Organizata Botërore e Shëndetësisë ka shpallur të mërkurën linë e majmunëve si emergjencë globale për shëndetin publik. Ky vendim pas përhapjes së virusit në Republikën Demokratike të Kongos, si dhe në vendet fqinje, sikurse në Burundi, Kenia, Ruandë dhe Ugandë.

Lia e majmunëve përhapet përmes kontaktit të ngushtë. Zakonisht përcillet me simptoma të buta, por në disa raste, virusi mund të jetë fatal për njeriun. Virusi përcillet me simptoma sikurse ato të gripit, si dhe me puçrra të mbushura me qelb nëpër trup. Një variant i ri i lisë duket se përhapet më lehtë nëpërmjet kontaktit të ngushtë, përfshirë marrëdhëniet seksuale.

Shpallja e një sëmundjeje si emergjencë globale për shëndetin publik, synon të përshpejtojë hulumtimet, burimet financiare dhe masat e shëndetit publik dhe të merren masa në nivel global për të parandaluar përhapjen virusit.

“Është e qartë që një përgjigje e koordinuar ndërkombëtare është thelbësore për t’i ndalur këto shpërthime, dhe për të ruajtur jetë”, ka thënë kreu i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus.

Qendra për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve në Afrikë ka thënë se vetëm këtë vit kontinenti i ka regjistruar 17.000 raste të infektimit me linë e majmunëve, dhe 517 vdekje. Deri më tani, 17 shtete kanë raportuar raste të infektimit me këtë virus.

Kjo është hera e dytë brenda 2 viteve që OBSH shpall linë e majmunëve si emergjencë globale për shëndetin publik. Më 2022 ishte përhapur një variant tjetër i këtij virusi.

Klan News