#Opinion | Emision politik live nga #BlendiFevziu në #TvKlan

Të ftuar : Baton Haxhiu, Iris Luarasi, Robert Rakipllari, Sonila Meço Në lidhje direkte: Taulant Balla, Aldo Bumçi

Samiti i 6 Dhjetorit, Balla tregon kush pritet të vijë në Tiranë

Kreu i grupit parlament të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka dhënë detaje në lidhje me samitin mes BE dhe Ballkanit Perëndimor që pritet të mbahet më 6 Dhjetor në Tiranë. Balla u shpreh gjatë emisionit “Opinion” se liderët e BE-së pritet që të mbërrijnë në kryeqytet pasditen e 5 Dhjetorit ndërsa samiti fillon dhe mbaron punimet më datën 6. Ai u shpreh se ky samit është historik.

“Data 6 është data e samitit, në fakt, një pjesë e udhëheqësve të vendeve të BE duhet të mbërrijnë që në datën 5 pasdite dhe pastaj gjatë gjithë datës 6 do të zhvillojë punët samiti. Samiti i parë i këtij niveli që zhvillohet në Shqipëri, madje dhe në vendet e Ballkanit Perëndimor, ku të gjithë udhëheqësit e BE, të 27 kryeministrat apo presidentët do të takohen me 6 udhëheqësit e vendeve të Ballkanit Perëndimor. E quaj një samit historik po të kemi parasysh kontekstin e rëndësishëm dhe të vështirë gjeopolitik që ndodhemi për shkak të agresionit rus kundër Ukrainës prej 24 Shkurtit.

Samiti është brenda datës 6. Fillon dhe mbaron në datën 6. Natyrshëm është edhe në një kontekst tjetër. Mos të harrojmë që Shqipëria ka marrë presidencën e Procesit të Berlinit dhe të gjitha këto ndërthuren me njëra-tjetrën dhe po të kemi parasysh që kemi faktin që Shqipëria prej 19 Korrikut bashkë me RMV kanë filluar bisedimet për anëtarësim, pra kanë hapur negociatat duke pasuar me procesin screening”, tha Balla.

Balla tha se pritet që të vijnë të gjithë liderët e BE-së.

“Të gjithë. Sa kohë që është samit, niveli i përfaqësimit është vetëm në nivel kryeministrash, flas këtu për rastin e Gjermanisë në nivelin e Kancelarit Scholz apo kryeministra të vendeve të tjera, apo Presidentash siç është në rastin e Francës, e me radhë”, u shpreh Balla.

Protesta e 6 Dhjetorit, Balla: Zgjedhje e gabuar dhe një fyerje ndaj…

Taulant  Balla u pyet në emision “Opinion” në Tv Klan për protestën e Partisë Demokratike të caktuar më 6 Dhjetor, në ditën e samitit të BE që do të mbahet në Shqipëri. Balla e përshkroi si një “zgjedhje të gabuar” dhe “fyerje” të mikpritjes shqiptare.

Taulant Balla: Kjo është një çështje e brendshme e Partisë Demokratike, është  një luftë  e brendshme  që zhvillohet prej mëse një viti dhe në asnjë rast ne nuk bëhemi pjesë e kësaj situate të brendshme, e këtij debati të brendshëm. Ajo që ka rëndësi për çdo shqiptar që besoj na ndjek sonte dhe është surprizuar nga një vendim që bie ndesh me traditën e mikpritjes shqiptare. Mund të zhvillohen mitingje partish politike në çdo ditë të vitit, por të zhvillosh një miting politik të një partie në një ditë kur në Shqipëri ke 27 ministra dhe presidentë, plus 6, 33 udhëheqës të Europës që mos të harrojmë dhe kontekstin gjeopolitik që ndodhet Europa sot, mendoj që është jo vetëm zgjedhja e gabuar, por është një fyerje e asaj që shqiptarët kanë ditur ta promovojnë më së miri gjatë gjithë historisë së tyre që është mikpritja. Se pyetja është kundër kujt do protestosh? Do protestosh kundër kancelarit gjerman? Do protestosh kundër presidentit francez?

Protesta më 6 Dhjetor, Bumçi: Nuk do të pengojmë mbarëvajtjen e samitit

Opozita ka paralajmëruar protestë më 6 Dhjetor në një kohë ku në Tiranë pritet të zhvillohet edhe samiti BE-Ballkani Perëndimor. Anëtari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Aldo Bumçi, tha për emisionin Opinion se protesta nuk do të pengojë mbarëvajtjen e samitit. Ai u shpreh se vendimi për orarin dhe vendin ku do të zhvillohet protesta do të merren në mënyrë të tillë që të mos pengojnë mbarëvajtjen e samitit.

