Opinion – Për çfarë akuzohet Meta në SPAK?

Opinion – Për çfarë akuzohet Meta në SPAK?

Autori: Blendi Fevziu

00:53 16/09/2022

#Opinion | Emision politik live nga #BlendiFevziu në #tvklan

Të ftuar: Genc Gjokutaj, Mark Marku, Preç Zogaj, Glidona Daci, Poli Hoxha, Spartak Koka, Artan Hoxha. Në lidhje Skype: Halit Valteri, Monika Kryemadhi

“Kurrë nuk është marrë një shumë nga Kryemadhi siç pretendohet”, Gjokutaj tregon emailin nga klinika në San Marino

Avokati Genc Gjokutaj gjatë emisionit “Opinion” ka folur këtë të enjte në lidhje me kallëzimin nga avokati Idajet Beqiri për ish-Presidentin Ilir Meta dhe Monika Kryemadhin. Sipas Gjokutajt, Kryemadhi ka marrë gjatë ditës së sotme një email nga klinika në San Marino ku thuhet se kurrë nuk është marrë një shumë nga ish-liderja e LSI-së siç pretendohet në kallëzimin e dërguar në SPAK.

“Kallëzimi është një akt procedurial mbi bazën e të cilit kallëzuesi ka detyrimin ligjor që të provojë akuzën e tij. Pra barrën e provës deri në momentin që prokuroria regjistron këtë kallëzim e ka kallëzuesi. Dhe kallëzuesi nuk mund të operojë me fatura. Kallëzuesi duhet nëpërmjet dokumenteve autentikë të provojë cili është shkaku dhe pasoja e kësaj afere. Që të vesh në lëvizje SPAK-un me një faturë, nuk është ligjore. Kodi Procedurës Penale njeh kallëzimin nga nëpunësit e lartë shtetërore, nëpunësit për shkak të detyrës dhe shtetasit. Çfarë problemi ka këtu? Shtetasit bëjnë kallëzim në 95% të rasteve kur janë viktimë e veprës penale. Zoti Beqiri ka dy probleme. E para që për shkak të detyrës nuk mund t’i sigurojë këto dokumente sepse ky është kamarier i një kuzhine. Nuk mund t’i sigurojë për shkak të detyrës. Si shtetas, asnjë shtetas nga ne nuk mund të sigurojë të dhëna të tilla. Dua të shpjegoj për publikun ky është ndryshimi mes kallëzimit në kuptimin procedural dhe fletërrufesë. Megjithatë nëse SPAK do ta regjistroje problemi është këtu, nuk është në funksion të detyrës së tij, normalisht këto lloj kallëzimesh bëhen nga nëpunës të agjencive që merren me këto procedura dhe gjatë punës mes tyre konstatojnë shkelje të tilla. Në lidhje me këtë të San Marinos, jo më larg se sot zonja Monika Kryemadhi ka kërkuar ndihmë nga klinika dhe ka marrë një email të cilën ne do ta marrim në formë zyrtare nga klinika ku thuhet që kurrë nuk është marrë një shumë nga Monika Kryemadhi siç pretendohet në këtë kallëzim. Thotë klinika Domus Medica SPA”, tha Gjokutaj.

Sipas Gjokutajt, kallëzuesi duhet të ketë integritet. Avokati u shpreh se Idajet Beqirit “i ka thënë dikush të bëjë kallëzimin”

“Plus ka një problem që opinioni duhet ta dijë që në një kallëzim ka të bëjë shumë edhe integriteti i një personi që e bën kallëzimin. Të flasësh për një subjekt kallëzues sot i dënuar serial për vepra falsifikimi dhe mashtrimi dhe i dëbuar nga 3 shtete, 2 herë në Amerikë. Në Gjermani nëse një politikan dënohet për korrupsion edhe për 1 qindarkë, nga gjykata hiqet e drejta e fjalës në publik. Ne këtu bëjmë kallëzime, hidhet letra në SPAK dhe tani do punojë SPAK për Idajet Beqirin se i ka thënë dikush bëj kallëzimin”, tha Gjokutaj.

