#Opinion | Emision politik live nga #BlendiFevziu në #TvKlan

I ftuar: Edi Rama

Pse nuk shkon në parlament? Rama: Do jem më pak i angazhuar në politikën e llafeve të përditshme

Kryeministri Edi Rama zhvilloi këtë të enjte një intervistë në emisionin “Opinion”. Ai iu përgjigj pyetjes së Blendi Fevziut se pse nuk shkon në parlament. Kreu i qeverisë u shpreh se do të jetë më pak i angazhuar “në politikën e llafeve të përditshme”.

Blendi Fevziu: Pse nuk shkoni në parlament?

Edi Rama: Tani faleminderit për këtë pyetje sepse ma ha mendja që është një vend i duhur dhe audienca e duhur për të dhënë një shpjegim në shumë pak kohë. Unë e kam thënë më parë se të fillonte kjo zallamahi që kur filloi viti që kemi hyrë që do të jem shumë më i përqendruar tek punët e përditshme dhe shumë më pak i angazhuar në politikën e llafeve të përditshme. Ndërkohë dua të them që jam angazhuar me zell të madh dhe me zjarr të madh për vite të tëra edhe në atë parlament, por besoj që pa dashjen time jam bërë edhe unë pjesë e diçkaje që është një hall i madh dhe një shqetësim i madh për gjithë publikun. Ndihem edhe bashkëfajtor në këtë gjë. Bashkëfajtor në gjithë atë skenë e cila është larg së qeni e denjë për ata që na japin ne besimin. Dhe për këtë arsye unë nuk kam më disponim që të hyj dhe të dal në politikën e përditshme si në një fushatë elektorale. Në fushatë elektorale nuk e zgjedh kë ke përballë dhe do ta bësh atë luftën tënde. Ndërkohë që në ditët e tjera të jetës dhe të javës dhe të muajit, angazhimi im do të jetë krejt i ndryshëm për të shlyer sadopak atë njollë bashkëfajësie për gjithë atë degradim dhe degjenerim që nuk e meritojnë shqiptarët.

Blendi Fevziu: Zoti Rama ju E keni detyrim kushtetues që të shkoni në parlament, ju e keni detyrim kushtetues që ti përgjigjeni parlamentit dhe mbi të gjitha nuk jeni ju që e vendosni kush është opozita. Së paku jo tani së fundmi. Nuk e vendosni si duhet të sillet opozita, duhet të jetë e zhurmshme apo jo. Ju keni detyrimin t’i përgjigjeni parlamentit. Është i mirë apo keq, e vendos votuesi pastaj.

Edi Rama: Unë nuk vendos se si do të sillet opozita, por vendos se si duhet të sillem vetë.

Rama: Do shkoj në Parlament kur e shoh unë të arsyeshme

Kryeministri i vendit Edi Rama deklaroi mbrëmjen e sotme në “Opinion” në Tv Klan se do të shkojë në Parlament kur ai ta shohë të arsyeshme.

Rama theksoi se do të jetë i rezervuar jo vetëm në Parlament por, edhe në politikën e përditshme.

Blendi FevziuPse nuk shkoni në Parlament? Ju e keni detyrim kushtetues të shkoni në Parlament dhe t’i përgjigjeni.

Edi Rama: Kur fola për ça fola nuk kisha parasysh fryrjen e bilbilave por kisha parasysh një vijë të gjatë dhe të pambarimtë sjelljeje që është në nivelin më të ulët të edukatës. Unë flas për qëndrimin tim, unë do shkoj në Parlament kur e shoh unë të arsyeshme.

Blendi Fevziu: Por e keni detyrim. Nëse se shihni të arsyeshme gjatë gjithë vitit, nuk do të shkoni?

Edi RamaUnë nuk flas me nëqoftëse por, me faktin e thjeshtë që më vjen turp dhe realisht turp që nuk kam mundur të ndikoj në ndryshimin e kësaj situate që ka vite dhe përkundrazi jam bërë dhe unë pjesë e se është ajo shprehja “kush fle me qenin gdhihet me pleshta”. Do jem shumë i rezervuar në raport me politikën e përditshme.

Blendi Fevziu: Belind Këlliçi përshembull është përjashtuar nga Parlamenti pa folur fare.

Edi Rama: E para unë nuk përjashtoj deputetë, nuk jam anëtar i komisionit përkatës dhe mazhoranca nuk është një trupë që bashkohet për të përjashtuar njerëz, por besoj që nuk ka shqiptar normal që nuk pajtohet me përjashtimin e tyre.

Tensionet në parlament, Rama në Opinion: Në një situatë zoologjike unë nuk kam fare punë

Situatë zoologjike e quan Kryeministri Edi Rama situatën në parlamentin e Shqipërisë. Në intervistën për gazetarin Blendi Fevziu, në studion e emisionit Opinion, Rama tha se në parlament janë dy grupe që nuk lenë të flasin njëri-tjetrin, duke iu referuar opozitës dhe në fund sipas tij e ha shumica.

Edi Rama: Unë jam Kryeministri që kam qenë më shumë në parlament nga të gjithë kryeministrat e tjerë. Jam njeriu që jam angazhuar në debat dhe e thashë, duke pa dashje, u përfshirë edhe në situata, apo edhe në shkëmbime për të cilat nuk jam fare krenar. Nga ana tjetër unë nuk kam refuzuar të shkoj në një mocion me debat, unë do të shkoj në mocione me debat, jo për opozitat, por do të shkoj sepse e shoh të arsyeshme të shkoj për të komunikuar me zgjedhësit. Por mua nuk më detyron askush me forcë dhe për më tepër unë nuk jam sot ai që kam qenë vite më parë, kam të gjithë eksperiencën e mjaftueshme që të kuptoj që në një situatë zoologjike unë nuk kam fare punë dhe s’kam çfarë të bëj fare.

