nepal_1

250 persona, mes tyre edhe turistë të huaj, rezultojnë të zhdukur pas një tjetër orteku në parkun kombëtar Langtang, pjesë e vargmalit të Himalajeve, pak kilometra larg kryeqytetit Katmandu.

Zona është mjaft e frekuentuar nga turistët e huaj, por autoritetet thonë se për momentin e kishin të pamundur të dërgonin ekipet e shpëtimit, për shkak të motit të keq dhe terrenit të thyer malor.

Orteku mendohet të jetë shkaktuar nga lëkundjet e vazhdueshme të tokës, që ende nuk kanë të ndalur pas tërmetit shkatërrimtar të së shtunës.

Shifra zyrtare e të vdekurve ka arritur në rreth 5 mijë. Por kryeministri nepalez Sushil Koirala paralajmëroi se numri i viktimave të tërmetit mund të arrijë në 10 mijë. Situatën ai e përshkroi si “gjendje lufte”.

Mijëra persona vuajnë mungesën e strehimit. Shumë prej tyre kanë frikë të rikthehen në shtëpi. Spitalet nuk po përballojnë fluksin e të gjithë personave që kanë nevojë për ndihmë mjekësore.

Sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuara, të paktën 8 milionë, rreth një e katërta e popullësisë së Nepalit po vuajnë pasojat e tërmetit të së shtunës, me magnitudë 7.8 të shkallës Rihter.

Më shumë se 50 orë nga tërmeti vazhdojnë të nxirren njerëz të gjallë nga rrënojat. E gjithë ushtria nepaleze u është bashkuar operacioneve të kërkimit dhe shpëtimit. Në Nepal mbërritën ndihmat e para ndërkombëtare, por sipas OKB, mbi 1.4 milionë njerëz kanë nevojë urgjente për ushqim.

Tv Klan