12 punonjës të policisë që kanë pasur detyrën e ruajtjes së sigurisë janë infektuar

Organizatorët e Tokio 2020 janë shumë të shqetësuar për shkak të një shpërthimi të infektimit me COVID-19 të punonjësve të policisë, të cilët kanë për detyrë që të kujdesen për sigurinë e atletëve në fshatin olimpik.

Deri më tani kanë dalë pozitiv 12 agjentë, ndërkohë që 38 të tjerë dyshohet se janë të prekur nga virusi dhe janë vendosur në një izolim strikt.

Punonjësit e policisë, të gjithë rreth të 20-ve përbëjnë gjysmën e një njësie speciale të përbërë nga 100 persona të provincës Hiogo, që kujdesen për sigurinë gjatë Olimpiadës.

Grupi i agjentëve ka ndenjur në një fjetore në periferi të Tokios dhe sipas “Daily Mail”, shkak ka qenë ndarja e ambienteve dhe numri i pakët i tualeteve dhe dusheve.

Por pavarësisht rritjes së infeksioneve, tabloidi anglez raporton se agjentët nga e njëjta njësi vazhdojnë detyrën në fshatin olimpik dhe madje kanë pasur komunkim edhe me atletët.

Shqetësimi është rritur te zyrtarët e policisë pas shtimit të infeksoneve. Ndërkohë edhe vigjilenca te delegacionet sportive është rritur edhe më. Në fshatin sportiv qëndrojnë dhe sportistët shqiptarë dhe ata kosovarë.

Klan News