Një kolonë motoçiklistësh, pjesëmarrës në maratonën “Të mos harrohet dhe të mos përsëritet”, u nis të mërkurën nga Sarajeva për në Srebrenicë, ku më 11 korrik, do të përkujtohet përvjetori i 29-të i genocidit kundër boshnjakëve.

Kjo është maratona e 13-të e tillë, në të cilën marrin pjesë rreth 1.000 motoçiklistë dhe e cila i kushtohet përvjetorit të genocidit në Srebrenicë.

Motoçiklistët vijnë nga vende të ndryshme, përfshirë: Bosnje e Hercegovinën, Kroacinë, Slloveninë, Austrinë, Gjermaninë, Italinë, Suedinë, Zvicrën, Turqinë, Malin e Zi dhe Serbinë.

Ata duhet të mbërrijnë në Qendrën Përkujtimore Potoçari të mërkurën pasdite. Atje do të varrosen të enjten eshtrat e 14 viktimave të genocidit, që u identifikuan gjatë vitit të kaluar.

Viktima më e re është Beriz (Omer) Mujiç, i cili në kohën kur ndodhi krimi më 1995, ishte 17 vjeç, ndërsa viktima më e vjetër është Hamed Salliç, atëkohë 68 vjeç.

Në Srebrenicë dhe zonat përreth, forcat serbe të Bosnjës vranë më shumë se 8.300 boshnjakë në korrik të vitit 1995. Me një vendim në vitin 2007, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë e karakterizoi krimin si genocid.

Deri më tani, më shumë se 50 persona janë të dënuar me më shumë se 700 vjet burg për genocid dhe krime të tjera në Srebrenicë.

Në maj të këtij viti, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara e shpalli 11 korrikun Ditë Ndërkombëtare të Përkujtimit të Genocidit në Srebrenicë./REL