Opinion – Shembjet, bashkia përballë banorëve!




Opinion – Shembjet, bashkia përballë banorëve!

Autori: Blendi Fevziu

20:16 20/01/2022

Të ftuar: Arbian Mazniku, Plarent Ndreca, Klevis Balliu, Adriatik Lapaj. Në lidhje me Skype: Dorjana Musai. Në lidhje direkte banorë që ju janë prishur shtëpitë Bekim Cerri dhe Gjin Nikolli. Në lidhje direkte nga “5 Maji”, gazetarja Elena Lika me një përfaqësi banorësh

Mazniku shpjegon çfarë po ndodh tek “5 Maji”

Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Arbian Mazniku ka shpjeguar në emisionin “Opinion” se çfarë po ndodh me shembjet e banesave tek “5 Maji”.

“Pas tërmetit të vitit 2019 gjatë periudhës menjëherë pas tërmetit u vendos të ndërtojmë disa lagje të reja në ato zona ku shteti ishte gjithashtu bashkëpronar. Pra kishte një miks mes një prone shtet dhe pronë private. Kjo është një zonë ku e ka një pjesë të pronës shteti. Por për të ndërtuar një lagje duhej një zonë e madhe. Ky është projekti në fjalë. Është një lagje e tërë e cila shtrihet në atë zonë që njihet si Bregu i Lumit. Bëhet fjalë për 160 mijë metra katrorë sipërfaqe tokë.

Ajo është një zonë e cila ka banesa një pjesë të madhe informale, një pjesë të legalizuar gjatë këtyre kohe, një zonë me infrastrukturë shumë të dobët. Aty kishte dhe një miks të pronës publike. Rreth 60% e pronës është pronë publike. Kjo në ngjyrë lejla është faza e parë që po implementohet tani. Në këtë sipërfaqe preken 102 objekte private.

136 familje që preken, 102 objekte. Pjesa më e madhe është shembur. Bëhet fjalë për 40-45 objekte që janë pa shembur. 85 familje janë pronarë me dokumente, d.m.th kanë dokumente për pronësinë. 51 prej tyre kanë qenë në proces legalizimi, por që nuk do legalizoheshin dot për arsye të ndryshme, ishin afër lumit etj.”, tha Mazniku.

Pyetjes se nuk bëhet fjalë për ndërtim për nevoja publike dhe si i shpronëson shteti këta persona, Mazniku iu përgjigj duke thënë: Bëhet fjalë për të mirë publike. Akti normativ numër 9 për rindërtimin i jep mundësinë shtetit të zhvillojë zona të reja për zhvillim, kryesisht fokus rindërtimin.

“Shpronësimi publik. Por ky na ka njohur mundësinë që të bëjmë një opsion të ri, shpronësim me shkëmbim. Në aktin normativ numër 9 e njeh si mekanizëm dhe në thelb mekanizmi funksionon si shpronësimi me financë, por në aktin e ndërmjetëm ne vlerësojmë pronën e tyre dhe më pas kjo pronë do jepet në metra katrorë në zonën e re që do të ndërtohet”, sqaroi më tej ai.

Mazniku bëri të ditur se lagja e re po ndërtohet nga Bashkia e Tiranës ndërsa e financon i qeveria shqiptare.

Mazniku: Familjet që nuk i kanë të legalizuara do marrin shtëpi me hipotekë

I ftuar në studion “Opinion” në Tv Klan për të folur mbi situatën e krijuar në lagjen “5 Maji”, ndodhet nënkryetari i bashkisë Tiranë, Arbian Mazniku. Ai shpjegoi se familjet me objekte të palegalizuara do të marrin shtëpi me hipotekë. Gjatë kësaj kohe, ata do të përfitojnë bonusin e qerasë.

Blendi Fevziu: Po ndërkohë, ata që i kanë shtëpi pa leje, pra që i janë ndërtuar, por nuk i janë regjistruar akoma, ata çfarë marrin?

Arbian Mazniku:Ata marrin metër për metër sipërfaqet që sot kanë. Fjala bie, zonja që pamë ne quhet Liz Marku. Familja e saj ka një objekt prej 356 metra katrorë shtëpi banimi të palegalizuar, të palegalizueshëm.

Blendi Fevziu:Pse të palegalizueshëm?

Arbian Mazniku:Sepse ka një situatë të tillë që nuk legalizohet dot, është shumë afër lumit etj. Zonja dhe familja e saj do të marrë 356 metra katrorë ndërtim me hipotekë që mund të vendosë t’ia trashëgojë fëmijëve brez pas brezi, ta shesë, ta blejë, ta japë me qera. Sot, në një objekt që do të duket si ky, në një zonë të superurbanizuar, me shkollë, me çerdhe, me ujë, me rrugë, me drita, me të gjitha facilitetet e mundshme që sot nuk i ka. Dhe do të marrë 456 pa letra, 356 me letra.

