Çmimet e prodhimit pësuan rritje edhe gjatë tremujorit të dytë të këtij viti. Sipas INSTAT, gjatë periudhës Prill-Qershor indeksi i Çmimeve të Prodhimit shënoi një rritje me 1,7 %, krahasuar kjo me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ndërsa në raport me tremujorin e parë të 2024 rritja është 0,1 %.

Krahasuar me tremujorin e dytë 2023, rritja më e madhe e çmimeve prej 5,3 % vërehet në seksionin “Energjia elektrike dhe gaz”, pasuar nga seksionet “Industri nxjerrëse” me 4 %, “Industri përpunuese” me 0,4 % dhe “Furnizimi me ujë, aktivitete të trajtimit dhe menaxhimit të mbeturinave, mbetjeve” me 0,3 %.

Brenda seksionit “Industri përpunuese” rritja më e madhe e çmimeve vërehet në aktivitetin “Prodhimi i produkteve të duhanitt” me 3,8 %, pasuar nga aktivitetet “Përpunimi i produkteve ushqimore” me 3,0 %, “Prodhimi i pijeve” me 2,7 %.

Nga ana tjetër, ulja më e madhe e çmimeve vërehet në aktivitetin “Përpunimi i tekstileve” me 3,2 %, pasuar nga “Prodhimi i produkteve minerale jo metalike” me 2,3 %, etj.

Sa i përket çmimeve të Prodhimit të produkteve për tregun vendas INSTAT raporton se indeksi shënoi rritje me 2.3 për qind, ku kryeson seksioni energji elektrike dhe gaz me 7 për qind.

Ndërsa çmimet e Prodhimit të produkteve për eksport, krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2023, pësuan një rritje me vetëm 0,2 %.

Tv Klan