Të ftuar: Aleksandër Frangaj, Baton Haxhiu, Armand Shkullaku, Erla Mehilli, Preç Zogaj

A duhet të bëjë bashkëpunim Basha me Ramën pas fitores së PS-së me 74 mandate?

“E thënë me troç, do të jetë apo jo Lulzim Basha ai që do të drejtojë Partinë Demokratike, në katër vitet e ardhshme, kjo është ekskluzivisht puna juaj, por me apo pa Lulzim Bashën ne e kemi shumë të qartë se opozita jonë e vetme është Partia Demokratike dhe fitorja jonë e madhe, e qartë dhe e thellë, nuk na e bën më të vogël, por më të madh, detyrimin që t’i shtrijmë dorën e një bashkëpunimi të sinqertë, konkret, demokratik, pa asnjë paragjykim, apo kufizim, Partisë Demokratike të Shqipërisë. Unë dua të jem kryeministri i të gjithë shqiptarëve”, tha Rama gjatë fjalimit të fitores së zgjedhjeve të 25 Prillit.

Kjo deklaratë e përmendur nga kryeministri Edi Rama të martën u komentua në studion e “Opinion” në Tv Klan. Mes të ftuarve u fol për një ftesë nga ana e Ramës për të bashkëpunuar dhe bashkëqeverisur me PD-në. Por çfarë do të sillte kjo për vendin sipas të ftuarve?

“Nëse e kanë këtë plan është katastrofë për vendin”, tha gazetari Blendi Fevziu.

Ndërkohë, drejtori i Tv Klan, Aleksandër Frangaj, u shpreh se fitorja me 74 mandate e Partisë Socialiste në zgjedhje e bën të pamundur një bashkëqeverisje mes dy forcave politike më të mëdha në vend. Sipas tij, një qeveri e madhe mes dy palëve të mëdha do të ishte në të mirë të vendit pasi do të kalonin reforma të rëndësishme. Frangaj u shpreh se ka vende demokratike, duke përmendur Gjermaninë, që kanë bërë një qeveri të madhe.

“Kam frikë se e bën të pamundur ky rezultat. Nuk do ishte keq. Prej shumë kohësh e kam artikuluar që është në të mirë të vendit, të reformave të mëdha, të integrimit në Europë, për reforma kushtetuese, reforma prone që janë bërë të sajuara, shtesa amendamente dhe asnjëherë nuk kanë dhënë rezultat si duhet që nga problemi i pronës e me radhë. Do ishte e mirë për vendin. Një vend i vogël me 2 milionë banorë që zihemi dhe kacafytemi për asgjë dhe xhirojmë në vend tash 30 vjet, unë them që një qeveri e madhe e dy palëve të mëdha do të ishte në favor të zhvillimit të vendit. Ka vende demokratike që e kanë bërë. Unë them që këtë radhë është e pamundur sepse po të ishte me numra 70-70 nuk do e përjashtoja dhe do e mbështesja”, tha Frangaj.

Ndryshe mendon analisti Armand Shkullaku. Sipas tij një koalicion i gjerë nuk i bën mirë vendit pasi nuk mbrohen interesat e qytetarëve. Shkullaku shtoi se qytetarët kanë votuar PD-në për të larguar Ramën dhe nëse do të futeshin në një qeveri bashkë Basha bëhet “noter që t’i vulosë Ramës, çdo gjë që bën.

“620 mijë njerëz që kanë votuar këtu për PD, nuk kanë votuar që ta shohin me Edi Ramën. Ata kanë votuar kundër Edi Ramës. Lëreni LSI-në se po marr PD-në. Ata 620 mijë vetë kanë votuar që të mos e shohim më kryeministër. Kjo është fryma që rriti votat. Ai është vullneti i sovranit për të pasur në opozitë PD-në, pikë. Në një vend që nuk ka sindikata, s’ka shoqëri civile, interesat e qytetarëve kush do i mbrojë? Ata kanë votuar sepse ka 8 vjet opozita që thotë se di Rama po abuzon dhe po kontrollon të gjitha pushtet. Këta thonë ta bëjmë Lulzim Bashës noter që t’i vulosë Ramës, çdo gjë që bën Rama. Opozita ka tjetër mision, nuk lihet vendi pa opozitë”, tha Shkullaku.

