Në 5 vitet e fundit, numri i të huajve të parregullt në Shqipëri është përgjysmuar. Të dhënat e INSTAT bëjnë me dije se nga viti 2019 deri në vitin 2023, në Shqipëri kanë hyrë në mënyrë ilegale 56% më pak shtetas të huaj.

Viti 2020 mban edhe numrin më të lartë të klandestinëve të kapur në pikat kufitare me afro 19 mijë.

Në vitin 2023 janë evidentuar 6.630 të huaj të parregullt në territorin e vendit, ku pjesën më të madhe të tyre, rreth 44%, e zënë të huajt me origjinë nga Afganistani dhe Siria.

Të huajt e parregullt të evidentuar vjet në territorin e Shqipërisë ose në kufi, pa dokumentacionin e nevojshëm, sipas vendit të origjinës kryesohen nga vende si Afganistani me 1.610 persona, Siria me 1.305 persona, Pakistani me 969 persona, Bangladeshi me 792 persona, Somalia me 475 persona dhe Maroku me 156 persona.

Prej vitit 2019 kufiri shqiptar monitorohet edhe nga Frontex.  Janë 17 vende BE që kanë patrulluar së bashku me Policinë tonë kufitare, për kontrollin e migracionit të paligjshëm dhe luftën kundër krimit kufitar.

Tv Klan