Blendi Fevziu:Po gjatë kohës së ndërmjetme?

Arbian Mazniku:Do marrë për secilën prej kurorave, do ketë mundësi të aplikojë për të marrë qera.

Blendi Fevziu: Po sot që është prishur shtëpia, ku do rrinë derisa të aplikojnë? Sot është temperatura 2 gradë në këto momente që po flasim.

Arbian Mazniku:Kjo është arsyeja pse po i lusim që nga Tetori që të firmosin marrëveshjen dhe që nga momenti që firmosin marrëveshjen i fillon bonusi i qerasë. Tetor, Nëntor, Dhjetor, Janar, ne kemi katër muaj që përditë kemi folur me secilin prej këtyre familjarëve duke i thënë që firmosni marrëveshjen, kjo është çfarë do përfitoni që të keni mundësi të përfitoni bonusin e qerasë, ta gjeni shtëpinë, të lëvizni me të gjithë kohën që ju duhet. Nga ana tjetër, pikërisht shtëpitë që do të marrin, por vonohen për shkak se këta njerëz nuk po lëvizin. Nuk mund të fillojë kantieri i plotë për sa kohë që nuk janë larguar të gjithë.

Iu shemb banesa, flet banori i “5 Majit”: E kam akoma kolateral në bankë

Fadil Mziu, banor i “5 Majit”, banesa e të cilit është shembur si pasojë e lagjes së re që do të ndërtohet aty ka folur në emisionin “Opinion” në lidhje me këtë çështje.

Banori tha se investimi për të cilin kishte marrë edhe një kredi bankare iu shemb, ndërsa Bashkia e Tiranës nuk i njeh katin e tretë që e kishte në proces legalizimi.

Po ashtu ai tha se nuk është dakord me vlerësimin e shtëpisë që i ka bërë bashkia.

“Këtë shtëpi Fevzi e kam ndërtuar unë. Ishte! Duke parë se ishte me letra, kam bërë një investim me kredi bankare. E kam akoma kolateral, e di shumë mirë Mazniku. Kati i tretë është në proces legalizimi dhe Zoti Mazniku nuk e njeh. Tjetër, më shumë për truallin. Nuk jam dakord me vlerësimin që ka bërë Bashkia sepse duke pasur një shtëpi të tillë me parkim, me kopsht, me rrugë që janë ndërtuar këto 3 vitet e fundit që ka qenë kryetar Erion Veliaj dhe arrita që të bëj investim tjetër duke parë një jetë më të mirë për fëmijët e mi. Tani thotë t’i fus në pallat me koeficent 1.5. Shteti ma ka vlerësuar mua dhe ia dhashë lekët. Janë të faktuara në bankë. Shteti e ka vlerësuar 300 metra katrorë, këtë tjerat nuk i njoh, duke qenë në proces legalizimi”, u shpreh Mziu.

Vajza 4 vjeç pa nga dritarja shtëpinë që po i prishej, Mazniku: Më vjen shumë keq…

Në emisionin “Opinion” në Tv Klan, gjatë lidhjes së drejtpërdrejtë me gazetaren dhe qytetarët në lagjen “5 Maji”, një prej tyre tregon se vajza e tij 4-vjeçare ka parë nga dritarja e kopshtit të gjithë ngjarjen. Qytetari Klodian Laci thotë se e bija ka parë shembjen e shtëpisë së saj dhe për ngjarjen traumatizuese, ai i kërkon nënkryetarit Mazniku të kërkojë një falje publike.

Nga ana tjetër, Mazniku thotë se qytetari është lajmëruar disa herë për prishjen e objektit, por ka patur mundësinë për të shmangur situatën.

Klodian Laci: Mirë betonin e morët se e bëtë, e shembët, po këtë njollën ku qëndroj unë aktualisht është prona ime, pasuria ime, ajo çka latë ju në mënyrën barbare që e prishët. Si do e merrni sepse unë nuk kam ndërmend ta kaloj nga Klodian Laci, ta firmos e të kalojë në emrin e Erion Velisë apo kujtdo që po merret me këto ndërtimet tuaja. Pa llogaritur dramën dhe shokun që i keni shkaktuar fëmijëve tanë. Unë nuk ia uroj fëmijëve tuaj zoti Mazniku atë që kanë kaluar fëmijët tanë sot dhe iu kërkoj që t’i kërkoni ndjesë publike të gjithë fëmijëve që kanë qenë të prekur. Sot, kur më është prishur shtëpia, biçikletat e djalit dhe të vajzës m’i kanë marrë a i kanë vjedhur, nuk e di ku i kanë çuar dhe unë ç’ti them, më thonë: “Babi pse po na e prishin shtëpinë, çfarë i kemi bërë ne? Ku do flemë?”