Ndërkohë Erla Mëhilli shtoi se, “Numerikisht Edi Ramës nuk i duhet fare Lulzim Basha. Shqiptarët kanë votuar që Edi Rama dhe PS t’i qeverisë, dhe Lulzim Basha e PD të jenë në opozitë. Nëse do të futeshin në qeveri ky do të ishte deformim i vullnetit të qytetarëve”.

Analisti Preç Zogaj tha se një qeveri me bazë të gjerë duhet të ndikohet nga numrat dhe duke qenë se PS-ja e ka shumicën, kjo nuk do të bënte sens. Prandaj sipas tij, rezultati që doli nuk e përligj bashkëjetesën.

“Një qeveri i koalicionit të madh që nuk diktohet nga numrat nuk ka sens. Vetë PD-ja, kushdo që të jetë aty e Luli nuk kanë mundësi që ta pranojnë sepse populli ka votuar. Edi Rama ka marrë përgjegjësinë. Rama ka luksin që bën akrobaci me këtë ftesë sepse nuk pyet njeri. Të ftosh një palë për bashkëqeverisje pa mbledhur një forum veç një lider që është vetë zot vetë shkop mund ta bëjë. Kjo është një gjë e madhe. Ai është tërhequr nga ajo. Edhe në fushatë tha që mua më keqkuptuat, e tha për bashkëpunim për reformat. Rezultati që doli nuk e përligj bashkëqeverisjen. Edhe po ta ketë dashur Rama, qytetarët e votuan më shumë dhe i thanë qeveris vetëm”, tha Zogaj.

A është Shqipëria një vend i majtë që nuk mundet dot nga e djathta?

Drejtori i Tv Klan, Aleksandër Frangaj i ftuar mbrëmjen e kësaj të marte në programin “Opinion” tha se Shqipëria nuk mund të jetë një vend i majtë, pasi në 2009-n Sali Berisha e ka mundur Edi Ramën, duke marrë më shumë se 70 mandate. Por ndryshimet në Kodin Elektoral, LSI-ja dhe nisja shumë vonë e fushatës, sollën këtë rezultat.

“Nuk mund të mundësh pushtetin duke caktuar shefat e qarqeve vetëm 30 ditë para zgjedhjeve”, tha Frangaj.

Blendi Fevziu: Ka një gjë që qarkullonte sot nëpër Facebook dhe rrjete sociale dhe që qarkullon prej shumë vitesh, që thonë që ky popull është i majtë, mos u lodhni fort, këtë popull e ka në dorë, por kjo është kriminale ta thuash.

Aleksandër Frangaj: Prandaj në 2009-n ka dalë 50-50.

Blendi Fevziu: Fiton PD, e ka mundur gjithë ato herë, cilat janë defektet që s’fitoi?

Aleksandër Frangaj: Në 2009 Sali Berisha ka marrë 70 mandate, gjysmën e votave të shqiptarëve.

Erla Mhilli: Dhe nuk ia doli dot të qeveriste, iu desh dhe 1 mandat i LSI.

Aleksandër Frangaj: 1 mandat është aksident, nuk mund të thuash që Shqipëria është vend i majtë. Pse qenka i majtë këto dy vjet?

Erla Mhilli: E ke çuar duke u tkurrur pra humb 230 mijë vota.

Armand Shkullaku:  Po e vumë këndvështrimin do gjejmë LSI-në, do gjejmë…

Aleksandër Frangaj: Nuk më latë të flas, ai ishte një.

Armand Shkullaku: Jam dakort që Lulzim Basha nuk punoi 4 vjet.

Aleksandër Frangaj: Padiskutim.

Armand Shkullaku: Që nuk ngriti frymën e partisë që nuk bëri konkurencë të vërtetë.

Erla Mhilli: Që nuk bëri një front të madh opozitar.

Armand Shkullaku: Që nuk bëri lista më të mira se këto, jemi të gjithë dakord, por kjo duhet vënë përballë asaj që Edi Rama e tha sot që ka përballë një makineri.

Aleksandër Frangaj: Po pse nuk e ndërton ti makinerinë? Ti e konsideron negative atë që ka makinerinë dhe opozitën. Hyre pa asnjë bashki në Shqipëri, i le Edi Ramës 60 shtabe elektorale në të gjithë territorin.

Armand Shkullaku: Të gjitha këto 61 bashki, 20 ministra, të gjithë këta…

Aleksandër Frangaj: LSI-ja në një anë…

Armand Shkullaku: Shtimi i punonjësve në administratën shtetërore vetëm vitin e fundit. Të gjitha këto makineria shtetërore që përdoret në mënyrë të paligjshme në fushatë ndikuan në fushatë. Po në fushatë ndikoi edhe Kodi Elektoral, Sandër, që nuk është bërë kurrë pa marrëveshje…

Aleksandër Frangaj: Të gjitha, pa diskutim.

