Ministria e Shëndetësisë: Testojmë vetëm të dyshuarit

“Testoni! Testoni! Testoni”!

Kjo porosi e dhënë nga Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë sipas demokratëve nuk po zbatohet. 

Në një dalje për mediat nga selia blu, doktoresha Mirela Tabaku, pjesë e grupit të punës ngritur pranë PD për monitorimin e situatës me koronavirus, foli me shqetësim për rënien drastike të numrit të testeve, duke i kërkuar qeverisë të rrisë fondet dhe të testojë masivisht popullatën, si e vetmja mënyrë për të parandaluar infeksionet.

“Ajo që po ndodh në Shqipëri është se numri i personave që paraqesin ankesa dhe simptoma rritet, ndërsa numri i të testuarve pakësohet. Pyetja e të gjithëve është: çfarë po ndodh? Mungojnë tamponët, mungojnë kitet për t’i analizuar më pas mostrat që merren?

Në 10 Mars, një ditë pas konfirmimit të rastit të parë, janë kryer 114 teste sot u raportua për 42 teste në 24 orët e fundit. Shqiptarët kanë të drejtë ta dinë pse veprojmë kundër këshillave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Bazuar nga praktikat më të mira të vendeve të përfshirë nga kjo epidemi, bazuar në atë çfarë OBSH këshillon, duhet që të gjitha marrat e marra, të kombinohen me testime të shtuara. Duhen shtuar fondet për tampone, fondet per kite të bërjes së testeve! Duhet nxituar, pasi jemi vonë!Mosveprimi do të ishte një gabim me pasoja të rënda”!

Por Ministria e Shëndetësisë e kontaktuar nga Tv Klan sqaron se të gjithë personat e testuar kanë qenë raste të dyshuara. Sipas Ministrisë, e gjithë puna e shërbimit shëndetësor po përqëndrohet tek ndërpreja e zinxhirit të transmetimit të infeksionit.

Tv Klan