homazhet

Nënkomisar Simon Gjeta, i cili u nda nga jeta gjatë një aksioni për kapjen e autorit të një plagosjeje, është përcjellë sot në një ceremoni zyrtare për në banesën e fundit pranë Varrezave të Dëshmorëve.

Homazhet në nder të Nënkomisarit u mbajtën në Akademinë e Policisë. Në fjalën e rastit, kreu i qeverisë Rama vlerësoi punën e policisë, por drejtoi gishtin e akuzës nga organet e drejtësisë.

Në të njëjtën linjë me Kryeministrin, por më eksplicit, kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, tha se sakrifica e Simon Gjetës duhet të shërbejë si këmbanë për të kryer reformën në drejtësi.

Edhe Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, shigjetoi drejtësinë.

Kreu i opozitës, Lulzim Basha, tha se Policia e Shtetit meriton një drejtim sipas modeleve europiane, e shkëputur nga politika.

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani e vlerësoi Nënkomisarin Simon Gjeta, pas vdekjes me “Dekoratën e Artë të Shqiponjës”, me motivacionin:

“Në vlerësim dhe nderim të thellë për përkushtimin e rrallë, devotshmërinë e pashembullt, heroizmin stoik të treguar në radhët e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë deri në sakrificën sublime të dhënies së jetës gjatë luftës pakompromis kundër krimit dhe mbrojtjes së rendit dhe zbatimit të ligjit.”

Tv Klan