Armand Shkullaku: Ai kod elektoral po të ishte ndryshe Rama do të ishte në opozitë sot. Edhe po të kishte hyrë PD me LSI në një listë ndoshta do ishin në opozitë sot.

Erla Mhilli: Jo, do ta kishin maksimizuar votën më shumë.

Blendi Fevziu: Po rrezikonin të fitonin.

Armand Shkullaku: Do t’i japim ça i takon opozitës, prandaj e thashë në fillim dhe fakti që nuk arrin dot të mbrojë votat duhet të japë dorëheqjen, por duhet të themi disa të vërteta për këtë qeveri, që është shndërruar në përdorimin e elementit kriminal deri në futjen e tyre në parlament, në përdorimin e të gjithë resurseve shtetërore për fushatë ilegale.

Aleksandër Frangaj: Nuk të kundërshtoj për këto e kishim a është Shqipëria një vend i majtë që nuk mundet dot nga e djathta?

Blendi Fevziu: Edhe që duke bërë ndryshimet në kod siguroi disa mandate edhe që prishi koalicionet, po të gjitha këto i dinim në zgjedhje.

Armand Shkullaku: Këto i dinim, po ti si forcë opozitare nuk arrite dot që unë atë që e quajta vërshim të njerëzve për ndryshim, dëshirë të madhe për ndryshim nuk e realizove dot dhe kjo mjafton për të marrë përgjegjësitë.

Blendi Fevziu: I mori përgjegjësitë Basha iku, erdhi Basha numër dy, nuk ka rëndësi se kush, Rama thotë “kushdo të jetë në PD nuk më mund dot”.

Aleksandër Frangaj: Ai është fitues, nuk ia mohon dot të drejtën të thotë “Unë jam më i miri”. E mundi Sali Berisha në 2009-n Fevzi, 710 mijë ka marrë, Edi Rama, bie poshtë.

Armand Shkullaku: 130 mijë vota përpara është dhe mos të harrojmë kemi një ndarje elektorale sipas hartës së PS-së, si shpërndahen mandatet.

Erla Mhilli: Nuk mori pjesë PD, janë të gjitha pasoja që mblidhen në fund.

Armand Shkullaku: Nuk mori pjesë pra, duhet të themi në fund se me kë u përballë. Dhe për faktin që besoi se një regjim mund ta mposhtim me vota do paguaj faturën në fund.

Erla Mhilli: Ai nuk erdhi një ditë para zgjedhjeve. Ai aty ishte është kundërshtari, duhet të ndërtosh strategji për ta mundur atë lloj kundërshtari.

Blendi Fevziu: Nëse nuk do të mundet me vota si do shkohet Shkullak?

Armand Shkullaku: Do të bësh një strategji tjetër nëse nuk beson që do ta mundësh me vota duhet të bësh një strategji tjetër e thamë duhet të punonte shumë kohë më parë.

Aleksandër Frangaj: Strategjia e fushatës së Bashës nuk ishte e keqe. Marrëzitë i ka pasur më herët në fushatë ai ndryshoi.

Armand Shkullaku: Fushata është në rregull, unë po flas për organizimin.

Aleksandër Frangaj: E filloi shumë vonë, zbriti në terren shumë vonë dhe shumë më pak sesa kundërshtari. Ti do të mundësh pushtetin dhe i cakton shefat e qarqeve 30 ditë para zgjedhjeve.

Blendi Fevziu: Shikuesit nuk duan t’ia dinë për shefat e qarqeve.

Aleksandër Frangaj: Po nuk punoi o Fevzi, se Edi Rama erdhi në Shkurt-Mars me 10 pikë para. Nuk ndryshon 10 pikë për 1 muaj, harroje ti, merr pyet specialistët e sondazheve më të mirë në botë.

Armand Shkullaku: Pamë edhe exit-pollet, Sandër që është më e saktë se sondazhi.

Aleksandër Frangaj: Po flas për parim merr çdo lloj specialist. E mbaj mend më ka thënë Sali Berisha sa herë flisja Sandër opozita që ta mund pushtetin duhet të jetë të paktën 10 pikë para deri në fushatë, sepse gjithmonë pushteti, qeveria rritet në 30 ditëshin e fushatës. Kjo opozitë shkoi 10 pikë mbrapa.

