“Tetori rozë” është muaji  i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit dhe krahas fushatave, mënyra më e mirë janë historitë e përjetuara. Elida Karafili është një prej grave që ka arritur të fitojë mbi sëmundjen e vështirë falë diagnostikimit në kohë.

Ajo rrëfen në programin “Rudina” në Tv Klan se 6 vite më parë zbuloi rastësisht një gjëndër në gjoksin e majtë që kuptoi se “nuk e kishte vendin aty”. Nga ai moment, nisi një proces i shpejtë ekzaminimi e trajtimi dhe fatmirësisht ia ka dalë të triumfojë.

Elida Karafili: Para 6 vitesh, në një dush rutinë, në gjoksin e majtë unë preka një kokërr të vogël sa një kokërr misri, e ndërgjegjshme që ajo s’e kishte vendin aty, por unë nuk bëra hap tjetër, e lashë ashtu, nuk i vura rëndësinë e duhur por e dija që ajo nuk e kishte aty vendin, ishte një gjë që s’duhet të ishte. Nga tetori, më duket nga fillimi i tetorit, vajzat këmbëngulën që unë të përfshihem te kontrollet masive  që bëjnë gratë. Edhe njëherë jo, po, këmbëngulja e tyre dhe mirë bënë dhe unë u konstatova pastaj që me  ekzaminimin e dytë në eko mua më doli që unë kisha një masë tumorale në gjoksin e majtë. Shumë shpejt, kur them shumë shpejt, jashtëzakonisht shpejt unë kam bërë të gjitha analizat e duhura, të gjitha ekzaminimet dhe bëra pastaj operacionin.

Rudina Magjistari: Filloi menjëherë lufta.

Elida Karafili: Po, po, po sepse duhej bërë, nuk kisha kohë fare që të shkoja jashtë sepse masa nuk kishte lëvizur dhe doktorët këmbëngulën që nuk ka lëvizur dhe është më mirë për ty, shumë më mirë për ty dhe e sigurt për ne.

Rudina Magjistari: Që të hiqej masa.

Elida Karafili: Patjetër. Ata thanë që unë të bëja një ndërhyrje lokale, por unë këmbëngula vetë që ta hiqja të gjithin për të mos i dhënë mundësi që të përsëritet për aq njohuri sa kishim dhe e hoqa. Pastaj  vazhduam kontrollet një herë në tre muaj për dy vjet, pastaj në gjashtë muaj, pastaj në tetë. Kur unë bëra 5 vjet, mjekja këmbënguli që unë ta vazhdoj dhe vitin e gjashtë për siguri sepse mund të ndodhë që është e fjetur dhe na del një gjë tjetër. Unë në nëntor bëj 6 vjet dhe mjekohem, por unë pata një fat të madh, shpejtëia e ekzaminimit që unë e vura në dukje që unë kam një gjë, mua më bëri që të më ecin gjërat mirë.

Në program zbulohet gjithashtu se Elida është nëna e dy vajzave që janë mjaft të njohura, opinionistes Neda Balluku dhe sopranos Simona Karafili./tvklan.al