Ç’domethënë situatë zoologjike? Ju kryeministri e Shqipërisë e quani kopsht zoologjik parlamentin e Shqipërisë?

Edi Rama:  Situatë zoologjike… Po-po-po. E them dhe e them me keqardhje dhe me një ndjenjë bashkëfajësie. Një situatë zoologjike ku siç e patë herën e kaluar ku pretendohej që unë të shkoja të jepja përgjigje dhe unë në fakt kisha bërë atë që është bërë rëndom edhe më parë e kisha deleguar interpelancë në fjalë. Por siç e patë aty janë dy grupe që nuk lënë njëra-tjetrën që të flasin dhe pastaj kush e ha është grupi i tretë që është dhe shumica.

Rama: Opozita është arratisur nga detyra prej vitesh dhe është shpërbërë rrugës

Kryeministri i vendit Edi Rama tha mbrëmjen e sotme në emisionin “Opinion” në Tv Klan se opozita është “arratisur” nga ushtrimi i detyrës së saj prej vitesh.

Blendi Fevziu: U përjashtuan 4 deputetë të Partisë Demokratike me vendim të Alibeajt dhe zonja Nikolla i ka nxjerrë nga grupi duke i përjashtuar.

Edi Rama: Nuk e di fare ça bëjnë ata.

Blendi Fevziu: Po me ça të drejte, ka një procedurë.

Edi Rama: S’janë pyetje për mua fare sepse unë nuk merrem me të drejtat dhe shkeljen e të drejtave të grupit tjetër. Unë u kam borxh qytetarëve, njerëzve që më kanë besuar dhe të gjitha familjeve shqiptare që edhe nëse nuk më kanë besuar, që të mos jap dhe unë kontributin tim në atë degradim zoologjik  të Kuvendit të Shqipërisë.

Blendi Fevziu: A ju duket normale që në një vend demokratik 14 deputetë përjashtohen dhe rrezikon të shkoni në zgjedhje vetëm?

Edi Rama: Nuk ka asnjë pengim të opozitës në ushtrimin e detyrës së saj, opozita është arratisur nga detyra prej vitesh. Një opozitë në arrati që ka ikur nga detyra dhe është shpërbërë rrugës dhe tani ka kacafytje të brendshme dhe e ka transferuar a thua se është halli i gjithë shqiptarëve se kush e ka vulën dhe firmën.

A duhet të regjistrohet opozita e drejtuar nga Sali Berisha në zgjedhje?

Gjatë intervistës që po zhvillon në emisionin “Opinion” kryeministri Edi Rama iu përgjigj edhe pyetjes nëse mendon se opozita e drejtuar nga Sali Berisha duhet të regjistrohet në zgjedhje. Rama u shpreh se çështja e vulës së PD-së është çështje e gjykatës. Ai theksoi se Partia Socialiste nuk ka lidhje se kush shkon në zgjedhje, por do të japë alternativën e saj.

Blendi Fevziu: Unë po ju pyes si qytetar i republikës së Shqipërisë. A mendoni ju që opozita duhet të hyjë në zgjedhje dhe të regjistrohet ajo opozitë që është atje?

Edi Rama: Ç’domethënë të regjistrohet ajo opozitë që është atje?

Blendi Fevziu: Të marrë pjesë në zgjedhje.

Edi Rama: Cila është opozita atje?

Blendi Fevziu: Opozita e përfaqësuar nga PD, e drejtuar nga Sali Berisha.

Edi Rama: Kjo është një çështje që në dijeninë time është në gjykatë.

Blendi Fevziu: Derisa gjykata të japë një përgjigje ata mund të mos hynë fare në zgjedhje.

Edi Rama: Është një çështje e gjykatës.

Blendi Fevziu: Dhe mund të mos regjistrohet asnjëra palë.

Edi Rama: Nuk është fare tema ime kjo.

Blendi Fevziu: Si do shkoni ju në zgjedhje pa opozitë?

Edi Rama: Ne nuk kemi lidhje se kush shkon në zgjedhje. Zgjedhjet janë një ofertë. Pra populli përmes Kushtetutës hap garën dhe pret ofertat. Ne do shkojmë atje me ofertën tonë siç kemi shkuar gjithmonë. Nëse dikush thotë që nuk kam ofertë sepse nuk kam vulë, tjetri thotë nuk kam ofertë se nuk kam firmë, tjetri thotë se nuk kam ofertë se bëj se nuk kam këtë po hallin e ka diku tjetër kjo është punë e tyre. Kjo nuk është një bisedë për mua këtu.

Edi Rama shpjegon në “Opinion” si e njeh Charles McGonigal

Në studion e emisionit Opinion, Kryeministri Edi Rama ka folur mbrëmjen e kësaj të enjteje për rrethanat me të cilat është takuar me ish-zyrtarin e FBI, Charles McGonigal, i cili është në hetim nga autoritetet në SHBA.

Si u gjend në zyrën tuaj ky zyrtar i FBI zoti Rama?

Edi Rama: Siç gjenden të gjithë zyrtarët e të gjitha shteteve në zyrën time.

Në këtë rast ambasada çon një letër që thotë po mbërrin në Shqipëri finali, i dhe i lutet Kryeministrit që brenda axhendës…

Edi Rama: Jo nuk është e vërtetë. Ambasada e SHBA përfaqëson Departamentin e Shtetit. FBI është komplet gjë tjetër nga DASH. CIA është komplet gjë tjetër nga FBI dhe DASH.