Mesazhi që i erdhi Fevziut: Jemi ata që kemi sulmuar faqen e KQZ-së

Një mesazh erdhi në telefonin e Blendi Fevziut këtë të martë, duke pretenduar se janë hakerat që kanë sulmuar faqen e KQZ-së. Gazetari e lexoi mesazhin gjatë emisionit “Opinion”, ku thuhej se sulmi ishte kryer për shkak se KQZ nuk ndëshkon hiletë në zgjedhje.

Edhe pse ku mesazh ishte dërguar nga jashtë vendit, Fevziu tha se kjo gjë duhet verifikuar nëse realisht kemi të bëjmë me grupin e  hakerave që kanë sulmuar KQZ-në.  

Blendi Fevziu: Kam marrë një mesazh tani, por duhet ta verifikojmë thotë “jemi Albanian Cyber Crew, që kemi sulmuar faqen e KQZ-së”.

Armand Shkullaku: Për çfarë e sulmojnë atë faqe?

Blendi Fevziu: Ku e di unë? “Për hiletë”, thotë. “Që KQZ nuk po ndëshkon hilet në zgjedhje”.

Armand Shkullaku: KQZ-ja nuk nxjerr dot pjesëmarrjen o Fevzi çfarë të sulmojnë kot!

Blendi Fevziu: Duhet verifikuar. Është numër nga jashtë në fakt.

Frangaj: LSI ka qenë goditje shumë më e madhe për mosfitoren për PD

Drejtori i Tv Klan, Aleksandër Frangaj tha mbrëmjen e kësaj të marte në “Opinion” se sondazhet e nxirrnin Ilir Metën një personazh me negativitet deri në 80 përqind. Frangaj u shpreh se ndonëse Basha kishte mendim pozitiv në publik, fakti që ai ishte në koalicion me LSI e penalizoi, pasi votuesit e dinin që bashkë me Bashën do të votonin edhe Kryemadhin. Sipas Frangajt, leximi i këtyre të dhënave të sondazheve e bënë Ramën që ta shfrytëzonte në favorin e tij, duke bërë bashkë Lulzim Bashën dhe Monika Kryemadhin.

Aleksandër Frangaj: Lulzim Basha ishte koalicion partner me Ilir Metën, në këto zgjedhje, nuk kishte as një shans me marrë vota. Pse? Strategjia që ndoqi Rama ka ardhur si rezultat i leximit të sondazheve, të gjitha sondazheve, të tijat kryesisht, ku njeriu më negativ ndër politikanët shqiptarë, me negativitetin më të madh ishte Ilir Meta, me 80 përqind negativ. Jemi dëshmitarë?

Baton Haxhiu: Po, e di.

Aleksandër Frangaj: Nga ana tjetër, Lulzim Basha nuk dilte negativ, nuk ka pasur negativitet.

Blendi Fevziu: Jo, negativitetin e ka pasur më të ulët se të tjerë.

Aleksandër Frangaj: Pra Lulzim Basha si individ kishte një pëlqyeshmëri, por jo negativitet të skajshëm si Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi. Dhe gjithë strategjia e Edi Ramës, duke parë që kishte një kovë me, s’po ia them emrin, po nga ana tjetër kishte Lulzim Bashën një djalë të mirë, i pëlqyer, jo i urryer, u përpoq dhe i bëri bashkë, vota për Lulin tha është votë për këtë kovën me m*t. Dhe një pjesë e mirë e shqiptarëve, normalë, jo partizanë, nuk guxuan ta votojnë Lul Bashën, sepse thanë vota për Lulin, që unë do ia jepja po të mos ishte me Monikën… Unë e kam bindje që LSI ka qenë goditje shumë më e madhe për mosfitoren. Nuk po e quaj për humbjen, por dua ti vej një emër: mos fitoren e Lulit.

Blendi Fevziu: Dhe ti e quan argument kryesor këtë?

Aleksandër Frangaj: Një nga. Unë di shumë njerëz dhe ti je dëshmitarë se ne jemi miq dhe rrime përditë bashkë, shumë njerëz, jo partizanë, na kanë thënë që do ta votoja Lulin, do të votoja Fred Rushajn, Jorida Tabakun, pra disa personazhe me pozitivitet si natyrë, si politikanë, por nuk e votoj sepse vota shkon tek Monika.

