Obama_0c245_image_1024w1Për presidentin amerikan Barak Obama, marjuana nuk është më e rrezikshme se alkooli. Këtë deklaratë ai e bëri gjatë një interviste të gjatë për revistën amerikane “The New Yorker Magazine”. Teksa në Shtetet e Bashkuara debati për legalizimin e Marijuanës po bëhet edhe më i gjerë me shtimin e shteteve federale që e kanë legalizuar ose po ndërmarrin hapa drejt legalizimit për qëllime mjekësore por edhe rekreative, Obama lë të kuptohet në këtë intervistë se nuk është kundër një gjëje të tillë. Presidenti amerikan, gjatë intervistës për revistën Nju Jorker thotë se në rininë e tij kishte tymosur jo pak herë marjuanë. Sipas tij, nuk ka ndonjë dallim të madh mes tymosjes së marjuanës dhe cigareve të zakonshme. Këtu ai bën edhe krahasimin me alkolin. Megjithatë, për presidentin amerikan, nuk mund të thuhet se konsumi i marjuanës nuk është një ves i keq. Ndaj dhe ai nuk do t’ia rekomandonte kurrësesi vajzave të tij. Por për Obamën, duhen rishikuar dënimet për konsumatorët e lëndëve narkotike, edhe për vetë faktin se vetë ata që bëjnë këto ligje, jo rrallë herë janë konsumatorë.

Presidenti amerikan tha se ishte e rëndësishme që shtetet federale të vijojnë punën për zgjidhjen e kësaj çështjeje të komplikuar. Deri më tani Uashingtoni e Kolorado kanë lejuar përdorimin e marjuanës për qëllime mjeksore por edhe për konsum të zakonshëm.