Po kur ka ardhur drejtori i CIA, ka qenë i shoqëruar nga Ambasadori i SHBA në Tiranë.

Edi Rama: Është zgjedhja e secilit prej tyre, nuk është aspak zgjedhje e ime, apo nuk është detyra ime t’ju them që kalo nëpërmjet ambasadës.

E kërkoi zoti McGonigal takimin apo dikush tjetër?

Edi Rama: Ai personalisht.

Rama: Nuk ka asnjë shans të ngrihet komision hetimor për çështjen “McGonigal”

Kryeministri i vendit Edi Rama deklaroi mbrëmjen e kësaj të Enjte në “Opinion” në Tv Klan se komisioni hetimor që PD kërkon të ngrejë për çështjen “McGonigal” nuk ka asnjë shans të pranohet.

Rama theksoi se opozita nuk mund ta përdorë Parlamentin si një hapësirë manipulimi për çështje të kësaj natyre, pa pasur asnjë bazë.

Blendi Fevziu: Pse nuk ja tregoni komisionit hetimor parlamentar se s’keni asnjë lidhje me çështjen McGonigal? Opozita pretendon se ju jeni i kapur në këtë çështje.

Edi Rama: Nuk kemi arritur në pikën që unë pretendoj që ju merreni me trafik droge dhe unë dua t’ju hetoj. Po sjemi nëkëtë pikë, kjo ndodhte në kohën e diktaturës. Që ngrihej akuza dhe pastaj kërkoheshin provat.

Blendi FevziuJo, komisioni parlamentar është politik më shumë, me këtë merret.

Edi RamaMë vjen jashtëzakonisht keq por kjo nuk ka për të ndodhur sepse është një abuzim ekstrem me çdo normë etike, me të gjitha sepse të marrësh zvarrë njerëzit prej ditësh duke tundur atë (dokumentin) duke thënë se Kryeministri është bërë pjesë e aferës së madhe. Ata kanë të drejtë që të besojnë se unë jam jo djali i Kristaq Ramës por djali i Satanait, këtë të drejtë ta mbajnë për vete, ta ndajnë me njerëz që ju shkojnë nga mbrapa. Ata s’kanë asnjë shans që ta përdorin Parlamementin për ta kthyer atë hapësirë në një hapësirë manipulimi dhe propagande ekstreme të kësaj natyre, pa asnjë bazë.

Blendi Fevziu: Me çfarë të drejte e refuzoni këtë komision?

Edi Rama: Se ka një cak çdo gjë, ka një cak…

Blendi Fevziu: Pra nuk do pranohet?

Edi Rama: Nuk ka shans të pranohet.

“McGonigal”, Edi Rama: Nuk më ka marrë askush dëshmi dhe në akt-akuzë s’ka asgjë kundra meje

Kryeministri Edi Rama ishte i ftuar këtë të enjte në emisionin “Opinion”. Ai u pyet në lidhje me çështjen McGonigal. Kreu i qeverisë tha se nuk i është marrë asnjë dëshmi për këtë çështje dhe se grand juria në SHBA nuk ka kërkuar asnjë informacion për të. Sipas Ramës, përmendjet e tij në akt-akuzë janë thjesht kontekstuale.

Blendi Fevziu: Në akt-akuzë përmenden, thuhet që McGonigal i kërkoi kryeministrit të Shqipërisë që të jetë i kujdesshëm me rusët dhe kjo shkonte në favor të një kompanie që kishte në favor Duçka dhe Neza.

Edi Rama: E para njëherë nuk rezulton asgjëkundi kjo që thoni.

Blendi Fevziu: Kanë pasur ndonjë përfitim këta të dy?

Edi Rama: E dyta, kam thënë vetë që ai ka ardhur dhe me mua ka folur pikërisht këtë, influencën ruse në rajon, influencën ruse këtu e atje, edhe në Shqipëri duhet bërë kujdes sepse mund të hyjë nëpërmjet të tjerësh e kështu me radhë. Asnjëherë nuk më ka kërkuar asgjë konkrete për x apo y.

Blendi Fevziu: Duke penalizuar këtë kompani që ishte…

Edi Rama: Nuk ka penalizuar asnjë kompani ai.

Blendi Fevziu: Thjesht ka folur në parim apo konkretisht?

Edi Rama: Vetëm në parim.

Blendi Fevziu: Vetëm në parim sepse aktakuzë thotë që indirekt përfitonte Neza dhe Duçka.

Edi Rama: Ato janë pretendime të cilat nuk kanë sjellë në ngritje të asnjë akuze as për njërin, as për tjetrin.

Blendi Fevziu: Dakord, nuk ka sjellë. Kam të drejtën të pyes.

Edi Rama: Këtu hyjmë në fushën e fantazisë sepse faktikisht jemi këtu në kushtet kur është ngritur një zallamahi e madhe që ka një akt-akuzë dhe një hetim në Amerikë që e tregon që Kryeministri i Shqipërisë është përfshirë në korruptimin e një zyrtari të lartë të FBI-së. Ku e tregon aktakuza këtë?

Blendi Fevziu: Prit një minutë. Aktakuza pse duhet ta përmendë 14 herë kryeministrin e Shqipërisë? Neza dhe McGonigal kanë takuar gjysmën e Tiranës.

Edi Rama: Në aktakuzë përmendet dhe dhënia e një shume parash në një parkim. Ç’domethënë kjo pse duhet përmendur parkimi?