Frangaj: Përse humbi Lulzim Basha

Drejtori i Tv Klan, Aleksandër Frangaj, u shpreh këtë të martë në emisionin “Opinion” se një ndër shkaqet që kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, humbi është papëlqyeshmëria në publik.

Frangaj tha se gjatë dy sondazheve të kryera nga Tv Klan në muajt Shkurt dhe Mars, kryeministri Edi Rama ka rezultuar disa pikë më lart mbi kryetarin e PD-së, Basha, sa i përket pëlqyeshmërisë në publik.   

Blendi Fevziu: Pse nuk u mundka PS-ja?

Aleksandër Frangaj: Sepse jo pa qëllim ta përmenda sondazhin pasi ti e di shumë mirë dhe Shkullaku e di shumë mirë, që kryetari i PS-së, Edi Rama, është disa pikë, shumë pikë mbi kryetarin e PD-së si pëlqyeshmëri publike. E pranojmë. Atëherë si mundet një kandidat i opozitës që e ka pëlqyeshmërinë personale, individuale më të ulët se kryetari i mazhorancës, nëse je më pak i pëlqyer se publiku shqiptar, si do ta mundësh atë që është më i pëlqyer nga publiku.

Baton Haxhiu: Ma thuaj pse Lul Basha është në pikën e tillë?

Aleksandër Frangaj: Fevziu më tha pse nuk e mund. Të thashë nuk e mund dot sepse nëse mes Batonit dhe Shkullakut që hyjnë në garë Batoni është i preferuar normalisht që do të marrë më shumë vota. Nëse shqiptarët preferojnë kandidatin X, atë do votojnë sepse ndryshe nuk e pëlqejnë nëse nuk është më i mirë.

Frangaj: 2 sondazhet që bëri Klani në Shkurt dhe Mars nxorën saktësisht këtë rezultat të zgjedhjeve

Drejtori i Televizionit Klan, Aleksandër Frangaj në studion e “Opinion” tha se gjatë muajit Shkurt dhe Mars Televizioni Klan ka bërë dy sondazhe në të cilat rezultati i zgjedhjeve të 25 Prillit është ‘kokë më kokë’. Sipas Frangajt, nga këto sondazhe rezultonte se kryetari i PS, Edi Rama kishte shumë më shumë pëlqyeshmëri në publik sesa ai demokrat. Kjo sipas tij është edhe arsyeja përse sot kemi këto rezultate nga zgjedhjet, që nxjerrin fituese Partinë Socialiste.  

Aleksandër Frangaj: Partia Demokratike në këto zgjedhje nuk e mundte dot Partinë Socialiste.

Blendi Fevziu: Përse nuk e mundte?

Aleksandër Frangaj: Televizioni Klan ka bërë vetë 2 sondazhe në Shkurt dhe Mars, dhe në të dy sondazhet që ne kemi bërë është ky rezultat, kokë më kokë. Kompania Trafalgar, kompania amerikane që ne e kontraktuam, nuk e bëmë publik sondazhin…

Blendi Fevziu: Vetëm ka një problem, sondazhi mat situatën. Unë nuk pyes si ishte situata. Them teorikisht, përse nuk e mundte dot?

Aleksandër Frangaj: Përse ta përmenda sondazhin? Ta përmenda sondazhin sepse ti je dëshmitar, sepse ti je dhe bashkautor i porosisë tek kjo kompani, për të thënë që të gjitha këto që fliten, bëri këtë apo atë, që përmendi Shkullaku apo shumë të tjerë, nuk qëndrojnë, duhet të flasim hapur, pavarësisht se duam të mbrojmë një palë apo një tjetër, jemi gazetarë apo analistë.

Blendi Fevziu: Pse nuk e mundka dot teorikisht?

Aleksandër Frangaj: E para, zgjedhjet i ka fituar PS. PS nuk mundet sepse, ta përmenda sondazhin jo pa qëllim. Në sondazh ti Fevzi e di shumë mirë dhe Shkullaku e di shumë mirë, që kryetari i PS, Edi Rama është disa pikë, shumë pikë mbi kryetarin e Partisë Demokratike, si pëlqyeshmëri publike. E pranojmë. Atëherë si mundet një kryetar i opozitës që e ka pëlqyeshmërinë personale, individuale më të ulët se kryetari i mazhorancës… Nëse ti je më pak i pëlqyer nga publiku shqiptar, si do ta mundësh atë që është më i pëlqyer, normalisht do të marrësh më shumë vota. Nëse shqiptarët preferojnë kandidatin X, atë do të votojnë./tvklan.al