Kallëzimi i dorëzuar në SPAK nga avokati Idajet Beqiri ka në fokus trajtimet estetike që familja e ish-Presidentit, tashmë kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka kryer në spitale në San Marino dhe Vjenë.

Beqiri ka dorëzuar në SPAK një faturë spitali me vlerë mbi 287 mijë Euro për të cilën thotë se është pagesa për një ndërhyrje të kryer nga Monika Kryemadhi dhe transferta është bërë nga një llogari offshore në Qipro.

Më tej ai dorëzoi edhe deklaratat e pasurisë bërë nga bashkëshortët Kryemadhi dhe Meta ku nuk janë deklaruar këto shpenzime sipas ligjit.

Kallëzimi për lobimet, Valteri: SPAK nuk do e kishte regjistruar çështjen për Metën nëse nuk do kishte kryer verifikim

Në një kohë që Prokuroria e Posaçme ka regjistruar 2 hetime penale me akuzat e korrupsionit dhe pastrimit të parave, një tjetër kallëzim është bërë ndaj ish-Presidentit Ilir Meta dhe bashkëshortes së tij Monika Kryemadhi këtë të enjte nga avokati Idajet Beqiri dhe që ka në fokus trajtimet estetike që familja e ish-Presidentit ka kryer në ka kryer në spitale në San Marino dhe Vjenë.

Fillimisht SPAK regjistroi hetim penal për ish-presidentin për pastrim parash, pas padisë së depozituar nga ish-deputeti Halit Valteri. Ky i fundit u shpreh në “Opinion” se SPAK nuk do e kishte regjistruar çështjen nëse letërporositë nuk do kishin shkuar në Amerikë. Gjithashtu u shpreh se shuma totale e të pesta kontratave shkon në 1.2 milionë dollarë.

Blendi Fevziu: Valteri a mund të ma shpjegosh pak përmbledhtas thelbin e padisë thuaj?

Halit Valteri: Siç e tha edhe zoti Gjokutaj, SPAK nuk regjistron asnjë çështje nëse nuk janë bërë verifikime. Verifikimi që është bërë jashtë, letërporositë që janë çuar drejt Amerikës dhe të pestë kontratat që kemi të firmosura, dy nga Ilir Meta dhe një nga Petrit Vasili, janë kontrata të lidhura nga LSI me kompanitë.

Blendi Fevziu: Me çfarë shume totale?

Halit Valteri: Shuma totale e të pesta kontratave shkon më 1.2 milionë dollarë. 690 mijë dollarë kemi të bëjmë vetëm me periudhën e 2017 gjatë inaugurimit të Presidentin Donald Trump.

Blendi Fevziu: Valteri më dëgjo vetëm një sekondë. Thoni që janë pesë kontrata, me çfarë shume secila kontratë, mund të më thuash?

Halit Valteri: 690 mijë dollarë është vetëm kontrata me McKeon Group që është me dy faza, e para gjashtë muaj nga 15 mijë dollarë që bëjnë 90 mijë dollarë dhe janë paguara nga Doreil Limited, ja ku është edhe QKB-ja Qipros ku Iraklis Fidetzis, i cili është mentori i LSI sepse kanë kontratë për të bërë të gjitha transaksionet, del që janë paguar të gjitha këto para dhe këtu në Shqipëri…

Blendi Fevziu: Si e lidhni ju që kjo kontratë ka shkuar në favor të LSI?

Halit Valteri: Fara është KQZ-ja e Amerikës ku lobimi është shumë i ligjshëm dhe çdo parti politike mund të lobojë për të marrë përfitime.

287 mijë Euro për ndërhyrje? Kryemadhi: Edhe seksin ta kisha ndryshuar nuk do kisha paguar kaq shumë lekë

Edhe seksin ta kisha ndryshuar nuk do kisha paguar kaq shumë lekë…” Kështu u shpreh Monika Kryemadhi mbrëmjen e kësaj të enjteje në Opinion.

