Lajme Arkiva – TV Klan 2001

Ka nisur më në fund normalisht procesi gjyqësor i dosjes Hajdari. Edhe pse dy orë me vonesë, ku edhe grupi i prokurorëve është dashur të pres, seanca e 4 gjyqësore ka shënuar fillimin normal të procesit VIP në gjykatën e Tiranës. Që në fillim të seancës, gjyqtari Micko ka lexuar emrat e dy avokatëve nga gjashtë të propozuar, që do të mbrojnë të pandehurin në mungesë Jaho Mulosmani.

Gëzim Allaraji dhe Uk Cenaj, do të duhet të përgjigjen tashmë për mbrojtjen ligjore të akuzuarit kryesor për vrasjen e Hajdarit. Dy avokatët nuk ishin sot prezent, por deri në marrjen në dorë nga ata të mbrojtjes, do të jetë prezent Pëllumb Zaimi, avokati që dha dorëheqjen. Më pas procesi ka vijuar me provat e paraqitura nga prokurori Haxhi Giu, të cilat ia dorëzoi më pas gjyqtarit Micko.

Sipas akt-ekspertizës, që u lexua nga grupi i prokurorëve, Azem Hajdari i vrarë më 12 Shtator 1998, ka marrë 15 plagë në trup. Shkaku i vdekjes së Hajdarit, sipas ekspertizës mjeko-ligjore është shok i rëndë traumatiko-hemoragjik, të krijuar nga plagët e rënda. Ndërsa Besim Çerja ka vdekur si pasojë e 8 plagëve në trup, kurse badigardi tjetër Zenel Neza, ka marrë katër plagë dhe ka shpëtuar falë mjekimit të shpejtë. Pas leximit të provave shkresore, nga akuza, seanca u mbyll, nga ku më pas u kërkua, që të sillen 11 dëshmitarë në seancën e ardhshme./tvklan.al

Gazetar – Eduart Frangaj