Opinion-Kush janë deputetët më të votuar?



Opinion-Kush janë deputetët më të votuar?

21:28 28/04/2021

Të ftuar në studio: Iris Luarasi, Artan Hoxha, Ergys Mertiri, Alba Alishani, Rezart Cenaj, Blerim Gjeladini

Sa vota duhet të marrë një kandidat për t’u bërë deputet, shifra për të gjitha qarqet

Teksa numërimi i votave për kandidatët për deputetë vijon në pjesën më të madhe të qarqeve, në “Opinion”, Blendi Fevziu sqaroi sesa vota u duhen kandidatëve për të siguruar mandatin.

“Në Berat kandidatëve u duhet që të marrin 11,562 vota, mesatarja për deputet. Në Dibër 13,835 vota, në Durrës 11,520 vota, në Elbasan 11,860 vota për një deputet, në Fier 11,431 vota, në Gjirokastër 11,972 vota, në Korçë 11,927 vota, për deputet për t’u zgjedhur, pra secili që pretendon të ngrihet në listë duhet të kalojë këtë shifër. Në Kukës 13,631 vota, në Lezhë 10,943 vota, në Shkodër 10,354 vota, në Tiranë 13,465 vota dhe në Vlorë 8,888 vota”, shpjegoi Fevziu.

Kjo shifër është për të gjithë ata kandidatë që ndodhen poshtë vijës së kuqe të listës fituese.

Zbulohen shifrat, sa para u harxhuan për fushatë në rrjetet sociale

378 364 Dollarë. Është kjo shifra që partitë politike dhe kandidatët kanë shpenzuar në Instagram dhe Facebook gjatë fushatës.

Shifrat u bënë të ditura gjatë emisionit “Opinion” këtë të mërkurë nga eksperti Blerim Gjeladini, i Terra Data-s.

Ai u shpreh se kjo shifër është paguar vetëm gjatë muajit të fushatës dhe jo përpara kësaj periudhe.

“Aty janë të përfshirë edhe media që kanë bërë postime boost për çështje politike, sondazhe të ndryshme, tituj të ndryshëm, që lidhen me fushatën”, tha Gjeladini.

PS apo PD, cila parti shpenzoi më shumë në Facebook?

Pandemia ndikoi shumë në fushatën që u zhvillua në Shqipëri në zgjedhjet e 25 Prillit. Kandidatët për deputetë, por edhe partitë gjetën një mundësi të mirë duke iu drejtuar publikut nëpërmjet rrjeteve sociale.

Në emisionin “Opinion” u tha këtë të mërkurë se gjithsej nga partitë dhe kandidatët janë shpenzuar 378 364 Dollarë. Por cilët janë dy partitë që kanë paguar më shumë?

Në listën që u lexua në studio janë vetëm Partia Socialiste dhe Partia Demokratike. Selia rozë ishte e para sa i përket sponsorizimeve që ka bërë në Facebook dhe Instagram, madje edhe përpara se kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

64 482 Dollarë, tha eksperti Blerim Gjeladini se ka sponsorizuar PS-ja në rrjetet sociale. Sipas tij, selia rozë e ka organizuar përmbajtjen (content) duke e centralizuar drejt PS-së dhe jo kandidatëve.

Ndërkohë, Partia Demokratike, partia më e madhe opozitare renditet disa vende më poshtë me 4 762 Dollarë sponsorizim.

Paratë e hedhura në rrjetet sociale, kush janë kandidatët që nuk u kursyen gjatë fushatës

Mitingjet në këtë fushatë zgjedhore munguan. Shkak u bë situata e pandemisë. Por si iu drejtuan kandidatët për deputetë publikut? Zgjedhja ishte nëpërmjet rrjeteve sociale. Por kjo nuk u realizua pa kosto. Secili prej tyre ka sponsorizuar postimet në Facebook dhe Instagram kundrejt parave. Por si renditen ata? Eksperti Blerim Gjeladini nga Terra Data solli në “Opinion” këtë të mërkurë renditjen e kandidatëve që kanë paguar më shumë në rrjetet sociale.

Ndër ta, i pari është kreu i PD-së Lulzim Basha me 28 542 Dollarë.

“Strategjia për të rritur Bashën dhe jo partinë”, tha Blendi Fevziu.