Arbjan Mazniku: T’i bëj unë nja dy pyetje Klodit njëherë, të shkurtra? Klodi është lajmëruar fillimisht në Tetor, është lajmëruar së dyti në Nëntor, Klodi ështtë lajmëruar në Janar dhe Klodi është lajmëruar 5 ditë para prishjeve që do të ndodhte. Çështja është që Klodi është lajmëruar të paktën 4 herë dhe është e sigurt që kanë shkuar njerëz nga njësia administrative mbi 5 herë, kanë kërkuar Klodin për t’i shpjeguar ç’po ndodhte. Mua më vjen shumë keq në nivel njerëzor për çfarë ka përjetuar vajza e Klodit, më vjen shumë keq për çfarë ka ndodhur, por Klodi i ka pasur të gjithë mundësitë prej 4 muajsh që ta evitonte këtë situatë. Klodi është nga ata njerëz që ka aplikuar për bonusin e qerasë, Klodi është nga ata njerëzit që me bonusin e qerasë mund ta kishte bërë lëvizjen, të kishte shkuar t’i kishte marrë të gjitha gjërat nga shtëpia, vajza të mos e kishte përjetuar fare situatën.

“Luftë” me shkopinj në Opinion, “shpërthen” Lapaj: Lëre se po na ofendoni inteligjencën

Shembjet në “5 Maj” për lagjen e re ishte tema e debatit këtë të enjte në “Opinion”. Gjatë emisionit ka pasur edhe një debat mes Adriatik Lapajt dhe nënkryetarit të Bashkisë, Arbian Mazniku.

Teksa Mazniku po shpjegonte se si një prej banorëve përfiton nga skema e shpronësimit, Lapaj është ngritur dhe ka marrë shkopin në dorë duke shpjeguar koeficentin me të cilin po ndërton bashkia në zonë.

Sipas Lapajt, do të ndërtohen kulla që do të jepen me përqindje dhe shtoi se, “Po të jetë për të dhënë me përqindje, e japin vetë ata (banorët) s’ka pse të jetë bashkia”.

Arbian Mazniku: Klodi i ka pasur mundësitë prej 4 muajsh që ta evitonte këtë situatë. Klodi është ndër ata njerëz i cili ka aplikuar për bonusin e qirasë. Klodi është nga ata njerëz që me bonusin e qirasë mund të kishte bërë lëvizjen, të kishte shkuar në banesën e re, kishte marrë të gjitha gjërat nga shtëpia. Po marr t’ju shpjegoj situatën e Kodit. Klodi ka 215 metra truall dhe 98 metra ndërtesë. Klodi do të përfitojë 202 metra.

Adriatik Lapaj: Ata thonë kemi problem me dokumentacionin.

Arbian Mazniku: Nuk ka asnjë problem me dokumentacionin, kjo është një çështje që nuk ka asnjë lloj sensi. Çdo ndërtues tjetër do i kishte dhënë jo më shumë se 100 metra. Po merr të paktën dyfishin e asaj që do ia kishte dhënë një tjetër…

Adriatik Lapaj: Me çfarë koeficenti ishte atje?

Arbian Mazniku: Me 1.5 që e kishte plani urbanistik i zonës.

Adriatik Lapaj: Një sekond Fevzi se jemi para publikut. Me çfarë koeficenti po ndërton Bashkia atje?

Arbian Mazniku: 1.7.

Adriatik Lapaj: Pse nuk e llogarit me 1.7?

Arbian Mazniku: Po them me plan urbanistik.

Adriatik Lapaj: Nxirre hartën atje se do çohem dhe unë tani. Se gënjeni tani. Po lëre tani se na ofendoni inteligjencën. Këto këtu çfarë janë?

Arbian Mazniku: Objekte të larta

Adriatik Lapaj: Sa kate?

Arbian Mazniku: 18 kate, 19 kate

Adriatik Lapaj: Jo janë 30 kate!

Arbian Mazniku: Po, çfarë problemi ka?

Adriatik Lapaj: Po pse thua jo 18 kate.

Arbian Mazniku: Ç’rëndësi ka se nuk e di.

Adriatik Lapaj: Kjo në mes çfarë është?

Arbian Mazniku: Kullë, 23 kate.

