“Nuk ka amnisti nga ndjekja penale për asnjë nga çështjet dhe lënda që është sot në duart e Prokurorisë së Posaçme dhe Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm me përjashtim të disa veprave të lehta që janë kundravajtje penale”.

Kështu u shpreh këtë të mërkurë ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, në lidhje me amnistinë penale duke i kthyer në këtë mënyrë përgjigje edhe Lulzim Bashës (Lexo më shumë).

Ai foli për mediat pas mbledhjes së qeverisë për të qartësuar opinionin publik lidhur me projektligjin për amnistinë që të martën kaloi me miratimin e socialistëve në Komisionin e Ligjeve. Manja tha se amnistia ndahet në dy komponentë, amnisti nga dënimi dhe amnisti mbi ndjekjen penale.

“Nuk ka amnisti mbi ndjekjen penale për asnjë nga veprat që po hetohen dhe po gjykohen në Gjykatën Speciale. Amnisti mbi ndjekjen penale ka për të gjitha veprat penale që aktualisht janë në duart e prokurorisë apo sistemit gjyqësor dhe që dënohen deri në 2 vjet burgim, pra kundravajtje penale. Por edhe sa u takon kundravajtjeve penale, ka përjashtime. Nuk do të amnistohen nga ndjekja penale pavarësisht se janë kundravajtje veprat penale që kanë të bëjnë me nderin dhe dinjitetin e individit, apo me dhunën në familje, apo dhunën me bazë gjinore”, tha Ulsi Manja.


Sipas ministrit, amnistia ka disa parime mbi të cilat bazohet dhe disa nga to janë ai i humanizmit, parimi i arritjes së qëllimit të dënimit, parimi i mbrojtjes së interesit publik dhe parimi i eficencës së sistemit të drejtësisë.

“Kur flasim për amnisti mbi dënimin ka dy kategori të dënuarish, një kategori që përfitojnë nga amnistia dhe një kategori të dënuarish që nuk përfitojnë nga amnistia. Në këtë projektligj amnistie kategoria e të dënuarve që nuk përfitojnë nga amnistia mbi dënimin për shkak të kufizimeve që ka mbi veprat penale për të cilat ato janë dënuar nga drejtësia ne kemi ndjekur traditën e të gjitha amnistive, pra ne i zbresim 1 vit nga dënimi të gjithë të dënuarve burra dhe 1 vit e gjysmë të gjithë të dënuarve gra e të mitur. Ky ka qenë drafti që qeveria ka adresuar në Komisionin e Ligjeve”, sqaroi Manja.

Sipas Manjës, për këtë çështje ka pasur amendamente nga shumë deputetë. Një prej tyre sipas tij, ka qenë që në kategorinë e të dënuarve që nuk përfitojnë nga amnistia, por përfitojnë ulje të dënimit të përfshihet edhe kategoria e të dënuarve nga Gjykata e Posaçme me vendim të formës së prerë.

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja

“Argumenti i Komisionit dhe i deputetëve në Komisionin e Ligjeve ka qenë që nëpërmjet këtij rregulli të përgjithshëm dhe këtij parimi kushtetues të sigurohet neni 18, pika 1 e Kushtetutës, barazia para ligjit sepse i njëjti i dënuar, i dënuar me të njëjtën vepër, me të njëjtën masë dënimi nga gjykata e juridiksionit të përgjithshëm i ulet me 1 vit për burrat dhe 1 vit e gjysmë për gratë e të miturit, dhe i njëjti i dënuar për të njëjtën vepër me të njëjtën masë dënimi nuk përfiton nga ulja e dënimit thjesht dhe vetëm se është dënuar nga Gjykata e Posaçme. Më lejoni t’ju them amnistia është mbi dënimin dhe mbi veprat dhe nuk lidhet me kompetencat e gjykatës me të cilën është dënuar personi”, tha Manja.

Më tej ai sqaroi se “ekspertiza e Komisionit të Ligjeve që kujdeset ky komision edhe për të siguruar parimet e tjera kushtetuese që lidhen me amnistinë dhe ku parimi i barazisë para ligjit është parim themelor kushtetues ne dhamë dakordësinë për këtë amendament. Por kjo nuk do të thotë se jemi refraktarë në këtë drejtim sepse qëllimi jonë ka qenë i qartë me draftin që kemi çuar në Komisionin e Ligjeve”.

Si është përgjigjur opozita?

Në lidhje me këtë çështje ka pasur një reagim nga Lulzim Basha. Nëpërmjet një deklarate për shtyp, të cilën Manja tha se nuk e ka dëgjuar, Basha u shpreh se amnistia penale e miratuar nga PS-ja amniston zyrtarët e korruptuar dhe godet punën e drejtësisë.

