Edi Paloka ka reaguar pas vendimit të Kuvendit Kombëtar për shkarkimin e Kryetarit të PD-së, Lulzim Basha. Kryetari i Këshillit Kombëtar thotë se Kuvendi u mblodh me kërkesë të delegatëve të tij dhe mori disa vendime historike.

Pjesë e eventit të sotëm ishte edhe një numër jo i vogël i anëtarëve të Këshillit Kombëtar. Paloka i bëri thirrje pjesës së anëtarëve që nuk iu bashkuan Kuvendit sot që t’i bashkohen PD-së për ta rithemeluar dhe të mos “bëhen pjesë e lojës të atyre që për karrige janë gati të shkelmojnë interesat e demokratëve”.

Po ashtu Paloka thotë se këta persona nuk kanë asnjë tagër që të mbledhin Kuvendin Kombëtar. Kujtojmë që Lulzim Basha ka kërkuar që të dielën të mblidhet Këshilli Kombëtar.

Postimi i plotë i Edi Palokës:

Sot Kuvendi i PD, për herë të parë u mblodh me kërkesë të delegatëve të tij dhe mori vendime historike, të rëndësishme në bazë të të cilëve qëndron rithemelimi i PD.

Në Kuvendin e demokratëve të lirë, sot morën pjesë një numër jo i vogël prej anëtarëve të Këshillit Kombëtar. Unë ju bëj thirrje dhe pjesës tjetër të anëtarëve, t’i bashkohen PD të rithemeluar sot me vullnetin e shumicës përfaqësuese të demokratëve e të mos bëhen pjesë e lojës të atyre që për karrige janë gati të shkelmojnë interesat e demokratëve, për më tepër, nga sot, pa asnjë tagër për të mbledhur Këshillin Kombëtar.

Këshilli Kombëtar, pas Kuvendit Kombëtar është organi më i lartë i PD dhe anëtarët e tij duhet të përfaqësojnë vullnetin dhe interesat e demokratëve, vullnet që u shpreh qartazi sot në Kuvendin për rithemelimin e PD./tvklan.al