Përgjigja e shkurtër erdhi pasi gazetari Blendi Fevziu e pyeti se çfarë ndërhyrjesh kishte bërë që kishte shpenzuar 287 mijë euro, siç pretendon në kallëzimin e bërë këtë të enjte avokati Idajet Beqiri.

Kallëzimi i dorëzuar në SPAK nga avokati ka në fokus trajtimet estetike që familja e ish-Presidentit, tashmë kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka kryer në spitale në San Marino dhe Vjenë.

Avokati pretendon se në bazë të disa verifikimeve të kryera, ai ka siguruar të dhëna që tregojnë se Ilir Meta, Monika Kryemadhi dhe fëmijët e tyre kanë kryer ndërhyrje estetike dhe pagesat kanë qenë të larta.

Beqiri ka dorëzuar në SPAK një faturë spitali me vlerë mbi 287 mijë Euro për të cilën thotë se është pagesa për një ndërhyrje të kryer nga Monika Kryemadhi dhe transferta është bërë nga një llogari offshore në Qipro.

287 mijë Euro për ndërhyrje estetike? Kryemadhi e mohon: Edhe Kardashian të jesh nuk kushton aq para

Ish-kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, i ka mohuar akuzat në kallëzimin e dërguar në SPAK nga Idajet Beqiri se ka harxhuar rreth 300 mijë Euro për ndërhyrje estetike. Gjatë emisionit “Opinion” ajo u shpreh se asnjë mirëmbajtje, qoftë shëndetësore dhe estetike, nuk kushton në ato vlera parash

Blendi Fevziu: 287 mijë e 650 Euro, çfarë keni bërë zonja Kryemadhi?

Monika Kryemadhi: Zoti Fevziu, e para, ju jeni çun Tirone dhe e dini shumë mirë sepse dhe gjithë gratë dhe koleget tuaja dhe gra të shumë politikanëve dhe deputetëve apo dhe të medias e dinë shumë mirë që nuk kushton asnjë mirëmbajtje, qoftë kjo edhe shëndetësore, edhe estetike në atë vlerë parash.

Blendi Fevziu: Prandaj pyeta se 300 mijë Euro?

Monika Kryemadhi: Tani, edhe Kardashian të jesh nuk kushton aq para. Megjithatë nuk është problemi ky. Kjo është një çështje që do të zgjidhet

Blendi Fevziu: Domethënë nuk është e vërtetë zonja Kryemadhi?

Monika Kryemadhi: Absolutisht nuk është e vërtetë. A e dini ju që SWIFT që kanë përdoruar ata është një kompani servisi në Romë dhe nuk është klinika në San Marino?

Blendi Fevziu: Ju nuk keni qenë fare në klinikë?

Monika Kryemadhi: Unë kam qenë në klinikë. Zotëri në atë klinikë që përmendet që është në San Marino…

Blendi Fevziu: Në datën që flitet në SWIFT?

Monika Kryemadhi: Absolutisht jo. Ajo është një SWIFT i falsifikuar.

Kryemadhi mohoi edhe akuzat e bëra në lidhje me marrëdhëniet financiare me vëllain e saj.

“Jo zoti Fevziu, përsëri të kanë gënjyer. Po të ishin të vërteta mos kujtoni se do i linte Edi Rama apo Erion Veliaj që t’i thonin disa gaztorë siç është njëri kontigjent i policisë, ndërsa tjetri i dënuar nja 8 herë. Çështja e vëllait tim, ka punuar për një kompani zviceriane inxhinier mekanik, ka qenë senior dhe paga e tij nuk ka qenë më e madhe se e drejtorëve siç pretendojnë ata, por si e gjithë inxhinierëve të tjerë. Në ka vajtur në punë apo jo, nuk flej me vëllain në një shtëpi. Ka bordero, kanë kamera, kanë hyrjet dhe daljet. Prokuroria t’i drejtohet kompanisë”, tha Kryemadhi

“Ose Monika e LSI-së në burg, ose shpifësi…”, Kryemadhi për lobimin në SHBA: Çdo kontratë, brenda ligjit

Gjatë emisionit “Opinion”, Monika Kryemadhi mohoi akuzat e ngritura në lidhje me pagesat ndaj kompanive lobuese në SHBA. Kryemadhi, u shpreh se çdo pagesë është bërë brenda ligjeve. Sipas saj, çështja nuk do të mbyllet thjesht me një falje publike.