Blendi Fevziu: Pse gjendet 14 herë emri juaj në aktakuzë?

Edi Rama: Ç’domethënë 14 herë apo 24 herë. Është çështje e narrativës që ka çuar në ngritjen e akt-akuzës. Në fund çfarë thotë akuza aty? Në fund akuza thotë se ish-zyrtari i lartë i FBI-së nuk ka raportuar udhëtimet dhe ka marrë para borxh.

Blendi Fevziu: Grand juria ka kërkuar gjitha informacionet që lidhen me ju.

Edi Rama: Grand juria nuk ka kërkuar asnjë informacion që lidhet me mua.

Blendi Fevziu: Ja ku e ke këtu…

Edi Rama: Atë e kam lexuar unë. Nuk ka kërkuar asgjë nga unë, asgjë nga qeveria, asgjë nga askush po të them.

Blendi Fevziu: Nuk ka kërkuar?

Edi Rama: Asgjë.

Blendi Fevziu: A ju është marrë dëshmi për këtë çështje?

Edi Rama: Asgjë po të them. Jo dëshmi, por as pyetje, as interesim. More fare, fare, fare. Në fund fare po ta përsëris, nuk ka nevojë t’i besosh fjalëve të mia. Shiko konkluzionet e akt-akuzës. Në akt-akuzë nuk ka as korrupsion, nuk ka as blerje, nuk ka as shitje në aktakuzë ka vetëm që ky njeriu nuk ka deklaruar disa udhëtime që ka bërë që është problemi i tij, puna e tij që nuk kam lidhje unë fare dhe që ky njeriu ka marrë para borxh në konflikt interesi me atë tjetrin. Pra nuk flitet për asgjë tjetër. Gjithë këto të tjerat janë vetëgjyqësia shqiptare. Gjithë përmendjet janë kontekstuale, nuk ka përmendje ku implikohet…

Blendi Fevziu: E para njëherë thotë që jeni takuar edhe shumë herë të tjera në Uashington dhe Nju Jork me të. Janë dhe 3 takime të tjera.

Edi Rama: Ore zotëri kur kam vajtur në Nju Jork më ka ftuar në zyrën e FBI-së së Nju Jorkut. Kam qenë në zyrën e FBI të nju Jorkut. Kanë qenë takime miqësore mikpritjeje. Mikpritjen këtu ai ma kthente atje, por nuk kishte asnjë lloj, prandaj kam thënë që kam pasur me të raport miqësor.

Përse ishte i pranishëm Agron Neza në fjalimin e Ramës në OKB?

Kryeministri Edi Rama tha mbrëmjen e kësaj të enjteje në Opinion se Agron Nezën e ka takuar për herë të parë të njëjtën ditë kur ka takuar ish-zyrtarin e FBI, Charles McGonigal. Rama po ashtu tha se shqiptaro-amerikanin që përmendet në dosjen hetimore të autoriteteve amerikane në hetimet ndaj McGonigal, e ka takuar edhe në raste të tjera kur ka qenë me ish-zyrtarin e FBI. Rama tha se nuk ka biseduar asnjëherë vetëm për vetëm me Nezën.

…Ju thoni se nuk e njihnit deri në atë moment Agron Nezën, nuk kishit asnjë njohje me të? Si jua prezantoi?

Ky është miku dhe bashkëpunëtori im.

Miku dhe bashkëpunëtoriKy ka qenë takimi juaj i vetëm me Nezën?

Ka qenë prezentë edhe në raste të tjera kur kam qenë më McGonigal.

Është shumë e çuditshme, unë kam një video të marrë më 14 Shkurt 2022, në ceremoninë e hyrjes së Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit dhe është e çuditshme, ju jeni duke mbajtur fjalim dhe Neza është i ulur aty midis zyrtarëve të Ambasadës dhe diplomatëve të OKB. Çfarë kërkon Agron Neza, një person privat në atë pritje?

Kjo është një pritje ku ka pasur rreth 300 të ftuar shqiptarë dhe të ftuar që kishin sjellë të tjerë me vete, kështu që të thuash tani çfarë kërkon ky atje është si të thuash çdo një shqiptaro-amerikan… kanë qenë gjithë ato njerëz, nga komuniteti shqiptaro amerikan, nga trupi diplomatik atje dhe kanë qenë edhe shqiptarë që vinin me shqiptarë, siç vijmë ne shqiptarët që çfarë problemi ka këtu, çfarë tregon kjo tashi?

Kjo është dhe ftesa, që flet për prezencën tuaj, ftesa e të njëjtës datë.

Çfarë tregon kjo tani?

Po ju pyes a e keni takuar edhe në evente të tjera?

Të thashë që e kam takuar në ato raste. Çfarë ka këtu? A ia kam dhënë dorën tek kjo? Po as e mbaj mend fare por mund te dhe tia kem dhënë dorën, e çfarë ka?

A keni biseduar vetëm për vetëm me të ndonjëherë?  

Jo.

Po Duçka ç’kërkonte në këtë takim të parë mes zyrtarit të FBI?

Ftojeni dhe pyeteni.

Po sepse Neza ishte shoqëruesi i tij, partner në biznes, po Duçka çfarë ishte?

Ftojeni dhe pyeteni

Duçkën?

Nuk ka qenë në takimin e parë.

Nuk ka qenë në takimin e parë?

Jo nuk ka qenë.

Ftesa e Berishës për debat, Rama: Me të vdekurit nuk flas…

I pyetur se pse nuk pranon ftesën e kreut të Partisë Demokratike Sali Berisha për debat, Kryeministri i vendit Edi Rama tha sot në “Opinion” në Tv Klan se “me të vdekurit nuk flet”.

