Rikuperimi i Neymar po shkon sipas planeve dhe viti 2025 do ta gjejë brazilianin sërish në fushë. 32-vjeçari po projekton një rikthim në kontinentin Europian, me mediat spanjolle që janë të bindura se sulmuesi do të firmos në La Liga. Por, sipas asaj që raportohet nga “Sport”, gjithçka do të varet nga e ardhmja e Erling Haaland.

Ylli i Manchester Cityt është në krye të dëshirave të Barcelonës, e nëse nuk arrihet te norvegjezi, opsion shihet Neymar. Pasi u transferua në Europë te Barcelona në vitin 2013, Neymar  u bë lojtari më i shtrenjtë në histori kur iu bashkua PSG-së në vitin 2018 për 222 milionë Euro.

118 gola në 173 paraqitje në të gjitha garat me katalanasit treguan potencialin e brazilianit, por kalimi te PSG mund të konsiderohet si dështim, çka solli më pas largimin drejt Al Hilal. Me skuadrën arabe, 32-vjeçari ka një kontratë aktive, gjithsesi për momentin gjendet jashtë listës së të federuarve për shkak të dëmtimit të rëndë që po e mban jashtë fushave prej muajsh.

Neymar ka luajtur vetëm 5 ndeshje në 14 muajt e fundit, ecuri që sipas të gjithë gjasave ka mbyllur edhe aventurën e tij në Lindjen e Mesme.

Klan News