Kristian Mickoski, kreu i VMRO-DPMNE-së që fitoi bindshëm zgjedhjet e dyfishta presidenciale dhe parlamentare të Prillit dhe Majit në Maqedoninë e Veriut dorëzoi këtë të Martë në parlament listën me emrat e 20 ministrave të rinj të qeverisë që do të drejtohet prej tij.

Ajo që bie në sy është përfshirja në qeveri e përfaqësuesve të grupeve nacionaliste serbe në Maqedoninë e Veriut, që në zgjedhjet e 8 Majit u mbështetën edhe nga presidenti serb Aleksandër Vuçiç. Ndër ta është kreu i Partisë Demokratike të serbëve të Maqedonisë Ivan Stoilkoviç, i cili do të mbajë postin e zëvendëskryeministrit dhe ministrit për Marrëdhëniet me Komunitetet.

Mbahet mend një deklaratë e tij gjatë fushatës elektorale ku kritikon qëndrimin e qeverisë pro-perëndimore të ish-kryeministrit Dimitar Kovaçevski në mbështetje të rezolutës së Kombeve të Bashkuara, ku dënohej Serbia për vrasjen e 8 mijë djemve dhe burrave myslimanë në Srebrenicë.

“Diznilendi nekrofilik “Srebrenica”… Fakti që Aliu, Bujari dhe Artani kanë marrë guximin që ta ngrisin nivelin e armiqësisë drejt Serbisë dhe popullit serb në nivel më të lartë në kundërshtim me vullnetin e popullit maqedonas flet qartë se sa poshtë ka ra Maqedonia dhe shtetësia e saj”.

I njohur edhe për takimet e shpeshta me Vladimir Putinin, Stoilkoviç ka kritikuar shpesh qeverisjen e LSDM-së se ua ka lënë në dorë shqiptarëve politikëbërjen e Maqedonisë së Veriut, ndërsa është shprehur edhe kundër njohjes së pavarësinë e Kosovës.

“Sa i përket neve serbeve të Maqedonisë, ne do i qëndrojmë asaj fjalisë që ka ndalë që nga koha e betejës për mbrojtjen së Kosovës: Për ne është Serbi! Do të qëndrojmë kësaj qasjeje”.

Një tjetër ministër me qasje jo-miqësore ndaj shqiptarëve është edhe ai i Sporteve, Borko Ristovski, i cili është xhiruar nëpër video teksa këndonte në koret e tifozëve të hendbollit, këngë ku shqiptarët etiketoheshin si të mallkuar. Grupimi shqiptar VLEN, që është pjesë e koalicionit qeverisës me VMRO-DPMNE-në nuk i ka komentuar sjelljet e dy politikanëve nacionalistë serbë, ndërsa kritika të ashpra për emërimin e tyre si ministra bëri partia tjetër shqiptare Bashkimi Demokratik për Integrim.

Tv Klan