Ho Van Lang konsiderohet si “Tarzani i vërtetë”, historia e të cilit i ngjason personazhit të filmit. Me origjinë nga Vietnami, Ho Van Lang jetoi për 41 vite në xhungël. Mediat e huaja kanë publikuar edhe pamjet kur ai u mor në qytet dhe u riintegrua në shoqëri. Por ky ndryshim drastik shënoi edhe fundin e tij. Ai u nda nga jeta në moshën 52-vjeçare pasi u riintegrua në shoqëri.

Ho Van Lang u largua në xhungël me babain e tij në vitin 1972 kur Vietnami u sulmua ushtarakisht dhe u bombardua nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Për 4 dekada ai mbijetoi në botën e egër. Por në vitin 2013 ai u rikthye sërish në botën e vërtetë dhe besonte se lufta e SHBA-së me Vietnamin vazhdonte akoma. Ai kërkoi ndihmë mjekësore në një fshat për babanë e tij të sëmurë.

Pas vitit 2013, Ho Van Lang filloi jetesën duke u përshtatur në shoqërinë moderne dhe të zhvilluar. Së fundmi janë shfaqur edhe pamjet që tregojnë përshtypjen dhe reagimin e Ho Van Lang kur shikon ndërtesat e larta dhe oqeanin.

Gjatë kësaj periudhe, ai mbahej nën monitorim nga mjekët dhe dietologët për shkak se nuk dihej si do të reagonte trupi i tij ndaj ushqimeve dhe përshtatjes në jetën e vërtetë.

Videot e riintegrimit të tij në shoqërinë e zhvilluar janë bërë publike nga Alvaro Cerezo, i cili e kishte ndihmuar që të përshtatej sa më mirë me jetesën e re.

Të dy u miqësuan me njëri-tjetrin dhe Cerezo filmonte çdo moment të Ho Van Lang sa herë që ky i fundit shihte gjëra të reja.

Por kohët e fundit Ho Van Lang ishte sëmurë dhe u nda nga jeta në muajin Shtator në moshën 52-vjeçare. Miku i tij Alvaro Cerezo ka shkruar një libër për jetën e Lang dhe është duke punuar në montazh për të publikuar xhirime nga jeta e 52-vjeçarit pas riintegrimit në shoqëri. /tvklan.al