Të ftuar në Opinion: Adriatik Lapaj, Edlira Çepani, Dashamir Shehi, Gjergj Bojaxhiu.

Tirana ndizet nga protesta!

Adriatik Lapaj: Organizatori i protestave është Këshilli i Ministrave

Avokati dhe aktivisti, Adriatik Lapaj ka thënë se organizuesi i protestave kundër rritjes së çmimeve është Këshilli i Ministrive.

Në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Lapaj ka shpjeguar këtë deklaratë të tij duke treguar se ai e sheh kështu sepse Kryeministri po nxjerr një teori: “luftë pandemia, luftë në Ukrainë, luftë andej, luftë këtej.

Adriatik Lapaj: Është e rëndësishme që të kuptohet se organizuesi i kësaj proteste është Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë…

Blendi Fevziu: Si Këshilli i Ministrave?

Adriatik Lapaj: Ja, ta them unë. Dhe ata, të cilët duan të pasurohen në kurriz të të pamundurve të këtij vendi. Pse është Këshilli i Ministrave? Është Këshilli i Ministrave sepse Kryeministri po nxjerr një teori “luftë pandemia, luftë në Ukrainë, luftë andej, luftë këtej”.

Blendi Fevziu: Kjo është një krizë botërore për të qenë të vërtetë.

Adriatik Lapaj: Tani, jemi në luftë…

Blendi Fevziu: Jo, nuk jemi në luftë, jemi në prapavijë të luftës.

Adriatik Lapaj: Atëherë jemi në një situatë lufte psikologjike, të gjithë sakrifikojmë për të ia dalë.

“Çfarë bëni more legena”, Shehi: Kryeministri mori në telefon nja dy nga këta të naftës

Rritjen apo uljen e çmimit të naftës në Shqipëri, Dashamir Shehi nuk e shesh si reflektim direkt të ndryshimit të bursës ndërkombëtare.

I ftuar në emisionin Opinion në Tv Klan, Shehi tha se mbrëmjen e së mërkurës që pati një rënie të lehtë të çmimit të karburantit, nuk erdhi si pasojë e uljes së çmimit në bursë, por si pasojë e një telefonate të Kryeministrit.

“Kjo që po të them unë të jesh i sigurtë që nuk është ulur fare prej asaj të bursës, por është ulur se jam i sigurtë që Kryeministri jonë i nderuar ka marrë nja dy nga ata në telefon dhe i ka thënë çfarë bëni more legena, ku e çuat, e nxorrët popullin atje. Prandaj është e rëndësishme ajo që tha zotëria, që ne duhet të dalim dhe duhet të dalim për t’i treguar që ore ky popull reagon. Më bëhet qejfi që kanë reaguar shqiptarët”, tha ndër të tjera Dash Shehi.

Sali Berisha për zgjidhjen e krizës në PD!

Përçarja e PD/ Berisha: Ata që nuk na u bashkuan para 6 Marsit, janë të mirëpritur

Ish-Kryeministri Sali Berisha thotë se Partia Demokratike është e hapur dhe mirëpret cilindo deputet dhe anëtar të partisë që nuk ishte bashkuar me Komisionin e Rithemelimit para datës 6 Mars të zgjedhjeve të pjesshme vendore.

Në një intervistë për emisionin Opinion në Tv Klan, Berisha tha se 6 Marsi tregoi triumfin e votës së lirë brenda partisë.

“Zgjidhja më e shkëlqyer është kompletimi i procesit të nisur dhe zbatimi i statutit të 11 Dhjetorit që ka rikthyer votën e lirë në themel të PD, në themel të veprimtarisë së kësaj partie. Në rast se kjo që ndodhi ose 6 Marsi ishte pikërisht triumfi i asaj reforme që riktheu votën në PD. Në këtë kontekst PD mbetet e hapur ndaj secilit drejtues, deputet, aktivist, anëtar i cili për një arsye apo për një tjetër nuk u bashkua me të para datës 6 Mars janë të mirëpritur.

PD me gjithë rrëmbimin e logos mori 31% të elektoral shqiptar dhe 70% të elektoratit opozitar, kurse logoja e saj e konfiskuar nga Edi Rama 13%, në këtë kontekst PD bashkë me LSI janë fiks në kuotën e 25 Prillit. Kuotë e cila nuk është fituese, por përsëri po të kemi parasysh që zhvillohet 5-6 muaj pas zgjedhjeve të përgjithshme dhe zhvillohet në zgjedhje të pjesshme lokale vetëm për kandidatët e bashkisë pa këshilla bashkiake”, u shpreh Berisha.

