Politika në zi, ndërpritet për një ditë fushata

Deputeti socialist, Bashkim Fino, u përcoll për në banesën e fundit, pasi u dorëzua këtë të hënë përballë koronavirusit në moshën 59-vjeçare.  

Në nder të tij, flamujt u ulën në gjysmështizë, ndërsa miq, kolegë dhe zyrtarë të lartë të shtetit kryen më herët homazhe në Pallatin e Kongreseve.

Kryeminstri Edi Rama mori pjesë në homazhe, por zgjodhi që të vetmin mesazh ta ndajë në rrjetet sociale, duke e quajtur një lajm të pabesueshëm.

“E pabesueshme, po shumë fatkeqësisht e vërtetë, miku im, miku ynë i mirë Bashkim Fino nuk jeton më! Nuk kam fjalë. Sot për familjen tonë të madhe është një ditë zie, aktivitetet tona elektorale do të ndalen, në nderim e kujtim të vëllait tonë të dashur”.

Homazheve iu bashkua dhe kryetari i PD-së, Lulzim Basha. Përmes një statusi ai e quajti Bashkim Finon një zë të rëndësishëm në funksion të stabilitetit politik dhe shoqëror të vendit.

Bashkëpunëtorët e tij vlerësuan kontributin profesional të Finos në politikën shqiptare, pa lënë mënjanë aspektin njerëzor.

Në nder të Bashkim Finos qeveria shpalli të hënën ditë zie, ndërsa të gjitha partitë politike i ndërprenë për 1 ditë aktivitetet elektorale.

Tv Klan