obama - putin

Presidenti amerikan Barack Obama dhe homologu i tij rus Vladimir Putin kanë zhvilluar një takim dypalësh me dyer të mbyllura në Paris, ku janë mbledhur për Konferencën e OKB-së për klimën.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov, njoftoi se takim ka zgjatur 30 minuta dhe dy presidentët kanë mbështetur idenë për arritjen e një zgjidhjeje politike në Siri.

Sipas Agjencisë së Lajmeve Bloomberg, Obama ka ritheksuar se është e nevojshme që Assad-i të largohet nga pushteti dhe të përqëndrohen forcat ushtarake në luftën kundër ISIS.

Mësohet se në këtë takim është biseduar edhe për krizën në Ukrainë. Obama ka nënvizuar se nevojitet një zgjidhje diplomatike dhe duhet zbatuar marrëveshja e Minskut.

Nga ana tjetër, Zëdhënësi i Kremlinit Peskov, njoftoi se nuk do të ketë një takim midis presidentit rus Putin dhe atij turk Erdoan. Kjo si pasojë e tensioneve të larta në marrëdhëniet mes Moskës dhe Ankarasë për çështjen e rrëzimit të avionit rus pranë kufirit turko-sirian, më 24 Nëntor.

Presidenti rus, Vladimir Putin, foli për pasoja serioze në marrëdhëniet mes Rusisë dhe Turqisë, duke e cilësuar një “thikë pas shpine”, rrëzimin e avionit ushtarak rus. Ai ka firmosur gjithashtu një dekret ku parashikohen një sërë masash ndaj Turqisë, në sektorin e biznesit, turizmit, si edhe ka rivendosur regjimin e vizave me Ankaranë. Kremlini konsideron se Turqia duhet të kërkojë ndjesë.

Tv Klan