Opinion – Sali Berisha, ç’do të ndodhë më 7 Korrik?




Opinion – Sali Berisha, ç’do të ndodhë më 7 Korrik?

Autori: Blendi Fevziu

21:00 30/06/2022

Të ftuar Fatjona Mejdini dhe Enton Abilekaj përballë Sali Berishës.

Çfarë do ndodhë më 7 Korrik? Berisha: Populli shqiptar do të zbresë në histori

Në datë 7 Korrik, populli opozitar do të zbresë në rrugë për të bërë rrugën. Kështu është shprehur kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha në një intervistë për emisionin Opinion në Tv Klan, kur u pyet për protestën e opozitës më 7 Korrik.

Berisha thotë se shoqëria shqiptare do të zbresë në histori. Protesta, tha Berisha, ishte një thirrje e shoqërisë për të dalë në protesta.

“Populli, shoqëria shqiptare zbret në histori. Populli zbret në rrugë për të bërë rrugën. Sigurisht populli opozitar, por gradualisht mbarë populli shqiptar besoj. Beteja nuk pret mot, beteja kur të thërret do t’i përgjigjesh. Ishte një thirrje e përgjithshme e demokratëve, e grupeve të mëdha të interesit, e bizneseve. Ishte e mjekëve,  intelektualëve, shoqërisë civile”, u shpreh Sali Berisha.

Kryedemokrati shtoi se Lulzim Bashës dhe Enekelejd Alibeajt u këshilloi mos të marrin pjesë në protestë, duke i konsideruar si “zjarrfikësit e opozitës”.

Sali Berisha: Njeriu i vetëm që mund Edi Ramën jam unë

Ish-Kryeministri dhe kryedemokrati Sali Berisha shprehet i bindur se personi i vetëm që mund të fitojë në politikë përballë Edi Ramës, është ai.

I ftuar në emisionin Opinion në Tv Klan, Berisha numëroi zgjedhjet që ka fituar përballë Ramës dhe i vetmi që mund ta mundë është vetë Sali Berisha.

Blendi Fevziu: Në qoftë se një herë e keni mundur Ramën, një herë ju ka mundur…

Sali Berisha: Jo, 2 herë, mos i moho. E kam mundur 3 herë.

Blendi Fevziu: Si 3 herë? Në 2009 e munde, në 2013 të mundi.

Sali Berisha: Në 2011?

Blendi Fevziu: Po ato ishin zgjedhje lokale.

Sali Berisha: Jo, e ke gabim. Në 2011 Edi Rama kishte mitin e të pathyeshmit. Dhe Edi Rama u palos në 2011. Pra, njeriu i vetëm që mund të mundë po të marrësh betejat, jam unë se jemi 2 me 1.

Berisha zbulon çfarë bisedoi me Ilir Metën në Azerbajxhan

Presidenti Ilir Meta dhe kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha morën pjesë në një samit ndërkombëtar në Baku të Azerbajxhanit disa javë më parë.

Meta dhe Berisha u fotografuan të dy bashkë të ulur në një tavolinë duke diskutuar. Por cila ishte tema e diskutimit?

I ftuar në emisionin Opinion në Tv Klan, Berisha është pyetur nga Blendi Fevziu se çfarë ka biseduar me Metën.

Sali Berisha: Natyrisht diskutimi ka qenë politik. Nuk kemi diskutuar aty për çështje jo politike.

Blendi Fevziu: Çfarë keni folur? Ka pasur një vesh të tretë që ka dëgjuar atje?

Sali Berisha: Atje ishte një tavolinë e tërë me njerëz. Padiskutim që kemi diskutuar për problemet e vendit.

Blendi Fevziu: Ka një rakordim mes jush dhe Ilir Metës post President?

Sali Berisha: Absolutisht do ketë një rakordim të plotë. S’ka rëndësi a ka. Do ketë një rakordim të plotë në frontin për shpëtimin e Shqipërisë dhe Ilir Metën dhe me cilindo forcë politike që dëshiron të bashkohet me këtë front. Nuk mund të imagjinohet ndryshe.  /tvklan.al











Të ngjashme

Autori: Blendi Fevziu

21:00 30/06/2022