë kryer nga i njëjti grup. Prokuroria e Tiranës ka bashkuar në një dosje të vetme bastisjen e një argjendarie në një qendër tregtare në Tiranë më 2 Janar, thyerjen e dy bankomateve në Vorë dhe Kamëz më 17 Janar dhe grabitje e një argjendarie në Lushnje më datë 20 Janar.

Sipas hetuesve, në dy grabitjet e argjendarive është përdorur e njëjta skemë. Katër persona të maskuar futen brenda dhe thyejnë çdo gjë duke përdorur edhe vare. Veshjet e autorëve në dy grabitjet janë të njëjta, duke i bërë hetuesit të krijojnë dyshime të arsyeshme se bëhet fjalë për të njëjtët persona. Ata janë të maskuar, të veshur me të zeza dhe pallto të gjata. Sipas hetuesve, një person i pestë i pret ata në dy rastet në një makinë. Nga mënyra e realizimit edhe thyerja e bankomateve është bërë nga i njëjti grup.

Prokuroria ka vënë në përgjim disa numra telefoni të disa persona të cilët dyshohet se janë përfshirë në këto ngjarje, ndërsa policia është duke i vëzhguar. Burime nga grupi hetimor konfirmojnë për Tv Klan se pjesëtarët e grupit dyshohet se janë nga Fushë-Kruja dhe aktiviteti kryesor i tyre është grabitja e argjendarive.

Në të dy argjendaritë e thyera dyshohet se vlera e mallit të grabitur të jetë rreth 300 mijë Euro. Në dy bankomate, policia ka sqaruar se autorët nuk kanë mundur të marrin para. Ndërsa grabitja e parave të Drejtorisë së Transporteve në Durrës dhe biznesmenit Elton Kelmendi po në qytetin bregdetar, është kryer nga një grup tjetër, i cili ushtron aktivitetin në këtë zonë.

Tv Klan