Banorët: Kemi frikë të jetojmë në banesa

Katër ditë nga tërmeti që mori jetën e 51 personave, qindra familje vijojnë të mos kthehen në banesat e tyre, për shkak të dëmeve të mëdha që kanë pësuar, por edhe nga frika për ndonjë lëkundje tjetër.

Ndërkohë grupeve shqiptare të inspektimit i janë bashkuar edhe ekspertë të huaj. 6 inxhinierë grekë po kryejne verifikime në kryeqytet.

Në njësinë numër 9 nuk është konstatuar asnjë pallat i pabanueshëm, por vetëm dëme materiale.

Zona më problematike është ajo e Kombinatit. 48 pallate janë dëmtuar nga tërmeti i së martës dhe deri tani 3 janë klasifikuar të pabanueshëm.

Banorët ndihen të rrezikuar. Shumë prej tyre janë larguar nga banesat. Ata tregojnë se nuk mund të jetojnë më në këto pallate dhe se presin grupet e inspektimit për të mësuar nëse godinat janë të qëndrueshme ose jo.

Tv Klan