Adriatik Lapaj: Këto me çfarë koeficenti janë këto?

Arbian Mazniku: Me 1.7.

(Ngrihet Mazniku dhe merr shkopin)

Arbian Mazniku: Po ky sheshi sa e ka, po ko rruga sa e ka?

Adriatik Lapaj: Sa është sipërfaqja totale e truallit?

Arbian Mazniku: 160 mijë.

Adriatik Lapaj: Sa është sipërfaqja totale e ndërtimit?

Arbian Mazniku: Është herë 1.7, shumëzoje.

Adriatik Lapaj: Do e bëjmë dhe do ia themi publikut se mbajmë përgjegjësi për këto. Pyetja që kam unë për nënkryetarin e bashkisë është kjo. (I drejtohet Fevziut) 1.7 shumëzim 160 mijë.

Blendi Fevziu: 272 mijë metra ndërtim.

Adriatik Lapaj: Pyetja ime është sa familje do të strehohen nga tërmeti këtu?

Arbian Mazniku: 1200 familje.

Adriatik Lapaj: Pjesëtoje 272 mijë me 1200 familje.

Blendi Fevziu: 226 metra katrorë për familje.

Adriatik Lapaj: 272 mijë zbriti 45 mijë pjesëtim për 1200.

Blendi Fevziu: 189 metra.

Adriatik Lapaj: 189 metra do u japin këta për familje nga tërmeti? Nuk ua japin se nuk jua jep ligji se është akti normativ numër 9. Akti normativ shkon maksimumi në 120 metra.45 mijë metrat e banorëve i zbritëm ndërsa pjesa tjetër përfitojnë se janë familje nga tërmeti. 189 metra. Aty të paktën gjysma e 189 metrit se ka familje edhe me dy banorë, do shkojnë si sipërfaqe e tepërt, pra na del ekstra. Kjo, për këto kullat këtu që do jepen me përqindje. Ngre pyetjen, kjo sipërfaqja këtu sa është ku do ngrihen kullat? E ke të paktën 60 mijë katrorë. Këta janë banorë këtu, kanë shtëpi. Po të jetë për të dhënë me përqindje e japin vetë ata s’ka pse të jetë bashkia.

“S’keni përcaktuar vit”, nënë Liza përballet me Maznikun: E dua shtëpinë metër për metër

Në lidhjen e drejtpërdrejtë të emisionit “Opinion” në Tv Klan me banorët e lagjes “5 Maji”, mori pjesë edhe Liza Marku, e njohur në ditët e fundit në rrjetet sociale si “nënë Liza” pas pamjeve të publikuara gjatë trajtimit çnjerëzor nga policia.

Në bisedën e saj me Arbjan Maznikun, nënë Liza iu kundërvu duke i thënë se përveç përballjes me uniformat, tani i duhet të flejë jashtë kur është 78 vjeçe. Ajo i kërkoi Maznikut një afat konkret për përfundimin e shtëpisë si dhe ruajtjen e hapësirës që ka aktualisht shtëpia.

Mazniku, në shpjegimin e tij për situatën, tha se shtëpia e Liza Markut është e palegalizuar dhe i qëndroi fjalëve të mëparshme që familja do të marrë një objekt me hipotekë si dhe bonusin e qerasë.

Arbjan Mazniku: E përmendëm 5 herë çështjen e premtimit, nuk është as premtim i bashkisë, as i askujt. Ka një vendim.

Liza Marku: Ku do e marr?

Arbjan Mazniku: Te pallatet që janë duke u ndërtuar ngjitur me shtëpinë e tyre.

Liza Marku: Kur mbaron shtëpia, pyet nëna?

Arbjan Mazniku: Shtëpia e nënës do të mbarojë jo më shumë se 1 vit nga sot.

Liza Marku: Ju s’keni përcaktuar as një vit, as një ditë.

Arbjan Mazniku: E ka të shkruar në kontratë, e kanë kontratat e kompanive që po bëjnë ndërtimin.

Liza Marku: Kanë ardhur e kanë fikur dritat dhe kanë ikur tamam hajdutshe. Të isha një nënë pa fëmijë, por më dhimbsen fëmijët se pa i marr tre vetë të vdekur në arkivol. Të nxjerrin jashtë fëmijët 2 vjeç e 3 vjeç se nuk keni faj ju se jeni brenda e ne jemi jashtë. E dua metër për metër, 356 metra siç është shtëpia, centim për centim, kur mbaron dhe shkruajeni në kontratë.

Arbjan Mazniku: E ka në kontratë./tvklan.al













Të ngjashme

Autori: Blendi Fevziu

20:16 20/01/2022