Në vendin e dytë vinte Agron Shehaj i PD-së me 22 640 Dollarë. I treti në listë ishte Astrit Patozi me 6 826 Dollarë sponsorizime. Pas tij renditet Vojo Bregu i LSI-së me 5 763 Dollarë. Sipas analistëve në studio sponsorizimet e këtyre dy kandidatëve nuk janë përkthyer në vota.

Pas tyre vjen kandidati i PS-së Arben Pëllumbi me 4 829 Dollarë të sponsorizuara, kandidati tjetër Alqi Bllako me 4 680 Dollarë, Eduard Shalsi me 4 544 Dollarë sponsorizime.

Tom Doshi ka paguar 4 455 Dollarë gjatë fushatës sipas ekspertit, ndërsa Belind Këlliçi i PD-së 4 225 Dollarë.

Shpenzime në rrjetet sociale ka bërë edhe Monika Kryemadhi me 2 962 Dollarë sponsorizime.

Fushata zgjedhore, Fevziu: Më e shpifura në 30 vite

Gazetari Blendi Fevziu e konsideron këtë fushatë që u organizua për zgjedhjet e 25 Prillit si më të shpifurën që ka parë këto 30 vite. Sipas tij, gjysma e kësaj fushate ishte false

“Unë e kam ndjekur këtë fushatë që është më e shpifura që kam parë ndonjëherë në 30 vjet. Ishte një fushatë 50% fake”, tha Fevziu.

Duke komentuar fushatën e kandidatit demokrat Agron Shehaj në rrjetet sociale, sipas Fevziut ishte nga të paktët e natyrshëm.

“Ishte nga të paktët njerëz që ishte i natyrshëm, ishte normal. Kam përshtypjen që natyraliteti dhe vërtetësia akoma vlen. Kur të vijë koha që falsiteti të kalojë vërtetësinë mbase ndodh”, tha Fevziu.

Ndërkohë sipas ekspertit nga Terra Data i Blerim Gjeladinit, Shehaj ka bërë fushatën për profesionale brenda PD-së.

“Ka bërë një fushatë për mendimin tim, më profesionale brenda PD-së”, media plan, diskutimi, kontenti, qasja, diskutimi, postimet”, tha Gjeladini.

Kush janë kandidatët më të votuar deri më tani

Teksa kanë mbetur ende shumë kuti për t’u numëruar në pjesën më të madhe të qarqeve në vend, për kandidatët për deputetë, në “Opinion” u fol për emrat më të votuar deri në këto momente në rang vendi.

Kështu, sipas listës paraprake, në krye qëndron socialisti Taulant Balla, i cili kandidaton në qarkun e Elbasanit. Balla numëron deri më tani 17,874 vota.

Pas tij vjen Bledar Çuçi, i cili kandidon në Gjirokastër. Çuçi ka deri më tani 11,814 vota. Edi Rama është i treti dhe numëron 11, 412 vota, i ndjekur nga Niko Peleshi me 11,330 vota.

1-Taulant Balla PS 17,874 vota

2-Bledar Çuçi PS 11,814 vota

3-Edi Rama PS 11, 412 vota

4-Niko Peleshi PS 11,330 vota

5-Saimir Hasalla PS 11,053 vota

6-Blendi Klosi PS 10,381 vota

7-Erion Braçe PS 10,207 vota

8-Aurora Mara PS 9,367 vota

9-Flamur Hoxha PD-AN 9,159 vota

10-Ervin Salianji PD-AN 9,133 vota

11-Belinda Balluku PS 8,407 vota

12-Blendjon Nallbati PD-AN 7,325 vota

13-Dashnor Sula PD-AN 7,262 vota

14-Lulzim Basha PD-AN 7,166 vota

15. Paulin Sterkaj PS 6,932 vota

16. Tom Doshi PSD 6,607 vota

17. Anila Denaj PS 6,428 vota

18. Eduard Ndreca PS 6,211 vota

19. Ilirian Pendavinji PS 6,170 vota

20. Luan Duzha PS 6,168 vota

21. Bardhyl Kollçaku PS 6,104 vota

22. Damian Gjiknuri PS 6,009 vota

23. Helidon Bushati PD-AN 5,931 vota

24. Zef Hila PD-AN 5,892 vota

25. Vullnet Sinaj PS 5,759 vota

/tvklan.al










Të ngjashme