BE shtoi kontrollet për eksportin e vaksinave

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka kritikuar Bashkimin Evropian për shtimin e kontrolleve ndaj eksportit të vaksinave që prodhohen brenda unionit. Sipas OBSH-se, një masë e tillë nuk bën gjë tjetër veçse e zgjat pandeminë.

Bashkimi Evropian i ka prezantuar këto masa për shkak se kompanitë prodhuese të vaksinave kanë raportuar mungesa të theksuara të produktit të tyre dhe nuk kanë respektuar kontratat e furnizimit me disa nga shtetet.

Ishte zv. drejtoresha e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Mairangela Simao, që e quajti nismën e Bashkimit Evropian për të shtuar kontrollet e shpërndarjes së vaksinave “një trend shumë shqetësues”.

Ndërkohë Bashkimi Evropian ka vendosur t’i shtojë kontrollet e eksporteve të vaksinave, përmes të ashtuquajturit mekanizmi i transparencës, që i jep vendeve të BE-së të drejtën për të ndaluar eksportin e vaksinave, nëse kompania prodhuese nuk i ka plotësuar detyrimet e furnizimit brenda unionit.

Tashmë sipas rregullave të reja, kompanitë prodhuese të vaksinave duhet të kërkojnë një leje të posaçme në mënyrë që të kenë mundësi të prodhojnë doza për t’i shitur jashtë Bashkimit Evropian. 27 vendet anëtarë do të kenë mundësi të kryejnë kontrolle për eksportin e vaksinave.

Tv Klan