Numri i lartë i kriminalitetit në Ekuador, e sidomos në qytetin Guayaquil, ka bërë që autoritetet vendore të marrin masa.

Kështu, Presidenti i vendit, Guillermo Lasso ka urdhëruar që të shtohet numri i forcave të ushtrisë dhe të policisë në Guayaquil, raporton RT.

Vrasja e fundit në këtë qytet ishte të shtunën më 22 Janar, kur në një atentat mafioz u ekzekutua shqiptari Ergys Dashi 34 vjeç. Ky i fundit ka qenë duke darkuar në një restorant, kur atentatori hyri brenda duke mbajtur në duar një buqetë me lule dhe u nis drejt tavolinës së shqiptarit. Ai qëlloi direkt me armë Ergys Dashin, duke e lënë të vdekur në vend. 34-vjeçari shqiptar kishte marrë plagë plumbi në kokë.

Ndërsa 3 ditë para ekzekutimit të shqiptarit, në Guayaquil ishte vrarë një turist holandez në një bar-restorant.

Në 3 javët e para të vitit 2022, në Ekuador janë regjistruar 197 vrasje, 159% më shumë se në të njëjtën periudhë të një vitit më parë. Shumica e vrasjeve mafioze janë në qytetin Guayaquil, aty ku është përqëndruar më së shumti edhe trafiku i kokainës.

Për shkak të këtyre ngjarjeve kriminale, Presidenti njoftoi dërgimin në qytetin Guayaquil të 1100 oficerëve shtesë të policisë, por dhe rritjen e patrullimeve të forcave të ushtrisë.

“Pasiguria e qytetarëve është një sfidë që duhet ta përballojmë të gjithë së bashku”, tha Presidenti i Ekuadorit në një deklaratë pas takimit me kryebashkiakun e Guayaquil dhe zyrtarë të tjerë.

Presidenti urdhëroi gjithashtu zv/ministrin e Brendshëm të Ekuadorit që të zhvendoset në Guayaquil dhe të krijojë një qendër operacionale për të koordinuar punën e policisë.

Sipas Presidentit Lasso, 9 milionë Dollarë shtesë do të vendosen në dispozicion për sigurinë publike në qytetin Guayaquil.

Shkakun e ngjarjeve kriminale, Presidenti ekuadorian ia adresoi trafikut të drogës, që sipas tij, kanë çuar në larje hesapesh. /tvklan.al