Blendi Fevziu: Vetëm 5 minuta thotë zoti Berisha…

Edi Rama: Ajo që unë nuk bëj është që njerëzit që më duan të mirën të mos më lënë mua siç e latë ju këtë. Ik në shtëpi tashi…

Blendi Fevziu: Ju s’jeni psikolog…E nxorrët ju nga shtëpia, ai ishte në punë të vet.

Edi RamaSipas tij Amerika na qenka një leckë që kush të dojë mund ta marrë dhe të fshijë këmbët, a jeni në vete apo jo? Or zotëri nuk lobohet shteti i Amerikës, mund të lobohet senati ose të paguash para e të marrësh ndonjë kongresmen a senator për krahu që nuk e di ku bie vendi jot. Është superfuqi Amerika!

Blendi Fevziu: Pse nuk vjen të bësh debat me kryetarin e opozitës? Ti ke dalë para 20 vjetësh dhe ke bërë debat me kundërshtarin tuaj në Bashki.

Edi Rama: Unë me të vdekurit nuk flas, ma thotë bukur Bibla e gjyshes time, “lëri të vdekurit të varrosin të vdekurit”.

Kujtojmë se kreu i PD-së Sali Berisha i bëri thirrje për debat Kryeministrit teksa ishte i ftuar në “Opinion” mbrëmjen e 2 Shkurtit të këtij viti. “Bëhu burrë thuaji, hajde vetëm 5 minuta dhe trego sa të vlen lëkura”, tha Berisha.

Edi Rama: Nëse këto që dalin për Arben Ahmetajn janë të vërteta më vjen shumë keq, por nuk e ndihmoj dot

Kryeministri Edi Rama gjatë intervistës në “Opinion” u pyet edhe për ish-zv/kryeministrin Arben Ahmetaj. Kreu i qeverisë u shpreh se nëse gjërat që kanë dalë për të janë të vërteta dhe kjo vërtetohet nga prokuroria atëherë atij i vjen shumë keq pasi ka bashkëpunuar me të, por nuk e ndihmon dot. Rama theksoi se ai që shkel aty ku nuk duhet, do të përgjigjet. Këtë tha se e ka kërkuar nëpërmjet reformës në drejtësi. Si shembull mori edhe rastin e ish-ministrit Saimir Tahiri dhe shtoi se PS nuk është studio avokatie.

Blendi Fevziu: Çfarë po ndodh me Arben Ahmetajn? U zhduk nga zv/kryeministër. U zhduk nga drejtimi i qarqeve në parti, nuk po figuron askund? Ndërkohë shtypi po nxjerr disa materiale që e akuzon për lidhje me personat e inceneratorëve, qëndrim në hotele bashkë me ta, shiko kam një pjesë që kanë dalë në media. Ka akuza të tjera që në fakt ai duhet të japë përgjigje dhe s’e di pse nuk jep përgjigje. Çfarë raporti keni ju me Arben Ahmetajn për momentin?

Edi Rama: Tani për të dhënë një përgjigje që është edhe e përgjithshme edhe e përveçme.

Blendi Fevziu: E dua konkrete.

Edi Rama: Edhe e përgjithshme edhe e përveçme pra. Kur unë kam filluar luftën për Reformën në Drejtësi e kam filluar sepse unë e besoj atë gjë dhe e kam ditur shumë mirë që ajo luftë do të thotë ndër shumë gjëra të tjera që të hapësh rrugën që drejtësia pak nga pak të ketë në dorë armë që nuk i kontrollon dot dhe të godasë, majtas-djathtas. E kam ditur, kam qenë plotësisht i vetëdijshëm, e kam thënë dhe i qëndroj asaj, që të jemi shumë të qartë. Kur ky shoku i shokëve që pikërisht se nuk ka ditur të zgjedhë shokët është kaq dobët se nuk di ku ka veten e vet thotë shoku ky, shoku ai, i duket sikur thotë ndonjë gjë të zgjuar…

Blendi Fevziu: Të ngeli te Shkullaku tani?

Edi Rama: Prit të jap përgjigjen se nga ai e morëm spunton pra. Spunto filozofike shumë.

Blendi Fevziu: Ja faturat e hoteleve.

Edi Rama: Gjyshja ime nuk kishte shkollë, por në gjithë jetën e vet nuk ka thënë 1 nga 1000 banalitetet që thotë ky në ditë, në kuptimin e gjërave të rëndomta. Çka po ju thosha është kjo. Kur numërohen këto raste mua nuk më vjen mirë natyrisht sepse në aspektin njerëzor unë me gjithë këta njerëz kam pasur marrëdhënie. Por nga ana tjetër kjo është gjëja që unë kam kërkuar, që kush shkel aty ku nuk duhet, përgjigjet. Kjo është gjëja që kam kërkuar unë. Dhe gjëja që unë kam thënë janë në analet e kryeministrisë kur ju të studioni arkivat se jeni më i ri se unë. Kam thënë një gjë: Këtu jemi një skuadër. Luftojmë të gjithë për qëllimet e shpallura. Kush në ndërkohë gabon rrugë ose i merr koka erë dhe bashkë me qëllimet e shpallura kërkon të realizojë edhe qëllime të tjera, do t’i dalë për Zot vetë pastaj. E kam thënë publikisht qysh në kohën kur filloi çështja e Saimir Tahirit që PS nuk është studio avokatie. Kush hyn në këto rrugë merr avokatë, shkon atje dhe përballet. Sa i përket çështjes së Arben Ahmetajt, ai ka qenë bashkëpunëtori im, kam punuar me të për një periudhë kohe të gjatë dhe këto gjëra që dalin, në qofshin të vërteta, gjë që do ta thotë prokuroria, më vjen shumë keq.

