Të ftuar:

Spartak Koka,

Etleva Delia,

Robert Aliaj,

Amarda Gashi,

Kreshnik Almadhi,

Nora Malaj,

Ervin Hodaj,

Refxhei Tola

Nuk bëhet fjalë më për përdorimin e kanabisit, por për drogat e forta, kokainë, heroinë dhe përzierje të tjera të cilat po kthehen në një standard ose normë në lokalet e natës në kryeqytet dhe në përgjithësi në jetën e natës. Por sa emergjencë është kthyer droga tek të rinjtë dhe sidomos në lokalet, që nuk respektojnë rregullat minimale të ligjit, si për shembull, mos konsumimi i alkoolit në një moshë të caktuar që e parashikon ligji, apo mbajtja larg e shpërndarësve të drogës. 

Sipas të dhënave që ka siguruar emisioni “Opinion”, që transmetohet në Televizionin Klan dhe që është duke e hetuar për të shkuar më tej, disa lokale të rëndësishme të jetës së natës në kryeqytet, më shumë sesa fitimet që vijnë nga konsumimi i pijeve dhe i biletave të hyrjes, i nxjerrin fitimet e tyre duke i shndërruar lokalet në zona masive të tregtimit të drogës. Pra, janë kthyer në qendrat kryesore të shpërndarjes së drogës, ku nuk ka asnjë kriter që lidhet me moshën. Pra, po tentojnë të tërhiqen në jetën e drogës edhe të rinjtë.

Sa emergjente është droga në Shqipëri? “Opinion” u fokusua tek jeta e natës, pasi aty është më evidente. Por edhe konsumimi i drogave nga adoleshentë në shkolla dhe në ambientet e tjera. Stafi i emisionit u fokusua tek jeta e natës, bazuar dhe tek aksionet e fundit të policisë. Është një temë shumë e prekshme, sa i takon të ftuarve në studio, i takon dhe secilit prej nesh, prindërve, mësuesve dhe secilit, që në jetën e përditshme ka të bëjë me adoleshentët dhe të rinj që mund të jenë preja e parë dhe kryesore e një prej sëmundjeve më të mëdha të shekullit të ’20, pra drogës.

Artisti Robert Aliaj, i ftuar në emisionin Opinion në TV Klan, në lidhje me shitjen dhe konsumimin e drogës në jetën e natës në Tiranë, ka theksuar  se në kryeqytet ekzistojnë disa pika të ndryshme shitje kokaine. Aliaj ka theksuar se për arsye të një projekti, ne realizuam një test, në shumë pika të ndryshme të Tiranës  ku mund të blihej kokainë. Ai tha se në çdo pikë, ne blemë nga një gram drogë dhe në kryeqytet, sipas tij, ekzistojnë rreth 15 pika të tilla. Sipas tij, një gram kushtonte rreth 100 dollarë, por arsyeja e këtij projekti, ishte fakti për të verifikuar cilësinë e kësaj lënde narkotike që u shitet të rinjve në lokalet e natës. “Nga të dhënat e laboratorit ku ne dërguam sasinë e blerë të kokainës, na rezultoi se vetëm 30% e saj ishte kokainë, pjesa tjetër ishte lëndë e ndryshme, që përbëhej nga aspirinat dhe pluhur neoni”.

I ftuar në këtë panel, ka qenë edhe Ervin Hodaj, Drejtor i Policisë në Tiranë, i cili tha se nga konstatimet e policisë; droga konsumohet në 50 lokale nate në kryeqytet, shkruan opnion.al. “Normalisht Tirana është qendra më e madhe urbane e Shqipërisë dhe ka probleme të tilla. Është problem si çdo qendër e madhe, siç çdo metropol. Lokalet e natës, pra jeta e natës në Tiranë është jeta më e madhe në gjithë Shqipërinë. Policia ka një statistikë në lidhje me lokalet e natës. I ka të evidentuara të gjithë jo vetëm për këtë fenomen por edhe për problematika të tjera. Sipas statistikave ka rreth 50 lokale nate në të gjithë Tiranën. Operacionet që ne bëjmë në lokalet e natës vijnë me informacione konkrete, nuk janë kontrrolle sporadike, nuk janë kontrolle rutinë. Zakonisht në lokale nuk kapen sasi të mëdhaja. Vijnë sipas kërkesës së klientit dhe janë në sasi të vogla”, është shprehur Hodaj. 

