Për Sali Berishën aksioni i mosbindjes civile që deputetët e tij vijuan edhe në seancën plenare të së enjtes është dëshmi e revoltës se narkoshteti ka zëvendësuar shtetin ligjor dhe Kushtetutën me kodin e mafies.

“Qëndrimi i deputetëve, shembulli i tyre personal duhet të jetë frymëzim për çdo qytetare e qytetar. Duhet të jetë një apel, një kushtrim për guximin e çdo demokrati e demokrateje, të përballemi me këta pushtetarë që nuk njohin ligj, nuk njohin Kushtetutë, nuk njohin moral dhe që janë të aftë të kryejnë çdo krim, të bëjnë çdo vjedhje vetëm e vetëm për interesat e pushtetit të tyre.”

Teksa Edi Ramën e akuzoi se me burgosjen e deputetit Ervin Salianji i ka shpallur luftë Partisë Demokratike dhe opozitës, Berisha i bëri thirrje shqiptarëve të bashkohen në protestën e 7 Tetorit kundër asaj që e cilësoi qeveri e narkoshtetit.

“7 tetori është dita e revoltës. Është dita e kushtrimit. Është dita e mosbindjes civile. Është radha jonë. Është radha jonë. Është radha jonë! Më 7 tetor, çdo shqiptar është i thirrur të ngrihet në lartësinë e guximit shqiptar. Çdo shqiptar është i thirrur të ngrihet në këmbë për idealet e tyre.”

Ndërkohë që strukturat e Partisë Demokratike po përgatiten për tubimin e të hënës, selia blu publikoi spotin e protestës kombëtare, duke ftuar qytetarët të bëhen pjesë e mosbindjes civile deri në krijimin e një qeverie teknike që do garantojë zgjedhje të lira. Spoti gjithashtu revokon përndjekjen e eksponentëve politikë të opozitës dhe kërkon lirimin e Sali Berishës dhe të deputetit Salianji.

Tv Klan