A do ta telefonojë Bashën? Sali Berisha: Ai ka tejkaluar çdo vijë të kuqe, por rrugën e ka të hapur

Ish-Kryeministri Sali Berisha thotë se kryedemokrati Lulzim Basha ka tejkaluar çdo vijë të kuqe dhe limiti në lidhje me qëndrimin e tij ndaj Partisë Demokratike.

Në një intervistë për emisionin Opinion në Tv Klan, Berisha u pyet nga gazetari Blendi Fevziu nëse është i gatshëm të telefonojë Lulzim Bashën për t’i hapur rrugë procesit të bashkimit të partisë.

Ish-Kryeministri u shpreh se është i hapur për këdo. Sa i përket Lulzim Bashës, tha se e ka rrugën të hapur për të marrë pjesë në çdo garë brenda partisë.

“Unë mendoj se ne po vendosim kontakt dhe jam i hapur për të gjithë. Nuk kam kontakt me z.Basha. Mendoj se z.Basha ka tejkaluar çdo lloj vije të kuqe dhe limiti në qëndrimin ndaj Partisë Demokratike por edhe ndaj vetes së tij. Megjithatë në rast se z.Basha e ndjen se mund të marrë pjesë në garë që do hapet për të gjitha forumet, ai nuk është i përjashtuar. Ne nuk përjashtojmë. Ai dhe çdo anëtar e ka rrugën e hapur. Ai bën zgjedhjen e tij. Ne jemi të hapur”, tha Berisha.

Ish-Kryeministri ftoi për bashkim edhe deputetët dhe anëtarët e tjerë të PD që janë shprehur kundër tij.

“Pse kanë folur kundër meje ka zero efekt tek unë. Janë të mirëpritur në grupin parlamentar dhe të vazhdojnë betejën kundër kësaj qeverie. Asnjë lloj hipoteke negative nuk mund të kenë ata për qëndrimet. Secili nga deputetët e PD që e lexon si duhet mesazhin e 6 Marsit që konstaton se Sali Berisha dhe PD e rithemelimit nuk u votua vetëm nga anëtarësia por nga 70% e elektoratit shqiptar i ka dyert e hapura për t’u bashkuar”.

Berisha: Bëra fushatën më personale sepse sigla e re garonte me atë 30-vjeçare të PD

Në një intervistë përballë gazetarit Blendi Fevziu, ish-Kryeministri i vendit Sali Berisha ka treguar se fushata e tij nën siglën e koalicionit “Shtëpia e Lirisë” ka qenë ajo më e personalizuara pëgjatë gjithë karrierës së tij politike pasi garonte me siglën 30-vjeçare të Partisë Demokratike.

Blendi Fevziu: A mund të ngrihet një komision i ndërmjetëm për të gjetur zgjidhje mes dy PD-ve?

Sali Berisha: Unë mendoj se çdo propozim do të shqyrtohet. Ka vetëm një kusht, të pranohet vota e lirë. Nëse Lulzim Basha do të merrte vendimin me votën e lirë të deputetëve të Këshillit Kombëtar, PD nuk do të ishte e përçarë.

Blendi Fevziu: Ka zëra që thonë se përgjegjësia është e Bashës, por edhe e Berishës. A ka një zgjidhje PD pa ty dhe pa Bashën?

Sali Berisha: Jo, nuk është çështja këtu. Që në momentin që ne vendosim në tavolinë zgjidhje, ne përjashtojmë votën e lirë.

Blendi Fevziu: A keni ambicie për të qenë kryetar i PD?

Sali Berisha: Ju besoj ju jeni i vetëdijshëm se në fillimet e kësaj lëvizje, opozitës së vërtetë ishte në krye Berisha. 6 Marsi tregoi se ishte elektorati i djathtë, mbështet PD e përfaqësuar nga Berisha. Në këto 6 bashki, për shkak të logos unë bëra fushatën më personale sepse sigla e re garonte me siglën 30 vjeçare të PD. Nëse në fillim të fushatës, sondazhet ishin 70 me 30  në favor të Berishës, e kundërta ishte për logon. Unë kisha vetëm një rrugë që ta personalizoja. Personalizimi nuk ishte dëshira ime.

Berisha: Nëse zgjidhem kryetar i PD, do të mund Edi Ramën në zgjedhjet e ardhshme

Sali Berisha e ka shprehur hapur tashmë se do të synojë të bëhet kryetar i Partisë Demokratike përmes votës së lirë në forumet e kësaj partie.

Në një intervistë për emisionin Opinion në Tv Klan, Berisha tha se nëse arrin të zgjidhet në krye të PD-së, në zgjedhjet e ardhshme do të konkurrojë Kryeministrin Rama dhe shprehu bindjen se do të fitojë përballë tij.

Blendi Fevziu: Po u zgjodhët kryetar i Partisë Demokratike, ju do jeni në betejë për të fituar zgjedhjet e ardhshme?

