Një magazinë e vjetër e braktisur është përfshirë nga flakët në afërsi të fshatit Lavand të Bashkisë Mallakastër, pranë ish-KPTHN Ballsh.

Sipas informacioneve të siguruara nga korrespondentja e Klan News, Anila Sefa në magazinë kishte mbetje me fuçi vaji dhe solari.

Lajmi konfirmohet gjithashtu nga shërbimet zjarrfikëse si dhe kryebashkiaku i Mallakastrës, Qerim Ismailaj i cili ka pohuar se në magazinë ka pasur materiale të ndryshme.

Magazina është në pronësi të dy personave, një nga Buzmadhi i Cakranit dhe tjetri nga Drizari, por që e kanë braktisur prej disa muajsh.

Veç mjeteve zjarrfikëse të Bashkisë Mallakastër në terren ka shkuar edhe një automjet zjarrfikës i kompanisë “Albpetrol” me qëllim fikjen me lëndë të posaçme zjarrfikës, pasi me ujë nuk mund të ndërhyhet për shuarjen e flakëve.

Pranë magazinës ndodhet një banesë dhe një fabrikë eprodhimit të vajit të ullirit, por zjarrfikësit po qëndrojnë në gatishmëri që të mos marrë zjarr./tvklan.al