Burime për Klan News bëjnë me dije se Partia Socialiste ka tërhequr projektligjin për amnistinë penale që ishte parashikuar të kalonte ditën e sotme në parlament. Shkak për këtë veprim të mazhorancës është bërë përplasja me opozitën. Deri më tani nuk ka konsensus për amnistinë penale, një ligj që kërkon minimalisht 84 vota që të kalojë (Lexo më shumë).

Ditën e djeshme, Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, sqaroi për mediat se nuk ka amnisti për asnjë nga veprat që po hetohen dhe po gjykohen në Gjykatën e Posaçme. Ai tha se përjashtim ka vetëm për disa vepra të lehta që janë kundravajtje penale.

“Nuk ka amnisti nga ndjekja penale për asnjë nga çështjet dhe lënda që është sot në duart e Prokurorisë së Posaçme dhe Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm me përjashtim të disa veprave të lehta që janë kundravajtje penale”, tha ministri.


Kjo deklaratë e ministrit Manja u bë pas atyre të Lulzim Bashës, që për mediat tha se PD-ja nuk do të bëhet pjesë e manovrës, që sipas tij, synon lirimin dhe lehtësimin e zyrtarëve të korruptuar.

“PD nuk do marrë pjesë në seancën e nesërme parlamentare dhe padiskutim është pritshmëria jonë që askush të mos bëhet patericë e këtij akti korruptiv dhe kriminal që synon lirimin dhe lehtësimin e zyrtarëve të korruptuar, të hetuar, nën hetim, të akuzuar apo të dënuar nga Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar”, tha Basha.


Edhe kreu i grupit parlamentar të demokratëve, Gazment Bardhi, theksoi se nuk do ta votojë amnistinë (Lexo më shumë).

“Cilën amnisti?! Është kthyer në një akt tërësisht jo transparent, ku secili shton e heq sipas interesit të tij larg vëmendjes së publikut, jemi prej muajsh në një aksion brenda Kuvend dhe ky aksion do vijojë. Në parim, Amnistia është një akt i Kuvendit të Shqipërisë, do duhet të qëndrojë larg sherrnajave të politikës shqiptare, ka qenë gjithmonë akt konsensual, por s’ka pasur procedurë për të dalë me një draft të përbashkët dhe për të ofruar votimin”, tha Bardhi. 


Pavarësisht se Komisioni i Ligjeve dha dritën jeshile të martën, kalimi i amnistisë dukej i vështirë pikërisht prej mosdakordësisë mes opozitës dhe mazhorancës.

Basha ka deklaruar se PD do të ndryshojë mendim vetëm nëse PS “tërhiqet nga ky qëndrim i papranueshëm dhe skandaloz” duke kërkuar që të miratohen propozimet e opozitës për amnistim pa kusht të të gjithë protestuesve.

Ndërsa ministri Manja tha se pret reflektim nga opozita duke shtuar se amnistia po shfrytëzohet për axhenda të vogla politike.

“Pres reflektim dhe ndoshta edhe konfuzioni që u krijua nga dje dhe sot për këtë projektligj nuk dua ta besoj unë e shoh si një moment për ta shfrytëzuar axhenda të vogla politike”, tha ai një ditë më parë./tvklan.al