Blendi Fevziu: Të vjen keq?

Edi Rama: Më vjen shumë keq, por nuk e ndihmoj dot. Në qofshin të vërteta.

Blendi Fevziu: Po përgjegjësi morale ka kryeministri që një ministër Tahiri shkon në burg, ministri Koka shkon në burg, deputeti Bllako është në burg pavarësisht se për këta të dy nuk ka vendim të formës së prerë? Ka përgjegjësi morale në politikë se për penalen, dakord shkon tek avokati?

Edi Rama: Përgjegjësi morale kryeministri ka kur gjykata çon në arrest shtëpie Drejtorin e Përgjithshëm të Tatimeve dhe kryeministri del në konferencë shtypi dhe thotë prezumimi i pafajësisë është i shenjtë. Ai do të vazhdojë t’i drejtojë tatimet nga shtëpia. Ky i vdekuri që kujton se është gjallë, kur ishte kryeministër…

Blendi Fevziu: Ai është prezumimi i pafajësisë…

Edi Rama: Ndërsa unë mendoj se nuk është prezumim pafajësie, por ky është pikërisht përgjegjësia morale e kryeministrit. Që do të thotë, kryeministri nuk mban përgjegjësi nëse Drejtori i Tatimeve ose ministri çmendet dhe del nga shinat pas shpinës së tij, por mban përgjegjësi për mënyrën si reagon në momentin kur gjëja merr formën e një akuze. Ky është dallim i madh. Kjo është përgjegjësia morale sepse çfarë përgjegjësie morale mor zotëri… Jetojmë në një sistem ku përgjegjësia morale është përgjegjësi politike dhe përgjegjësi personale karshi gjithë opinionit publik për qëllimet e shpallura. Ata që futen në veprimtari paralele për qëllime të pashpallura dhe që nuk janë në gjendje të përbashkëta marrin përsipër të shkelin ligjin dhe kush shkel ligjin përgjigjet para ligjit.

Eurot në tubat e aspiratorit, Rama: Këtë çështje e ka hapur Policia e Shtetit

Gazetari Blendi Fevziu u ndal në intervistën me Kryeministrin Edi Rama në Opinion, edhe tek rasti i ish-zyrtares Alda Klosi e cila u arrestua ndër të tjera për fshehje të pasurisë, pasi në shtëpinë e pastrueses së saj Rozeta Dobi u gjetën mijëra euro, që dyshohet se u grabitën në shtëpinë e Klosit. Kryeministri tha se nuk ndihet mirë kur sheh raste të tilla, por theksoi se ato tregojnë për punën e policisë dhe pavarësinë e saj.

Ju nuk ndiheni keq si kryeministër i Republikës së Shqipërisë të shihni këtë pamje për shembull? Te një zyrtare e qeverisë shqiptare, shuka lekësh të mbledhur me qese dhe të futura në  aspiratorin e sobës

Të falenderoj për këtë. Unë natyrisht që nuk ndihem mirë dhe nuk kam sesi të ndihem mirë për asnjë gjë të tillë, për asnjërin. Por ama nga ana tjetër kjo çështje është një tjetër arsye që njerëzit të besojnë që ajo që unë po bëj dhe që ne po bëjmë është serioze. Pse? Këtë çështje e ka hapur Policia e Shtetit. Pra ka qenë Policia e Shtetit, e cila është vënë në dijeni të kësaj çështjeje, e cila e ka bërë publike këtë çështje. Pra kemi ardhur në një kohë të re në Shqipëri, kur Policia e Shtetit, drejtori i përgjithshëm, drejtori i Tiranës, shefat e policisë e ku di unë nuk marrin urdhra dhe nuk pyesin fare, orë shiko, është kapur filanja. Kjo është ish-zyrtare.

Kjo është ta shohësh gotën gjysmë bosh, ose gjysmë plot. Se ju nuk mund të mburreni që sot vjedhin dhe ne i kapim

Unë mburrem që ç’ke me atë punë.

Si?

Që ç’ke me atë punë. Që i kapim dhe duhet të kapim edhe më shumë, sepse që vidhe në këtë vend kjo… dhe që nëse kanë menduar, ose ka menduar dikush që çështja e vjedhjes dhe çështja e paligjshmërisë është një çështje që zgjidhet duke ndërruar një parti me një parti tjetër dhe thjeshtë me shkopin magjik, kjo nuk ndodh. Kjo zgjidhet vetëm me luftë të përditshme dhe natyrisht duke mos bërë dallime…

Edi Rama: Shqiptarët duhet të bashkohen, rrugën se si shkohet atje unë e Albini e mendojmë ndryshe

Kryeministri i vendit Edi Rama deklaroi sonte në “Opinion” në Tv Klan se marrëdhëniet e tij me homologun Albin Kurti janë shumë të mira, duke i cilësuar takimet e tyre “frymëzuese”.

Shqiptarët duhet të bashkohen. Po, sigurisht që edhe të njëjtën gjë do dhe Albini por, rrugën se si shkohet deri atje unë e mendoj ndryshe, Albini e mendon ndryshe“, theksoi Kryeministri.

Blendi Fevziu: A jeni dakord me këtë ide të Kurtit?

