Komisioni Evropian do të ngrejë padi ndaj Hungarisë në Gjykatën Europiane të Drejtësisë. Shkak është ligji që lejon autoritetet vendase të hetojnë aktivitetet e çdo organizate që merr financime nga jashtë. Sipas KE-së, ligji shkel rëndë të drejtat dhe liritë themelore të BE-së dhe ligjin për mbrojtjen e të dhënave brenda unionit.

Ligji u miratua 12 Dhjetorin e kaluar me nismën e partisë së Kryeministrit Viktor Orban. Ligji parashikon ngritjen e një zyre për të luftuar ndikimet negative nga jashtë në Hungari. Zyra mund të hetojë çdo aktivitet që financohet nga shtete të huaja, që mund të ndikojnë në rezultatin e zgjedhjeve apo vullnetin e votuesve. Përfundimet e hetimeve bëhen publike me qëllim demaskimin e këtyre organizatave, mbylljen e tyre dhe ndjekjen penale të drejtuesve.

Ky ligj bazohet tek ai që është në fuqi në Rusinë e Vladimir Putinit dhe në vende filoruse si Bjellorusia e Gjeorgjia. Orban shquhet si ndër të paktët miq të mbetur të Vladimir Putinit mes liderëve të BE-së. Ndër shenjestrat kryesore të këtij ligji janë edhe organizatat e financuara nga miliarderi Xhorxh Soros.

Tv Klan