Blendi Fevziu: E treta ishte lidhur me pagesat ndaj kompanisë lobuese në SHBA. Sipas zotit Valteri që ishte pak më parë dhe që është në padinë e tij janë paguar për llogari të LSI-së në 5 kompani të ndryshme me 5 kontrata të ndryshme 1.2 milionë Dollarë për të bërë foto takime me zyrtarë amerikanë.

Monika Kryemadhi: Shpresoj t’i shoh ato kontratat e zotit Valteri se me thënë të drejtën nuk kam parë ndonjë kontratë. Unë jam që në themelimin e LSI-së, vazhdoj të jem. Kam ndjekur gjithë administrimin po themi të gjithë funksionimit të saj dhe jo vetëm që nuk janë 1.2, por çdo pagesë dhe çdo kontratë është bërë brenda ligjit, brenda rregullave, me bankë dhe mos kujto se ka ngelur drejtësia amerikane në dorë të Halit Valterit apo të ndonjë injoranti tjetër që të zhbirilojë lobingjet. Sa i përket kësaj historie e inkurajoj SPAK që ta çojë deri në fund dhe sa më shpejt sepse kjo çështje nuk do mbyllet thjesht me një falje publike, por do të mbyllet o shkaktari, o shpifësi do shkojë në burg. O do shkojë Monika e LSI në burg se ka gënjyer se ka paguar 1.2 mln. Dhe ajo që unë them, unë mendoj që po të ishte vërtetë një lobim kaq interesant Taulant Balla nuk do ia kishte lënë Halit Valterit paditë për Ilir Metën…

Kryemadhi: Djegia e mandateve dhe bojkoti i zgjedhjeve ishte produkt i influencës ruse

Në një lidhje live në emisionin “Opinion”, Monika Kryemadhi ka deklaruar për herë të parë se vendimi i opozitës për të djegur mandatet në shkurt të vitit 2019 dhe bojkoti i zgjedhjeve lokale ka ardhur si pasojë e influencës ruse në Shqipëri.

Kryemadhi deklaroi se djegia e mandateve është paguar me para ruse, ndërsa tha se largimi nga parlamenti dhe zgjedhjet lokale krijoi hapësira për ta lënë vendin me një opozitë fasadë.

Blendi Fevziu: Ku ka qenë ndikimi rus zonja Kryemadhi?

Monika Kryemadhi: Që te djegia e mandateve zoti Fevziu.

Blendi Fevziu: Si si?

Monika Kryemadhi: Djegia e mandateve, bojkoti i zgjedhjeve lokale.

Blendi Fevziu: Zonja Kryemadhi e kuptova mirë? Djegia e mandateve dhe mos hyrja në zgjedhje lokale ka qenë influencë ruse? Është paguar me para ruse?

Monika Kryemadhi: Po.

Blendi Fevziu: Kjo është shumë e rëndë vetëm.

Monika Kryemadhi: Po, largimi nga parlamenti dhe zgjedhjet lokale i dha hapësira të papara për ta kthyer politikën shqiptare si një qeverisje në Rusi, ku Putini është vetëm dhe ka një opozitë fasadë.

Blendi Fevziu: Për këtë që ishte gafa më e madhe e opozitës kemi rënë të gjithë dakord e ka pranur dhe PD-ja vetë.

Monika Kryemadhi: Dhe jo më larg, por edhe një ish-këshilltare e Trumpit, e cila është thirrur në Komision për të deponuar për financimet ruse e përmend rastin që lobime të lidhura me Rusinë kanë lobuar për largimin e një ambasadoreje amerikane që ishte e emëruar në Shqipëri siç është zonja Fiona Hill, që ka bërë një deponim të tillë në Komisionin Hetimor.

Lekët e Putinit trondisin politikën !





Të ngjashme

Autori: Blendi Fevziu

00:53 16/09/2022