Edi Rama: Nuk dua të hyj në një çështje e cila është çështje e shpatullave të Kryeministrit dhe autoriteteve në Kosovë. Dihet botërisht që unë kam idetë e mia dhe qasjen time, qëllimi është i njëjtë, mendoj që Serbia duhet të njohë Kosovën, dhe të kërkojë falje dhe në fund të këtij procesi shqiptarët duhet të bashkohen.

Blendi Fevziu: Shqiptarët do të bashkohen?

Edi RamaShqiptarët duhet të bashkohen. Po, sigurisht që edhe të njëjtën gjë do dhe Albini por, rrugën se si shkohet deri atje unë e mendoj ndryshe, Albini e mendon ndryshe. Por është Albini Kryeministri i Kosovës dhe i duhet të zgjedhë, unë i uroj të gjitha të mirat dhe suksese dhe realisht e realizoftë se ndoshta jam unë gabim.

A keni lobuar për shpalljen “non grata” të Sali Berishës? Rama: Nuk ka Zot në tokë që e blen Amerikën

Një ndër çështjet që u pyet kryeministri Edi Rama këtë të enjte në “Opinion” ishte edhe ajo e shpalljes “non grata” të Sali Berishës nga SHBA.

Kreu i qeverisë u pyet nëse ka lobuar kundër kreut të PD-së. Ai u përgjigj duke thënë se “nuk ka Zot në tokë që e blen Amerikën”.

Blendi Fevziu: A keni gisht ju tek shpallja non grata e Berishës?

Edi Rama: Domethënë unë deri dje e bëja këtë nëpërmjet Sorosit, tani Sorosi u harrua. Iku Sorosi. Tani doli ky. Tani nëpërmjet këtij unë kam kapur sekretarin e shtetit. Domethënë, shiko të të them një gjë. Sikur SHBA të bliheshin dhe të shiteshin do ishin prej kohësh leckat e fuqive të naftës. Do i kishin blerë, do i kishin shitur dhe do i kishin bërë leckë gjithë ata trilionerë që janë nëpër shkretërirat e naftës dhe që janë nëpër vendet ku buron paraja. Si mundet tani, kryeministri i Shqipërisë, një Shqipëri e vogël të marrë dhe të fusë në kontroll gjithë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe për çfarë, për t’i vënë vulën në ballë “non grata” një të vdekuri që kujton se është gjallë.

Blendi Fevziu: Këtë tha Berisha në studio. SHBA dhe Rusia kanë histori dekadash spiunazhi me njëra-tjetrën, por nuk i shkon kryeministrit të Shqipërisë të korruptojë një zyrtar të SHBA se jemi vende mike.

Edi Rama: Shiko, që një i vdekur që kujton se është gjallë, tregon përralla dhe ka besimtarë përrallash që i shkojnë nga mbrapa kjo është një fatkeqësi për shoqërinë tonë. Unë nuk zgjidh dot këtë.

Blendi Fevziu: E keni lobuar ju për shpalljen e tij “non grata”? Pyetje fare e drejtpërdrejtë.

Edi Rama: Dëgjo këtu. Sikur Amerika të lobohej kështu po të them që do ishte bërë leckë për të fshirë këmbët planeti. Nëse unë paskam paguar 300 mijë Dollarë dhe paskam çoroditur…

Blendi Fevziu: Jo gjithmonë me dollarë, bëhet edhe me influenca…

Edi Rama: Po, po me influenca, por me çfarë? Me piktura? Apo me video erotike.

Blendi Fevziu: Është e vërtetë ajo video?

Edi Rama: Po, po unë kam gjithë kohës me video. Domethënë Shqipëria paska potencialin që me para, me eros, me piktura apo ku di unë çfarë të marrë Amerikën prej hunde dhe DASH, Shtëpia e Bardhë, FBI, CIA të punojnë për një kryeministër në Shqipëri dhe për t’i vënë vula dhe njolla kë i çon ai me listë. E kupton ç’do kishte bërë Arabia Saudite, e çdo kishte bërë Bahreini, e çdo kishte bërë Omani, e çdo kishte bërë Rusia, e çdo kishte bërë Kina. Do e kishin bërë Amerikën leckë për të fshirë këmbët. Nuk ka Zot në tokë që e blen Amerikën. Nuk ka, nuk ekziston.

Porosia e Albin Kurtit në “Opinion”, Edi Rama: Qasjen ndaj Serbisë e kemi të ndryshme

Pas “porosisë” që homologu i tij Albin Kurti i la mbrëmjen e së Mërkurës në “Opinion” në Tv Klan, Kryeministri i vendit Edi Rama u shpreh se qasjen ndaj Serbisë e kanë të ndryshme.

Realisht kemi marrëdhënie shumë të mira, takimet tona janë frymëzuese, humor të madh, qeshim shumë. Tek qasja ndaj Serbisë i kemi të ndryshme por qëllimin e njëjtë“, nënvizoi kreu i qeverisë.

Blendi FevziuZoti Kurti kishte dhe një mesazh ose edhe si këshillë për ju.  Mos i var shpresat te Presidenti serb tha…

Edi RamaE kemi ndarë këtë punë me Albinin, nuk jam fare në disponimin që t’a kthej përgjigjien, se e kam përgjigjien. Realisht kemi marrëdhënie shumë të mira, takimet tona janë frymëzuese, humor të madh, qeshim shumë. Tek qasja ndaj Serbisë i kemi të ndryshme por qëllimin e njëjtë. Uroj që ta realizojnë se është barra e tij.

