Duke filluar nga kjo e mërkurë, nis regjimi i lirë i trafikut në të dyja anët e kufirit mes Shqipërisë dhe Kosovës. Njoftimi u dha nga kryeministri Edi Rama dhe ministri i Brendshëm Taulant Balla, të cilët ndër të tjera, thanë se në Pikën kufitare Morinë dhe Vermicë do të ketë korsi të dedikuara për kalimin e lehtësuar të kufirit.

Ky regjim synon të lehtësojë procedurat e qarkullimit, sidomos në një sezon të ngjeshur turistik që shton dhe fluksin e automjeteve, por edhe banorët e zonës kufitare, të cilët kanë të drejtë të qëndrojnë në zonën kufitare të palës tjetër, jo më shumë se 90 ditë brenda 180 ditëve.

Marrëveshja është firmosur fillimisht në 26 nëntor 2021, me kohëzgjatje të kësaj procedure deri në 4 muaj.

Ndërsa në 13 prill 2024 Shqipëria dhe Kosova nënshkruan një tjetër marrëveshje që lejon qytetarët të kalojnë në pikat kufitare me procedura të përshpejtuara gjatë 9 muajve të vitit, në fundjava dhe për festa. Marrëveshja u nënshkkrua nga ministrat e brendshëm Taulant Ballad dhe Xhelal Sveçla.

Gjatë vitit 2023 janë regjistruar në hyrje përmes pikës së kalimit në Morinë 1,445,204 shtetas shqiptarë dhe 4,430,161 shtetas të huaj. Duke i krahasuar me shifrat e vitit 2021, fluksi i lëvizjeve është dyfishuar.

Klan News