Partia Demokratike thirri në seancë dëgjimore, Ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj, lidhur me akuzat e ngritura për korrupsionin në koncesionin e Check Up-it.

Por ku qëndron ky korrupsion, që sipas opozitës, vetëm në një vit i ka kushtuar një dëm buxhetit të shtetit në afro 20 mln euro?

Deputetja Albana Vokshi thotë se ai nis që në mënyrën e tenderimit dhe dhënien e këtij koncesioni. 

“I është dhënë kompanisë që e ka pasur ofertën 25 përqind më të lartë sesa oferta e grupit të kompanive e cila nuk e fitoi. 18.5 milionë është dëmi ekonomik vetëm në procesin e tenderimin. Arsyerja kryesore që po implementohet Check Up është parandalimi i sëmundjeve që vijnë dhe nga duhani dhe nga alkooli, atëherë këtu kemi një konflikt shumë të madh interesi, sepse koncensionari që merret dhe e ka veprimtari kryesore tregtimin e duhanit dhe alkoolit, për kë do punojë më shumë? Do punojë për interes të publikut për të parandaluar sëmundjet që shkaktohen nga duhani dhe alkooli, apo do t’i çojë ujë interes të saj privat për tregtimin e duhanit dhe alkoolit?”

Korrupsioni, sipas opozitës, vazhdon më tej në implementimin e këtij koncesioni, ku janë paguar afro 1.5 mln euro për shërbime të pa mara. Nëse në 2015 – ën, në Mars kur nisi ky shërbim, sipas Vokshit duhej të bënin kontroll afro 365 mijë qytetarë, por shërbimi sipas shifrave zyrtare, është marë vetëm nga 244,420 pacientë.

“Koncensionari ka marrë para për më shumë se 110 mijë analiza Check Up –i të pabëra asnjëherë. Që në shumë parash, kemi një dëm ekonomik më shumë se 1.5 milionë euro”.

Hije korrupsioni, sipas deputetes Vokshi, hidhen edhe në zgjerimin e fashës së personave që kryejnë Check Up -in, nga 45 – 65 që ishte, në 35 – 75 – vjeç. Kjo sipas Vokshit tregon dështimin total të Check Up -it dhe lë të dyshosh se do të rriten fondet për kompaninë koncesionare.

“Kjo e vërteton dështimin e Check Up –it. Pse Kryeministri ka vendosur që ta rrisë fondin prej 5 milion në vit apo 50 milionë në 10 vjet për koncesionarin, që tashmë të gjithë e dinë që është mikesha dhe sponsori i Kryeministrit.”

Përveç dëmeve në buxhet, Vokshi thotë se abuzimi shtrihet edhe në marjen e shërbimit jo të saktë.

“Nga stresi ka patur raste që edhe burrat mund të kenë dalë shtatzënë, prej analizave të Check up –it.”

Sipas Partisë Demokratike, koncesionari i Check Up, sipas kontratës duhet të ndërtonte afro 20 laboratorë, por ka ndërtuar vetëm 3, ndërsa të tjerët i janë dhënë nënkontraktorëve. Nga Ministria e Shëndetësisë, sipas Vokshit, ka një terr të plotë informativ lidhur më të gjithë historinë e këtij tenderi dhe askush nuk jep informacion.

Për të gjithë këtë mungesë informacioni dhe mungesë transparence, Partia Demokratike thotë se po përgatit një padi ndaj Ministrit të Shëndetësisë dhe do t’i drejtohet të gjithë organeve të akuzës.

Tv Klan