Në oborrin e Parlamentit këtë të enjte, Opozita ka ricikluar të njëjtin aksion përplasjesh me punonjësit e Gardës si ai i vjeshtës së shkuar.

I gjithë grupi parlamentar opozitar, përfshirë dhe 24 deputetët e përjashtuar kanë mbërritur në Kuvend 1 orë përpara nisjes së seancës. Ata janë përballur me barrikaden e gardistëve, të cilët kishin marrë urdhër të mos lejonin të përjashtuarit të futeshin në godinën e Parlamentit.

Flamur Noka: Ata që kanë futur Berishën, prandaj jemi këtu.

Për përfaqësuesit e shumicës ishte hapur dera alternative, e cila përdoren nga kryeparlamentarja dhe anëtarët e kabinetit qeveritar.

Por deputetët e opozitës u bënë gardh dhe penguan hyrjen për disa momente të disa prej tyre duke u përplasur verbalisht e fizikisht jo vetëm me punonjësit e Gardës, por dhe me disa ministra. Ajo më e ashpra ishte me Ministrin e Financave dhe truprojën e tij.

Gazement Bardhi: Bashkë me ushtarin e Ergys Agasit atje që i thotë vetes Ministër i Brendshëm.

Kryeparlamentarja tentoi të futej, por makina e saj u ndalua, për t’u futur më pas nga një tjetër hyrje. Por gjithsesi, socialistët ia dolën të nisnin seancën plenare vetëm me pak minuta vonesë.

Ata miratuan të pashqetësuar marrëveshjen “Programi për një zhvillim urban rezistent ndaj ndryshimeve klimatike në Shqipëri me shtetin gjerman”, ndërsa abstenuan kandidaturat e ardhur nga shoqëria civile për anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe atij të Prokurorisë.

Elisa Spiropali: Projektvendimi nuk miratohet.

Ndërkohë, kolegët e tyre të opozitës në mënyrë simbolike përdorën sërish zjarrin në oborrin e Kuvendit, por kësaj here dogjën 4 manekinë me fytyrat e Edi Ramës e Fatmir Xhafajt dhe 2 vëllezërve të tyre, Olsi Ramës dhe Geron Xhafajt, të veshur me rroba burgu.

Pas kësaj, me pak minuta diferencë nga njëri-tjetri, dhe grupi i opozitës dhe ai i shumicës lanë Parlamentin. Por si do vazhdojë aksioni i opozitës në Parlament?

Gazment Bardhi: Ne do të vazhdojmë, si është ajo shprehja, si të na teket. Pra, rast pas rasti do të veprojmë në raport me këtë godinë, me atë të Kryeministrisë dhe me çdo godinë që është fshehur krimi i organizuar dhe qëllohet ndaj atyre që sulmojnë dhe luftojnë krimin e organizuar.

I vetmi që foli nga shumica ishte Ministri i Shtetit për Parlamentin, Taulant Balla, i cili aksionin e opozitës e lidhi me ecurinë pozitive të procesit të integrimit.

 Taulant Balla: Kush mendon se kjo sjellje ka të bëjë me një vendim të caktuar gjykate, e ka gabim.

Tv Klan