Aldo Bumçi: Këto detaje nuk janë caktuar ende për shkak se ne nuk do të pengojmë, nuk duam të pengojmë dhe nuk do të pengojmë mbarëvajtjen e samitit.

Blendi Fevziu: Ç’do me thonë, nuk doni dhe nuk do ta?

Aldo Bumçi: Ne do të mbajmë një manifestim dhe protestë për miqtë tanë europian. Do tregojmë që jemi një popull dhe një opozitë proeuropiane, por për të treguar në të njëjtën kohë që qeverisemi nga një regjim autoritar që në vitin e 10 nuk ka lidhje me demokracinë. Kjo protestë nuk ndikon mbarëvajtjen e samitit prandaj vendi dhe ora, vendimi do merret duke pasur të dhënat përkatëse.

Bumçi tha se nuk do të ketë asnjë problem teknik, dhe se opozita do të ofrojë mikpritje për europianët. Ai u shpreh se nëse samiti do të mbahet në Kryeministri, protesta nuk do të zhvillohet aty.

Blendi Fevziu: Po më thoni që orari dhe vendi i protestës nuk janë përcaktuar akoma. Po nëse ju e përcaktoni këtë protestë para Kryeministrisë shumë afër ku zhvillohet samiti?

Aldo Bumçi: Ne do evitojmë çdo gjë të tillë. Nuk do të ketë asnjë problem për mbarëvajtjen. Nëse samiti mbahet në Kryeministri, protesta nuk do të jetë siç është bërë zakonisht para kryeministrisë.

Balla: PPE ia ka thënë qartë PD-së, nuk pranon një parti që bën protestë ditën e samitit

Kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, në një lidhje direkte me emisionin Opinion, deklaroi se Partitë Popullore Europiane ia kanë bërë të qartë Partisë Demokratike se nuk e pranojnë një parti që proteston ditën kur në Tiranë zhvillohet samiti BE-Ballkani Perëndimor.

Taulant Balla: Uroj që foltorja e PD ta dëgjojë Parlamentin Europian, sepse jam informuar që nga ana e Parlamentit Europian i është thënë shumë qartë, të paktën përfaqësuesit e Partisë Popullore Europiane, që ata nuk do të pranonin kurrë që një parti, ose ata që kanë uzurpuar partinë, të bënin një protestë në ditën e samitit. Këtë mund t’ua konfirmoj edhe me emrat, përfaqësuesve përkatës të PPE që ia kanë bërë me dije PD, ose foltores së PD.

Blendi Fevziu: Është lajm ky zoti Balla, është i sigurt?

Taulant Balla: Po është shumë i sigurt Fevzi sepse unë nuk flas ndonjëherë në ajër. Meqë këta citojnë Parlamentin Europian, të citojnë edhe çfarë iu është thënë nga Parlamenti Europian.

“PD në borderotë e Kremlinit?”, Balla: Kam dokumentat që paratë vijnë nga Rusia

Në emisionin “Opinion” në Tv Klan, gjatë një lidhjeje Skype me Taulant Ballën,  ky i fundit thotë se “nuk ka ndodhur një rast i ngjashëm që një parti të thërrasë një miting në ditën e zhvillimit të samitit të BE”. Duke ndjekur këtë linjë, Fevziu i drejton pyetjen pse reagimet nga PS synojnë krijimin e një lidhjeje midis PD dhe Rusisë. Balla thotë se PD ka përfunduar në borderotë e Kremlinit dhe ai posedon dokumenta që e dëshmojnë këtë akuzë.

Blendi Fevziu: Të gjitha reagimet e Partisë Socialiste, përfshirë ato që unë lexova dhe disa të tjerë, synojnë të krijojnë një lidhje midis Partisë Demokratike dhe Rusisë. Pse kjo? Është propagandë  e mirëfilltë politike. Pse me këtë lloj propagande?

Taulant Balla: Zoti Fevziu, nëse ju do të dëshironi unë jam i gatshëm të vij në studion tuaj dhe t’i marr me radhë të gjitha elementet që lidhin Partinë Demokratike me financimet  ruse. Kam qenë në studion tuaj plot  4 vite më parë apo 5 vite më parë ku jam munduar t’ju shpjegoj se si Partia Demokratike ka përfunduar në borderotë e Kremlinit.

Blendi Fevziu: Kjo është akuzë shumë e rëndë. Partia  Demokratike ka përfunduar në borderotë e Kremlinit?

Taulant Balla: Po, sepse edhe ju e dini, besoj që është një fakt publik nga një dokument i inteligjencës amerikane, CIA-s ku konfirmohet që një shumë prej 600 mijë Dollarësh…

Blendi Fevziu: 500 mijë.

