Izraeli pritet që brenda pak ditësh të nisë sulmin kundër Iranit si shenjë hakmarrjeje për sulmin me 181 raketa të martën e 1 Tetorit.

Zyrtarët izraelitë thonë se sulmi do të jetë në koordinim me SHBA-të dhe tejet i ashpër. Vetë presidenti amerikan Joe Biden tha se po bisedojnë me Tel Avivin dhe po vlerësojnë që të sulmohen rafineritë e naftës në Iran, duke dalë kundër shënjestrimit të reaktorëve bërthamorë.

Por deklarata për sulmet e rafinerive ndikoi në rritjen e çmimeve të naftës së papërpunuar në SHBA me 7 përqind.

Irani rriti dozën e kërcënimeve, ku i dërgoi mesazh SHBA-ve përmes Katarit se faza e vetëpërmbajtjes së njëanshme ka përfunduar dhe se çdo sulm izraelit do të ketë një përgjigje jokonvencionale.

Ndërkohë Izraeli vijoi ashpërsimin e luftës në frontin tjetër të betejës në Liban. Ushtria izraelite njoftoi se kishte bombarduar selinë e inteligjencës së Hezbollahut pranë Bejrutit.

Ushtria izraelite urdhëroi banorët e më shumë se 20 qyteteve në Libanin jugor që të evakuojnë menjëherë shtëpitë e tyre të enjten, duke sinjalizuar se mund të zgjerojë një operacion tokësor të nisur në fillim të kësaj jave kundër Hezbollahut.

Sakaq shume shtete Spanja, Greqia, Italia dhe Turqia po evakuojnë qytetarët nga Libani me avionë dhe tragete, si rezultat i rritjes së tensioneve në Lindjen e Mesme. Kompanitë në të rëndësishme ajrore njoftuan se kanë pezulluar fluturimet në Lindjen e Mesme.

Tv Klan