Kujtojmë se Kryeministri i Kosovës Albin Kurti i tha Ramës mbrëmjen e shkuar në “Opinion” që të mos mbajë shpresa te Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

I dëshiroj shumë suksese Republikës së Shqipërisë, jemi dy shtete të të njëjtit komb dhe do të duhej që të ketë shumë më pak shpresa te Presidenti i Serbisë i cili nuk shkëputet dot nga Presidenti despotik i Rusisë“, u shpreh Kurti.

“Aktivisti”, Rama: Regjistrohet kush të dojë, nuk i imponon askujt asgjë

Në studion e Opinion, Kryeministri Edi Rama sqaroi edhe aplikacionin e Partisë Socialiste, Aktivisti. Kreu i qeverisë tha së në këtë aplikacion mund regjistrohet kush të dojë dhe ‘nuk është një platformë që i imponon kujto do qoftë, çfarë do qoftë’. Kryeministri theksoi po ashtu se Partia Socialiste nuk ka pasur asnjëherë tendencën të përdorë administratën, siç përdorej sipas tij dikur.

Ju keni bërë edhe një video promovuese të aplikacionit të quajtur Aktivisti. A është kjo një shkelje po e quaj sidomos e administratës, e kodit të administratës? Ka 72 mijë shkarkime, unë i kam të dhënat që kanë dalë se tani i nxjerrin dhe iranianët të gjitha. Aty rezulton që është regjistruar Bill Gates. Pra gjithësecili mund të regjistrojë këdo. Rezultojnë emra gjyqtarësh, rezultojnë që njerëzit më me shumë pikë janë drejtorë të administratës. Kanë të drejtë drejtorët e administratës të bëjnë aktivitet politik?

Edi Rama: E para e punës fakti që aty regjistrohet kush të dojë, domethënë që kjo nuk është një platformë që i imponon kujto do qoftë, çfarë do qoftë.

Dhe ve çdo emër të dojë?

Edi Rama: Çfarë të dojë, po, si në Facebook. Futesh dhe ve çfarë emri të duash, puna jote.

Po që drejtorët figurojnë njerëzit më aktivë në këtë platformë?

Edi Rama: Dhe e dyta, këtë figurimin më aktiv nuk e bëni dot ju nga jashtë, as iranianët nuk e bëjnë dot sepse ai është një sistem që shikohet vetëm nga brenda, pikërisht për të ruajtur edhe si të thuash konfidencialitetin e sa aktivizohen njerëzit. Dhe e treta ky është një tjetër modernizim i PS dhe si gjithmonë sa herë bëjmë modernizimet tona, akuzohemi për gjithçka që as në mend nuk na ka shkuar. Sepse ne asnjëherë nuk kemi pasur tendencën të përdorim administratën siç përdorej dikur. Nuk kemi pasur tendencën ta përdorim administratën siç përdorej dikur, sepse ai lloj përdorimi të çon në efekte të kundërta. Ne kemi sigurisht shumë njerëz në administratës të cilët janë njerëz që janë të lidhur me PS.

Ju besoj e dini që OSBE/ODIHR e konsideronte përdorimin e administratës dhe të risurseve qeveritare si një shkelje të rregullave të lojës.

Edi Rama: Këto janë muhabete të tjera. Unë po them që ne nuk e përdorim administratën siç përdorej dikur. Nuk e gjeni dot ju një mësues sot në Shqipëri që të dalë e të dëshmojë që më kanë detyruar që të, ose duan të më detyrojnë të vij në miting, që më kanë detyruar ose duan të më detyrojnë të futem tek platforma Aktivisti,  që të bëhem patronazhist etj. Nuk e gjeni dot. Nuk e gjeni dot ju një mjek, infermier, që më morën dhe më çuan… se s’ka. Nuk ka siç ndodhte dikur që infermierë, mësues e mjekë u thonin hajdeni se erdhi Jozefina. Se nuk diskutohet që kur shkonte i vdekur kur ishte gjallë mblidhej e gjithë dynjaja.

Edi Rama: Nuk e kam takuar asnjëherë oligarkun rus Oleg Deripaska

Kryeministri Edi Rama është shprehur gjatë emisionit “Opinion” se nuk e ka takuar ndonjëherë oligarkun Oleg Deripaska.

Blendi Fevziu: E keni takuar ndonjëherë Deripaskën?

Edi Rama: Ç’punë kam unë me Deripaskën?

Blendi Fevziu: Po mund të ndodhë, biznesmen i madh është.

Edi Rama: Jo nuk e kam takuar.

Ai theksoi se prej vitit 2013 nuk ka pasur takime me delegacione ruse.

“Unë qysh prej vitit 2013 nuk kam pasur takime me asnjë delegacion rus. As për politikë, as për biznes. Ndërkohë që i vdekuri që kujton se është gjallë me vulën non grata për turpin tonë të përbashkët sepse të të shpallë SHBA non grata nuk mund të katandiset në një histori që ky pagoi këtë, i bëri një video erotike atij pastaj erdhi njëri nga tropoja me pasaportë amerikane dhe na doli non grata një engjëll i pafajshëm. Çfarë ka bërë ky personi? Ky kur ishte kyrmeinistër ka pritur delegacione ruse politike, pas takimeve me të cilat ka vajtur dhe ka urdhëruar votimet kundër UÇK atje në Strasburg, ka pritur edhe delegacione ekonomike… Ka bërë edhe negociata për të sjellë Gazpromin në Shqipëri etj. Të gjitha këto kanë ndodhur ndërkohë që në rastin tim mund të kisha takuar edhe unë, por nuk kam takuar asnjë”, u shpreh Rama./tvklan.al

Vlora Marina, një portë e re e Shqipërisë