Taulant Balla: 600 mijë ësht pagesa tërësore tek Stonington, kompania e Nick Muzin-it dhe që e financuar tërësisht nga kompani të cilat kanë  pasur kontrata me qeverinë e Kremlinit dhe që gjithë pagesa vjen nga Rusia. Ky është një prej rasteve.

Blendi Fevziu: Deri tani nuk është vërtetuar që pagesa vjen nga Rusia. Është vërtetuar që kjo pagesë është bërë përmes një kompanie që kishte lidhje ruse, por jo që është bërë nga Rusia.

Taulant Balla: Jo, mos merrni  përsipër të interpretoni…

Blendi Fevziu: Unë nuk di që të ketë një dokument që këto para janë dhënë nga Rusia.

Taulant Balla: Po, jam i gatshëm të vij dhe të nxjerr të gjitha dokumentat që nxjerrin që ato para kanë ardhur nga Rusia.

Blendi Fevziu: Keni ju dokumenta që këto para kanë ardhur nga Rusia?

Taulant Balla: Po. Janë para publike ruse. Janë të ardhura nga Rusia, është përdorur një kanal përmes një kompanie guackë.

Bumçi: Çfarë kërkojmë të arrijmë me protestën e 6 Dhjetorit

Gjatë një lidhjeje Skype me emisionin “Opinion” në Tv Klan, demokrati Aldo Bumçi shpjegoi se çfarë synon PD-ja me realizimin e protestës më 6 Dhjetor, të njëjtën ditë kur do të mbahet samiti i BE në Tiranë.

Aldo Bumçi: Vlerat europiane me një popull pro europian. Ne kërkojmë një aleancë, atë që Rama e degdisi Shqipërinë në honet e monizmit në gjuhën popullor, pushteti i personalizuar quhet pashallëk apo sulltanat, asnjëra nuk është në Europë, nuk janë sisteme europiane, këtu e ka degdisur Rama në vitin e dhjetë të qeverisjes dhe ne po i themi europianëve ka një opozitë pro europiane.

Bumçi gjithashtu konfirmon se në protestë do të jetë pjesëmarrëse edhe Partia e Lirisë.

Aldo Bumçi: Me Partinë e Lirisë kemi një aleancë të qëndrueshme, të qartë, në shkaqet që e kanë sjellë Shqipërinë këtu dhe në zgjidhjen, dhe ndryshe sa ndodhi në zgjedhjet e kaluara kur ne lamë 6 mandate në tavolinë për mungesë koordinimi, sot kundër dëshirës së zotit Rama se prandaj i bëri ndryshimet kushtetuese dhe shkatërroi formulën e koalicioneve popullore të mirënjohur, ne sot kemi një opozitë të konsoliduar.

A ka pezullim nga EPP? Bumçi: 3 fakte që tregojnë se PD nuk është e izoluar

Në një lidhje direkte me emisionin “Opinion”, anëtari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Aldo Bumçi hedh poshtë që kjo forcë politike të jetë pezulluar nga Partia Popullore Europiane.

Iris Luarasi: A keni kanale zyrtare që komunikojnë me vendet partnere të BE, dhe si i përdorni këto kanale? Sepse fakti që realizoni një protestë për të komunikuar mesazhe, duket sikur ka një mungesë të komunikimit zyrtar dhe përpiqeni nëpërmjet një proteste të organizoni mesazhet tuaja të komunikimit.

Aldo Bumçi: Pyetja është e drejtë, por jo nuk është problemi i përçuarjes. Europa i di këto probleme, nuk është problemi të përçojmë ne që ka probleme me zgjedhjet, drejtësinë, me lirinë e medias dhe më pas me një ekonomi që nuk është më ekonomi tregu.

Iris Luarasi: E qartë, po atëherë cila është vlera e shtuar?

Blendi Fevziu: Çështja që po diskutojmë sot është vetëm data. Pra që këto probleme qëndrojnë, që opozita ka të drejtë të protestojë, është një çështje që e dimë. Çështja është unë ju pyeta vetëm për datën.

Iris Luarasi: Dhe po flasim që komunikimi ekziston në mënyrë zyrtare apo ju këtë e keni tani si formën e vetme që keni për të përçuar mesazhet tuaja.

Aldo Bumçi: U tha që PD është e izoluar. Po jap 3 fakte të thjeshta. Zonja është zgjedhur zv/presidente e gruas së EPP-së, pra Partisë Popullore. Bylykbashi, Këlliçi dhe Shehu, shkojnë në takimet e EPP-së, të CDU-së gjermane. Kryeministrja e sapo zgjedhur italiane ka përshëndetur Kuvendin e PD.