Kreshnik Alimadhi, specialist në Drejtorinë e Policisë Tiranë, ka theksuar në Opinion, në lidhje me debatin për shitjen e drogës në lokalet e natës në kryeqytet, se asnjë vend nuk mund të konsiderohet totalisht i pastër nga një fenomen i tillë. Alimadhi theksoi se përdoruesit e drogërave në Tiranë ekzistojnë dhe si rrjedhojë e tyre ka edhe shitje të lëndës narkotike. Ai bëri me dije se një fakt i tillë nuk mund të mohohet, pasi dhe numri i konsumatorëve është në rritje. “Këto janë disa raste sporadike dhe policia ka një strategji tani për momentin, ata që janë shpërndarës, çështjet ndaj tyre janë në hetim, si dhe 1.kg kokainë është kapur dhe një çështje e tillë është në hetim. Në lidhje me lokalet e natës që ushtrojnë apo dyshohen se ushtrojnë veprimatari të tillë, do merret një operacion nga policia e shtetit, për të ushtruar kontrolle në ato subjekete”.

Gazetari Spartak Koka ka theksuar se kokaina fillon të shitet vazhdimisht në Tiranë. Pavarësisht aksionit të fundit në kryeqytet, ku u kapën 2.kg kokainë që u shiste në fundjavë, sipas tij, ajo përsëri vazhdon të jetë trend. Koka tha se problemi në lidhje me këtë fakt, është tek kontrolli i institucioneve përkatëse. Ai, bëri me dije, se duhet të fillohet nga të gjitha hallkat e tjera ligjore që kanë këto lokale, ku rezultohet me shkresa, që një pjesë e lokaleve ushtrojnë aktivitet të paligjshëm dhe pa leje nga Bashkia e Tiranës. “Të paktën sipas Bashkisë asnjë lokal nuk është i pajisur me leje ushtrim aktiviteti. Në 2014 ne kemi patur një shkresë të Policisë së Tiranës,i cili sigurisht është implementuar edhe në 2015,ku thoshte: Që persona të ndryshëm, me aktivitet kriminale të cilën nën mbrojtjen e strukturave të policisë. Informacionet flasin se një pjesë e tyre mbrohen nga një pjesë e strukturave të Policisë, ose informohen prej tyre në rast se ka operacionet. Pra vështirësia e kapjes së drogës në ambientet e lokaleve vjen si pasojë e një rrjeti bashkëpunëtorësh brenda strukturave të policisë, të niveleve të ndryshme që mund të bëjnë tek administratorët apo menaxher njoftimin se do të vij policia, çka i bëjnë të frenojnë shitjen e lëndëve narkotike”, është shprehur Saprtak Koka.

Psikologia Amarda Gashi, ka theksuar në Opinion, se kohëve të fundit janë shtuar rastet e ardhjes në spital të pacientëve që konsumojnë drogë të fortë. Gashi theksoi se sa i përket stimulantëve, ku futet edhe kokaina ka një dyfishim të përdoruesve, të paraqitur në shërbimin tonë që kanë kërkuar ndihmë. 

Gjimnazistja Refxhei Tola, u shpreh në Opinion, se bashkëmoshatarët e saj në gjimnazet e Tiranës; konsumojnë drogë. Sipas saj, droga tanimë është kthyer në trend, kjo për disa arsye: “Në vitin e dytë ka të rinj që përdorin kokainë. Ka sepse mjediset e gjimnazeve kryesisht, sapo del nga shkolla janë të ekspozuar nga ky fenomen. I cili tashmë është kthyer edhe në trend, ata që e kanë janë personat më vip të shkollës, janë kryesisht të veshur nga një famë e rem. Shihen si modele më interesant sepse përdorin drogën. Është një fenomen që vjen gjithnjë e më shumë në rritje. Pikërisht janë modelet që na serviren, muzikantë, këngëtarë, të cilët edhe klipet e tyre i bëjnë në këto forma”, është shprehur Refxhei Tola.

