Shqipëria është zgjedhur mes shumë vendeve të botës për të organizuar asamblenë e 63 të përgjithshme të CLIPSAS, organit me të lartë botëror, i cili bashkon të gjitha lozhat masonike të njohura në mbarë botën.

Pjesë e këtij organi është edhe lozha e madhe shqiptare Iliria, e cila zotëron të drejta të plota që prej vitit 2018 në takimin e Barcelonës.

Pjesëmarrja e gjerë në këtë takim tejkalon shifrën e 300 shtetasve të cilët vijnë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Amerika latine e Azia dhe Europa.

Ky takim u mbikëqyr nga zoti Raimond Todhe Mjeshtër i Madh dhe anëtari i Këshillit Drejtues, si dhe Arian Simo i Lozhës së Madhe Shqiptare, Iliria. Krahas diskutimit të çështjeve organizative të CLIPLSAS, kjo asamble do të shërbejë edhe si një mundësi për të promovuar Shqipërinë me kulturën e saj, kulinarinë, sitet arkeologjike si dhe për të afruar investime të mundshme në vendin tonë.

Në këtë edicion ndër të tjera do të diskutohet edhe mbi një temë që ka filluar të prekë jetët tona siç është Inteligjenca Artificiale.

Masoneria numëron në radhet e saj mbi 6 milionë anëtare në mbarë botën.

Ata janë qytetarë nga kultura, fe, apo profesione të ndryshme të cilët në thelb kërkojnë të luftojnë injorancën, tiraninë, vesin duke u munduar të ndërtojnë një botë më të mirë, të promovojë qytetarinë e mirë dhe standarde të larta etike mes barazisë, lirisë e vëllazërisë së vërtetë.

Historia e masonerisë është shumë e gjatë dhe e larmishme ku si anëtarë ndër vite të saj kanë qenë emra të rëndësishëm botërorë të politikës, artit dhe kulturës si Benjamin Franklin, Mozart, Enrico Fermi e Winston Churchill.

Tv Klan