Sali Berisha: Absolutisht!

Blendi Fevziu: Do konkurroni me Edi Ramën?

Sali Berisha: Absolutisht dhe do e mund Edi Ramën. Do ta mund Edi Ramën?

Blendi Fevziu: Po si do ta mundësh? Se është çështje shifrash kjo.

Sali Berisha: Ashtu siç mundet me votën e lirë.

Berisha fton Ramën në debat televiziv

Përballë Blendi Fevziut, ish-Kryeministri i vendit Sali Berisha është shprehur se mendon që të kandidojë sërish në zgjedhje. I pyetur nga Fevziu se a do të konkurrojë në moshën 81-vjeçare, Berisha e ka ftuar për dy gjëra.

Sali Berisha: Për Berishën, në proporcion votuan rreth 600 mijë shqiptarë më 6 Mars. Pra, ky është rikthim dhe rikthimi nuk është dëshirë e Sali Berishës, nuk vjen nga dëshira personale, vjen nga një kompleks rrethanash, është një apel, një thirrje kohe, dhe dallimi është shumë i madh, Edi Rama është në largim, Sali Berisha është në një rikthim.

Blendi Fevziu: Jeni në moshën 79-vjeçare Z. Berisha, do të konkurroni në moshën 81-vjeçare…

Sali Berisha: Tani përsa i përket moshës: Unë të ftoj ty dy gjëra: E para: të bëjmë një debat televiziv me Edi Ramën dhe e dyta të ftoj të ma sjellësh që t’i bëj pak testin e flinitit dhe të ju tregoj shqiptarëve sa të ulët e ka IQ. Mosha nuk është vetëm vite. Faktori i dytë më madhor është vjetrimi. Po ta shohësh Edi Ramën, vitet i kanë peshuar aq rëndë saqë nuk ka njeri në politikë që lajthit më shumë se ai.

Grida Duma, ish-nënkryetare e PD!

Grida Duma: PD të futet në proces zgjedhor me dorëheqjen e Bashës

Deputetja e Partisë Demokratike Grida Duma, e cila ka dalë kundër kryedemokratit Lulzim Basha pas humbjes në zgjedhjet e 6 Marsit, thotë se PD duhet të hyjë në një proces zgjedhor.

Në një intervistë për emisionin Opinion në Tv Klan, Duma tha se ky proces duhet të nisë fillimisht me dorëheqjen e Lulzim Bashës.

“Kohezioni i sotëm i grupit parlament të shumicës së kryetarëve të degëve që vijnë nga zgjedha me votë është që e vetmja gjë që çliron energjitë e partisë është që partia të futet në proces zgjedhor me dorëheqjen e Lulzim Bashës. Unë mendoj që është e domosdoshme të kemi një PD, një bashkim, një përfaqësim të arsyeshëm të gjithë aktorëve politikë. Duhet siguruar vota e lirë brenda Partisë Demokratike sot më shumë se sa kurrë. Ky duhet të jetë një proces shumë mirë i menduar”, tha Grida Duma.

Çfarë do t’i thoshte Grida Duma publikisht Bashës dhe Berishës?

E pyetur nga Blendi Fevziu, Grida Duma është shprehur se Bashës do t’i thoshte që duhet të japë dorëheqjen. Po ashtu, Duma i dha dhe një mesazh Berishës “që të dijë të lëshojë forcën e hakmarrjes”.

Blendi Fevziu: Çfarë do t’i thoshe Bashës?

Grida Duma: Ato që i kam thënë në mbledhje se duhet një dorëheqje e tij, madje me shumë respekt ndaj atyre që e kanë mbështetur të marrë pjesë në atë që është konstruktive përfaqësimi i tij në atë që mund të jetë Komiteti, mund të jetë Konventa. Ai duhet të marë pjesë me mirënjohje të madhe për pafund shanse që i kemi dhënë.

Blendi Fevziu: Po për Berishën?

Grida Duma: Unë kam bindjen se Berisha ka një kapacitet intelektual që e ndalon të bëjë keq pafund. Berisha duhet të dijë kur të lëshojë forcën e hakmarrjes dhe ndaj atij që e ngriti. Më të zhgënjyer janë demokratët. Unë besoj që ai mundet.

Blendi Fevziu: Nëse do të ketë një garë të hapur, a do të kanadidoni ju për kreun e Partisë Demokratike?

Grida Duma: Nuk mund ta di sot këtë gjë. Nuk është gjë e thjeshtë ta marrësh e ta ringresh PD. Sot do të isha gati për një kolegjialitet për ta drejtuar PD-në në zona të ndara. Kushdo që të garojë do të na ketë mbrapa./tvklan.al