Gazetarja Etleva Delia, në lidhje me shitjen e drogës në Tiranë, ka theksuar se problemi nuk qëndron në ato pikat e shtijes që dihen në kryeqytet, por tek dhjetra të tjera që ende nuk janë zbuluar nga institucionet përkatëse. Delia tha se ka mjedise ku kinse ekzistojnë si lokale nate ku këndohet muzikë tallava, me vajza që luajnë rolin e balerinës, por realisht ato janë thjesht vajza që ushtrojnë prostitucion, si dhe mjedise të tilla, janë shndërruar në pika shitje të drogës në kryeqytet. Ajo, vuri në dukje, se kam pas raste kur jam nisur për të bërë një punë dhe jam kthyer në rrugë, se më ka dalë një punë tjetër, pikërisht për arsye të shumë denoncimeve nga qytetarë të ndryshëm. Deliaj ka treguar se disa gra në një lagje të Tiranës më ndalën dhe më thanë se tek një lokal pranë banesës së tyre ushtrohet prostitucion, si dhe shitet drogë. Gazetarja tregon se problemi më i madh i tyre, ishte edhe fakti, se aty nuk merret vesh se kush hynë dhe del aty. Ajo theksoi se si ai lokal, ka edhe shumë të tjerë në zona të ndryshme të kryeqytetit.

Zv/ministrja e Arsimit, Nora Malaj, e ftuar në emisionin Opinion në TV Klan, në lidhje me konsumimin e drogërave nga adoleshentët shqiptar, ka bërë me dije se ky fakt, është një nga problemet e mëdha të shoqërisë shqiptare. Malaj tha se përdorimi i drogërave nga ata, në lidhje me raportet e individit, shkollës dhe shoqërisë, përbën një problematikë shumë të sofistikuar dhe shumë të vështirë. Ajo theksoi se në njërin nga anketimet, së bashku me ISHP, për të ndërtuar një strategji të re dhe në raport me punonjësit e policisë, për parandalimin, riedukimin dhe integrimin e kësaj kategorie, u bë një anketim, i cili u shtri në të gjithë Shqipërinë, duke filluar nga 9-vjeçaret, të mesmet dhe universiteti. Sipas saj, ky anketim rezultoi se fëmijët ose nxënësit e shkollave 9-vjeçare, bëhen elementi i parë i tendencave për të filluar përdorimin e lëndëve narkotike. Malaj tha, në lidhje me këtë fenomen, ekzistojnë të paktën shtatë arsye.

Në fund, gazetari Blendi Fevziu premton se në të ardhmen do të ndërtojë një emision vetëm për efektet shkatërruese që sjell droga.

 “

Do të mundohemi ta ndërtojmë përmes shembujve konkretë, nuk ka rëndësi nëse identifikohen ose jo”.

“Nëse doni të jeni të suksesshëm, nëse doni të bëni një karrierë, të jeni pjesë e shoqërisë, kurrë mos u tundoni nga droga, sepse tundimi i përkohshëm, sidomos në momentet e para të adoleshencës dhe të rinisë, kur duket sikur ju tregon ‘tredi’ në njëfarë mënyrë iu hedh tutje nga çdo mundësi për të qenë të suksesshmen në jetën e më pas. Shmanguni, sepse nëse ka një prej atyre fatkeqësive, që i përqasen në mënyrë të bukur në jetën e njeriut është varësia nga droga, që është një fatkeqësi që nuk e kupton në momentin e parë, por që e vuan më pas gjithë jetën”, u shpreh ai.