Blendi Fevziu: Bumçi, ka zyrtarisht një ka pezullim të Partisë Demokratike në EPP?

Aldo Bumçi: Nuk ka. Sepse unë ju përmenda takimet ku marrim pjesë.

Blendi Fevziu: Po lëri takimet, a ka pezullim të siglës të PD-së?

Aldo Bumçi: Nuk ka pezullim sepse zonja Vokshi është zgjedhur si përfaqësuese e PD, se përndryshe nuk do ishte aty.

Blendi Fevziu: More është zgjedhur i nënkryetare, po PD-ja vetë ulet në tavolinë me një kryetar delegacioni në tavolinën  e EPP-ve? Dhe kush e përfaqëson? Ka takim të EPP-ve, jo përfaqësi, në takim janë kryetarët e Partive, kush është kryetari i PD që ulet në këtë tavolinë me kryetarët e partive.

Aldo Bumçi: Në dy takimet e fundit ata kanë ftuar edhe nga PD që jemi ne, dhe nga grupi i deputetëve, ka qenë zonja Tabaku për të përfaqësuar të gjithë palët

Blendi Fevziu: Po kush është kryetari i PD që përfaqëson delegacionin?

Aldo Bumçi: Janë ulur të gjithë, zoti Këlliçi, Bylykbahsi, Tabaku dhe zonja Vokshi si zv/presidente e gruas së EPP-së.

Haxhiu: E mbytët këtë vend me propagandë të keqe. Meço: Kujdes me gjuhën Baton, je duke bërë herezi

Në emisionin “Opinion” këtë të hënë u diskutua në lidhje me protestën e 6 Dhjetorit që pritet të mbahet njëkohësisht me zhvillimin e samitit të BE-së me Ballkanin Perëndimor në Tiranë.

Gjatë diskutimeve ka pasur një debat mes analistit Baton Haxhiu dhe gazetares Sonila Meço. Haxhiu u shpreh se Meço po bën propagandë. Meço u përgjigj duke thënë se Haxhiu po “bën herezi” me gjuhën që po përdorte. Ajo u shpreh se analisti është emotiv dhe në ndryshim nga ai, gazetarja “citon gjithmonë me raporte”.

Baton Haxhiu: Unë e kuptoj PD-në me të gjithë ato po themi pikat që i rreshtuan përmes Aldo Bumçit. Por unë nuk besoj që këta nuk i kanë adresuar këto në ambasadat të cilat përfaqësojnë po ato shtete. Nuk është çështje që shtetet që vijnë këtu nuk i dinë këto problematika. Problemi është që PD po do të çajë rrugën tek media, të cilat janë indiferente.

Sonila Meço: Indiferente? Mediat kanë 2 muaj që po merren me gomonet shqiptare. Ku ndryshon kjo protestë nga gomonet që ikin nga La Manshi? Janë çarë mediat. A e lexove të fundit në Daily Mail? Për regjimin kleptokratik shqiptar që është duke prodhuar njerëz që ikin përditë duke shpopulluar këtë vend. Pra më thuaj si i vendosim në këtë kandar.

Baton Haxhiu: Nuk jam këtu për propagandë.

Sonila Meço: Kush po bën propagandë?

Baton Haxhiu: Po bën… gjuha jote momentalisht….

Sonila Meço: Në gomone kanë hipur shqiptarë të cilët kërkojnë një jetë më të mirë.

Baton Haxhiu: E vërtetë është.

Sonila Meço: Nga një regjim, i cili është renditur…

Baton Haxhiu: Sapo jam kthyer nga Britania për ta treguar cila është jeta më e mirë. 7.4 milionë njerëz presin me rend për të ardhur për një kontroll mjeku në spitalet publike. 7.4 milionë.

Sonila Meço: E ç’lidhje ka kjo?

Baton Haxhiu: Ti po flet për standarde. Dhe për një jetë më të mirë. Lëre se e mbytët këtë vend me propagandë të keqe.

Sonila Meço: Edhe DASH bën propagandë? Kujdes me gjuhën Baton, je duke bërë herezi. Ti po bën herezi. Dhe kjo nuk është propagandë. DASH ka renditur si një nga vendet më të korruptuara…

Baton Haxhiu: Po moj po janë probleme. Shqipëria ka korrupsion…

Sonila Meço: Atëherë po e bëj unë propagandën apo DASH? Unë në ndryshim nga ty që ke emocione unë të citoj gjithmonë me raporte Baton. Ky është ndryshimi mes meje dhe teje. Ti je emotiv. Kur mua më akuzon për propagandë, atëherë të akuzoj dhe DASH-in, por edhe KE që na rendit me probleme serioze me lirinë e medias dhe demokracisë./tvklan.al