“Dua ta bëj fare të qartë që PD jo vetëm nuk do të jetë pjesë e kësaj manovre të fëlliqur, por do të bëjë gjithçka brenda dhe jashtë vendit për të treguar dhe faktuar se kërcënimi kryesor ndaj avancimit të Reformës në Drejtësi dhe në luftën ndaj pandëshkueshmërisë sot është Edi Rama dhe qeveria e korruptuar”, u shpreh ai.


Një ditë më parë u fol se socialistët kanë integruar edhe disa propozime të deputetëve opozitarë, mes tyre edhe ato të Bledion Nallbatit, por ky i fundit e mohoi këtë.

“Amendamenti që përflitet për shfuqizimin e pikës 2 të nenit 5 është një propozim apo ndryshim i bërë nga relatori i PS z. Plarent Ndreca. Asnjë deputet i Grupit Parlamentar të PD nuk ka votuar pro projektligjit në Komisionin e Ligjeve. Çdo mekanizëm, çdo keqinformim apo keqpërdorim, çdo tentativë e mazhorancës duke dezinformuar edhe median është e papranueshme dhe nxjerr në pah se amnistia e propozuar prej tyre nuk ka qëllim të përfshijë shtresat që kanë nevojë, por synon të përdoret si mburojë për zyrtarët e korruptuar”, tha ai në një reagim.

Kuvendi i Shqipërisë

A do të mblidhen 84 vota?

“Ligjet” dhanë dritën jeshile të martën. Kjo i hapi rrugën që projektligji për amnistinë penale të kalojë për shqyrtim të enjten në parlament (Lexo më shumë).

Që ajo të miratohet duhen 84 vota. Aktualisht shumica socialiste nuk i ka ato. Nuk dihet nëse deri nesër do të arrihet një dakordësi me grupimin e Lulzim Bashës. Gjasat duken të pakta, pasi sot Basha tha se deputetët e PD-së nuk do të marrin pjesë në seancën e nesërme parlamentare pasi projektligji synon lirimin dhe lehtësimin e zyrtarëve të korruptuar nën hetim, të akuzuar apo dënuar.

“PD nuk do marrë pjesë në seancën e nesërme parlamentare dhe padiskutim është pritshmëria jonë që askush të mos bëhet patericë e këtij akti korruptiv dhe kriminal që synon lirimin dhe lehtësimin e zyrtarëve të korruptuar, të hetuar, nën hetim, të akuzuar apo të dënuar nga Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar”, tha ai.

Edhe kreu i grupit parlamentar të demokratëve, Gazment Bardhi, theksoi se nuk do ta miratojë amnistinë (Lexo më shumë).

“Cilën amnisti?! Është kthyer në një akt tërësisht jo transparent, ku secili shton e heq sipas interesit të tij larg vëmendjes së publikut, jemi prej muajsh në një aksion brenda Kuvend dhe ky aksion do vijojë. Në parim, Amnistia është një akt i Kuvendit të Shqipërisë, do duhet të qëndrojë larg sherrnajave të politikës shqiptare, ka qenë gjithmonë akt konsensual, por s’ka pasur procedurë për të dalë me një draft të përbashkët dhe për të ofruar votimin”, tha Bardhi. 


E vetmja mënyrë për të kaluar ligji, sipas Bashës, është tërheqja e mazhorancës nga ky qëndrim dhe nëse pranohen propozimet e opozitës për të amnistuar pa kusht të gjithë protestuesit.

“Nëse ka një tërheqje nga ky qëndrim i papranueshëm dhe skandaloz dhe nëse propozimet tona për amnistimin pa kusht të të gjithë protestuesve do të pranohen, sigurisht PD në funksion të interesit më të mirë publik dhe në transparencë të plotë do të rishikojë vendimin e saj”, u shpreh Basha.

Ndërsa ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, tha se amnistia penale duhet të shihet si një akt humanizmi dhe mëshire për të këtë kategori personash. Ai shtoi më tej se pret reflektim nga opozita ndërsa theksoi se nuk do që ta besojë se konfuzioni që u krijua për këtë projektligj po shfrytëzohet për axhenda të vogla politike.

“Unë shpresoj dhe besoj që secili nga deputetët e Kuvendit duke e konsideruar votën për amnistinë si një akt humanizmi dhe mëshire, që i japim një kategorie të caktuar të shoqërisë tonë që edhe pse janë të dënuar janë pjesë e jona, t’u japim mundësinë të kthehen pranë familjeve të tyre. Pres reflektim dhe ndoshta edhe konfuzioni që u krijua nga dje dhe sot për këtë projektligj nuk dua ta besoj unë e shoh si një moment për ta shfrytëzuar axhenda të vogla politike. Do isha i kënaqur nëse projektligji do merrte votat e 140 deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë”, tha ai./tvklan.al