Shoqata e Himariotëve Amerikanë doli në mbrojtje të Ligjit të Pronave

Ish-deputeti Nikollaq Neranxi është rreshtuar pro Shoqatës së Himariotëve Amerikanë, të cilët dolën hapur në mbështetje të Ligjit të Pronave. Shoqata e quajti ligjin si shansin më të mirë të grekëve në Shqipëri që të marrin pronat e tyre.

Por ky qëndrim ka shkaktuar reagim tek disa grupe në Himarë, të cilët kanë sulmuar një nga personalitetet e Shoqatës së Himariotëve Amerikanë, Father Kozma Karavella dhe ish-deputeti Neranxi u është përgjigjur atyre në rrjetet sociale, duke thënë se çdo qëndrimi i kësaj shoqate është dashamirës.

“Çdo sugjerim që i ka ardhur qeverisë shqiptare nga Father Karavella për ligjin e pronave dhe pajisjen e himariotëve me certifikatë pronësie, nuk mund të jetë tjetër veçse dashamirëse dhe pozitive. Prandaj iu bëj thirrje himariotëve të mos nguten në nxjerrje konkluzionesh. Himariotët kanë 30 vite që presin Greqinë t’i ndihmojë për të marrë certifikatat e pronësisë dhe deri tani nuk kanë gjetur zgjidhje, rrugë për të cilën unë asnjëherë s’kam qenë dakord. Ky ka qen një gabim i madh, çmimin e të cilit po e paguajnë sot. Tani që ka një kontribut nga himariotët e Amerikës, çne që nuk po ju pëlqen dhe s’keni durim? A keni kërkuar zgjidhje të problemit të pronave apo thjesht keni dashur të mashtroheni nga disa individë me axhenda personale këtej dhe andej kufirit?”

Neranxi u kërkon himariotëve të tregohen të pjekur, të japin mendimin e tyre kur ta kenë ligjin të plotë dhe të mos bëhen pjesë e axhendave të tjera.

“Himariotët e ndershëm, duan regjistrimin e pronave, nuk kanë axhendë tjetër përveç kësaj! Kush do të merret me politikë, gjeopolitikë dhe probleme etnike, lërini në hallet e tyre!”

Shoqata e Himariotëve Amerikanë sqaroi në një deklaratë të sajën se ligji i ri u jep banorëve të Himarës dhe të gjithë grekëve etnikë në Shqipëri, mundësinë më të mirë që nga rënia e komunizmit 30 vjet më parë për të regjistruar pronat e tyre dhe për të marrë tituj të qartë të pronësisë së tyre.

Tv Klan